Mungesa e kushteve të sigurisë në punë, 40 punëtore fasonerie helmohen ndërsa një punëtor nafte humbet krahun

Mungesa e kushteve të sigurisë teknkike dhe mekanizmave për mbrojtjen e punëtoreve në Shqipëri mbetet një fenomen shqetësues për Shqipërinë dhe bilanci i ditëve të fundit e tregon më së miri gjendjen alarmante të situatës.
Ditën e shtunë, 41 punëtorë janë dëmtuar e disa prej tyre gjenden ende në gjendje të rëndë, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë dhe investimeve në mirëpërgatitjen e punëtorëve për sigurimin e vetes nga dëmtimet.
Në qytetin e Vlorës, një punëtor nafte ka humbur krahun në një nga puset e naftës në fshatin Amonicë. Shtetasi menjëherë u dërgua në Tiranë për një trajtim më të specializuar, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Më tragjik paraqitet bilanci në qytetin e Durrësit, ku plot 40 gra punëtore në fasoneri, janë helmuar për shkak të lëndëve toksike që përdoren në procesin e hekurosjes së tekstileve. Menjëherë punëroret u dërguan në spitalin e Durrësit, ku 7 prej tyre paraqiteshin në gjendje më të rënduar se të tjerat. Autoritetet Shëndetësore, Policia dhe Inspektoriati i punës kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, por ky nuk është rasti i parë që ndodhin ngjarje të tilla.
Dy muaj më parë në një tjetër rrobaqepësi në Durrës punonjëset u helmuan dhe qëndruan disa ditë në spital, ndërkohë që shkaku i helmimit nuk u përcaktua nga autoritetet. Gratë e rrobaqepësisë si në verë dhe në dimër shprehin shqetësim për kushtet e punës që kanë të bëjnë kryesisht me aspirimin e ambienteve ku punojnë.
Pavarësisht se jo rrallë herë industri si fasoneria konsiderohen nga qeveria si industri prioritare për punësimin e shtetasve dhe si investime të domosdoshme e të suksesshme për ekonominë tonë, kushtet e punës ende vijojnë të mbetet të vështira dhe nuk ka kontroll apo mekanizma mbrojtës të punëtorëve dhe të të drejtave të tyre./ k.j