Personat me aftësi të kufizuar, të përjashtuar nga zgjedhjet e 25 qershorit
Ndonëse Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, ndër të tjera edhe ushtrimin e të drejtës së votës në mënyrë vetjake, të lirë dhe të fshehtë, plotësimi i nevojave specifike për këtë grupim zgjedhësish ka mjaft mangësi.
Gjatë një vëzhgimi të kryer nga Historia Ime në ditën e votimit në qytet të ndryshme të vendit, nuk ishin të pakta qendrat që nuk ofronin infrastrukturën e duhur për personat me aftësi të kufizuar që përbëjnë 6.2% të popullsisë në moshë madhore në Shqipëri sipas Censusit të vitit 2011.
Rregullorja “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar” e miratuar në vitin 2008, përfshin përshtatjen e mjediseve të banesave, hapësirave dhe shërbimeve publike lehtësisht të përdorshëm nga personat me aftësi të kufizuar që nuk shikojnë, tetraplegjikët e paraplegjikët, të dëmtuarit fizikë, invalidët e punës etj. Kjo rregullore duhet të zbatohet jo vetëm për ndërtesat dhe hapësirat publike të reja por edhe llogaritjen e të gjitha mundësive për përmirësimin e kushteve në ato ekzistuese.
Por nga monitorimi i kryer nga Historia Ime, disa nga qendrat e votimit në Tiranë, Shkodër, Fier, Vlorë, nuk plotësojnë as kushtet minimale si rampat për personat tetra dhe paraplegjik.
- Gjimnazi Besnik Sykja, Tiranë
- Kopshti Cicërimat, Tirane
- Qender votimi, Shkozet
- Qendra e Formimit Profesional, Vlorë
- Konvikti i shkollës së Medresesë, Shkodër
- Shkolla Edit Durham, Tiranë
- Biblioteka Publike, Fier
- Shkolla Emin Duraku, Tirane
- Shkolla Dora D’istria, Tiranë
Jo në pak raste si tek shkollat 9 vjeçare “Dëshmorët e Lirisë”, “Edith Durham”, “Konferenca e Pezës në Tiranë etj, këto rampa ekzistojnë por janë të pamundura për tu përdorur për shkak se janë jashtë çdo standardi.
- Shkolla Dëshmorët e Lirisë, Tiranë
- Shkolla Edit Durham, Tiranë
- Shkolla 24 Maji, Vlorë
- Shkolla Konferenca e Pezës, Tiranë
Sipas rregullores “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”, që një rampë të jetë e aksesueshme duhet të ketë:
- pjerrtësi jo më të lartë se 8%
- gjerësi së paku 120 cm në hapësirat e jashtme dhe 90 cm në hapësirat e brendshme
- sipërfaqe relievore kundër rrëshqitëse
- rrethim të ndërtuar me dorëza mbajtëse në pjesën e pambrojtur, ose një bordurë të paktën me 10 cm lartësi
- dorezë mbajtëse e vendosur në dy lartësi 60 cm dhe 90 cm
Një tjetër problem i përhapur lidhet me trotuarët pranë qendrave të votimit. Si në rastin e gjimnazit “Arben Broci” në Tiranë ku pavarësisht hapësirës së sheshtë e shkollës, trotuari tek dera hyrëse është i pamundur të aksesohet nga personat tetra dhe paraplegjik. Sipas nenit 8 të rregullores, kur trotuari bashkohet në nivelin rrugor ose ndërpritet nga një zonë e rezervuar, duhet të ketë platforma me pjerrtësi jo më të madhe se 15%.
- Gjimnazi Arben Broci, Tiranë
- Gjimnazi Besnik Sykja, Tiranë
Për më tepër, problem janë edhe mungesat e dorezave mbajtëse nga të dyja anët tek shkallët, përdorimin e shenjave të përshtatjes, lartësisë së kutive të votimit, mungesa e ashensorit për qendrat e votimit në kate të dyta etj.
Ajo që duhet theksuar është se qendrat e votimit vendosen kryesisht në objekte publike si shkolla, kopshte, qendra profesionale, bibliotekë etj., dhe mungesa e përshtatshmërive për personat me aftësi të kufizuar nuk do të thotë përjashtim i tyre vetëm në ditën e votimit, por çdo ditë që ata duan të marrin një nga këto shërbime publike. /m.g/
/Historia Ime