Progresi i Shqiperise ne te drejtat e njeriut sipas raportit te BE
Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, progres raporti i Delegacionit të Bashkimit Evropian i është lëshuar këto ditë përfaqësuesve të medias, shoqërisë civile dhe zyrtarëve të Republikës së Shqipërisë. Raporti tregon progresin e Shqipërisë drejt rrugës së integrimit Evropian. Përqasja e ndjekur prej delegacionit në hartimin e këtij raporti bazohet në themelet e shtetit ligjor, qeverisjes ekonomike dhe reformimit të administratës publike.
Në linja të përgjithshme në raport vihej në vemendje të mëtejshme reforma e administratës publike, reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i mbrojtjes të së drejtave të njeriut. Theksi vendosej tek një dialog politik dhe pune konstruktive e bazuar në kompromisin parlamentar, si çelës i një proçesi të suksesshem reformash.
Duke pasur synuar respektimin e te drejtave të njëriut, raporti cilëson se ndonëse shqipëria ka ratifikuar shumicen e konventave ndërkombëtare, duhen ndërmarrë nisma të mëtejshme për të siguruar implementimin e tyre.
Prej raportit mund të veçojmë zhvillimet në të drejtën e shprehjes, në veçanësi Ligjin për Median Audiovizuale implementimi i të cilit është tepër i ngadaltë qëkurse mungon një marrëveshje politike për të mbushur vendet e lira në Autoritetin e Mediave Audiovizive(AMA). Për pasojë, AMA nuk ka mundur të implementojë strategjinë e dixhitalizimit.
Sa i përket numrit të rasteve të dhunës në familje, delegacioni vëren se numri i tyre është rritur duke shënuar 132 raste dhune të trajtuara ne strehat e viktimave të dhunës në familje. Ndërkohë që është lëshuar një sistem online raportimi të rasteve të dhunës në 29 bashki.
Në kuadrin e vlerësimit të punës së komisioneres anti-diskriminim, numri i rasteve të ekzaminuara dhe të inspektuara prej komisioneres është rritur, por sado që ligji është në linjë të drejtë me legjislacionin e BE-së, implementimi është i pamjaftueshëm e ndaj duhet synuar ndërtimi dhe konsolidimi i një praktike gjyqësore solide. Komisionerja anti-diskriminim ka vendosur tre gjoba ndaj insitucioneve publike në 2013, megjithëse proçedurat e ankimimit duhet të qartësohen edhe më tej shkruhej ne raport. Koordinimi midis strukturave lokale dhe qendrore duhet përmirësuar ndjeshëm, ndërkohë që nevojitet një punë e mëtejshme për të përmirësuar dispozitat diskriminuese në aktet ligjore.
Ndërkohë që për të drejtat e komunitetit LGBTI raporti vëren se bashkëpunimi mes shtetit dhe shoqërisë civile është përmirësuar. Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë u celebrua në maj me paradën e trete dhe një sërë aktivitetesh në vend. Ndërkaq, draft amendamenti për rishikimin e kodit të familjes për njohjen e bashkëjetesës së personave me gjini të njejtë mbetet për t’u adaptuar. Në progres raport theksohej gjithashtu se një grup pune ndërministror që duhet të sigurojë implementimin e planit kombëtar të aksionit për të drejtat e personave LGBTI ende nuk është formuar, ndërkohë që ndërgjegjësimi publik për të drejtat e personave LGBTI mbetet tepër i ulët.