Protesojnë banorët e objekteve që do shemben për Unazën e Madhe
Sot më datë 27 tetor 2014, disa prej banorëve të Selitës, banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i “Unazës së madhe” së bashku me aktivistë dhe qytetarë të tjerë të ndjeshëm u mblodhën për të protestuar përpara Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit për të mbrojtur një të drejtë themelore siç është strehimi.
Problemi i shumë prej banorëve të Selitës është ekzistencial sepse nga ndërtimi I unazës së madhe rrezikojnë të dëbohen rreth 70 familje Rome dhe shume familje të tjera. Këta banorë të shqetësuar kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet nga instititucionet kompetente dhe jo të shëmben menjëherë banesat pa i ofruar zgjidhje.
Në këtë territor ka tre tipologji objektesh banimi për nga statusi ligjor: banesa të cilat disponojnë çertifikatë pronësie dhe që do kompensohen, banesa të cilat janë në një proçes legalizimi dhe që janë njëkohësisht shumica e objekteve të prekura nga ndërtimi i unazës dhe diku tek 3-4 objekte që nuk klasifikohen si banesa sipas ligjit në fjalë.
Gjatë protestës kishte edhe disa foto të shtëpive ku ishin ngjitur hisotori personale të banorëve si psh “Nëna imë ka punuar gjithë jetën për të na ushqyer mua dhe vëllezërit e mi. Në këtë shtëpi na ka parë të luajmë, të qajmë, të qeshim. Tani është e moshuar, ndihet e lodhur nga të gjitha ato që ka kaluar. Është detyra ime ti qëndroj pranë. Duke na prishur shtëpinë, nuk mund t’i jap as edhe një vend ku të pushojë. Nuk mund të na dëboni pa na dhënë zgjidhje. Ne nuk pranojmë!”