Puna ne kushte mesjetare ne HEC-in e Qafe Molles dhe perdorimi i policise
Tragjedia e ndodhur dje në HEC-in e Qafë Mollës në Mirditë ishte e paralajmëruar.
Kjo, për shkak të kushteve mesjetare në të cilën punonjë atje.
Dëshmia e një punëtori të këtij HEC-i tregon se shteti ka qenë komplet jashtë loje.
Askush nuk vinte t’i kontrollonte, ndërkohë që punëtorët ishin të pasiguruar.
Por, fakti më i rëndë ka të bëjë me policinë.
Kjo e fundit është përdorur nga firma turke kundër punëtorëve.
Dëshmitari thotë se sa herë ata protestonin, vinte grupi i gatshëm i policisë për t’i detyruar të vazhdonin punën.
“Si rregull, ne duhet t’i kishim bërë me harqe, por me harqe kjo firmë , që nuk poi ze emrin se është firmë banale, nuk e kanë bërë punën që ishte për t’u bërë.
Faji është krejt i inxhinjerit dhe atij përfaqësuesit të firmës. Të jesh nën 1600 m pa asnjë lloj harku, pa asnjë hekuri,kjo është çmenduri.
Është çmenduri e shtetit tonë që nuk merr masa të kontrollojë çfarë firmash vijnë këtu. Nuk ka asnjë lloj sigurie.
Asnjeri prej punëtorëve nuk është i siguruar. Asnjeri.
Unë kam nëj vit e gjysëm këtu dhe nuk kam parë asnjë inxhinjer shqiptar apo përfaqësues të shtetit të vijë të kontrollojë se çfarë bëjnë firmat këtu.
Të gjithë janë të rrezikuar.
Kemi bërë protestë, por vjen grupi i gatshëm e të “merr me hu” mbrapa e të nxjerrin dhe përjashta. Ka pasur edhe herë të tjera incidente.
Ka qënë një punëtor nga Gjegjani, por për fat të mirë shpëtoi. Ka qënë edhe një tjetër që ka 6 muaj me hekura në këmbë dhe raportin nuk ia kanë punuar.
Firma turke i fsheh këto fakte, përderisa nuk vjen askush këtu të pyesë si punoni e ku punoni. Kam një vit e gjysëm këtu e nuk kam parë një shqiptar të vijë të pyesë se çfarë pune bëhet këtu”, thotë ai./b.l
Marrë nga gazetadita.al