Romet, vaksinim dhe regjistrim ne kopshte
“Çdo fëmijë rom do të regjistrohet në kopsht, pavarësisht nëse e ka ose jo në momentin e regjistrimit, certifikatën e lindjes dhe certifikatën e vaksinimit”. Kështu deklaroi dje, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila premtoi se qasja përballë komunitetit rom, nga ana e institucioneve do të ndryshojë tërësisht. Sipas saj, fëmijët romë do të regjistrohen në kopshte e shkolla, pavarësisht nëse e zotërojnë ose jo certifikatën e lindjes apo të vaksinimit, pasi këtë procedurë, është e vendosur që ta ndjekë Ministria e Arsimit në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore. Kjo do të thotë që MAS, në bashkëpunim me strukturat e tjera, jo vetëm që do të nxisin fëmijët romë, të ndjekin kopshtin e shkollën, por edhe do t’i pajisë ata me certifikatë lindje, në rastet kur nuk i kanë ose do t’i vaksinojë. Kështu, prindërit e fëmijëve të tjerë nuk kanë pse shqetësohen sepse procedurat do të ndiqen me përpikëri, ndërsa fëmijët do të bëhen pjesë e këtyre institucioneve, pas përfundimit të tyre.
“Ne nuk do të presim që nënat rome të trokasin në dyert e institucioneve, por do të jenë edukatorët, mësuesit, do të jem unë që do të trokas pranë familjeve të komunitetit rom për të sqaruar se sa e rëndësishme është pjesëmarrja dhe regjistrimi i fëmijëve në kopshte”, theksoi Nikolla, dje, e pranishme në forumin “Çdo fëmijë rom në kopsht”, organizuar në kuadër të politikave përfshirëse që kopshtet dhe shkollat duhet të ndjekin për integrimin e fëmijëve romë në arsimin parashkollor.
Ndërkohë, sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit mësohet se viti i ri shkollor do të nisë më datë 15 shtator, njësoj si një vit më parë. Referuar faktit që kurrikulat dhe programet shkollore të vendit do të unifikohen me ato të Kosovës, pritej që shkollat të çelnin dyert zyrtarisht më datë 1 shtator, siç prej vitesh ndodh në Kosovë. Por, burime në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije se kjo nuk është e mundur të ndodhë, për shkak të sezonit turistik në vend. Sh.Me
Marrë nga gazeta-shqip.com