Rregullat e votimit për zgjedhjet e nesërme, ashpërsohen penalizimet
Nesër mbahen zgjedhjet që do të vendosin legjislaturën e 9-të parlamentare të Shqipërisë. Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 3 452 308 shtetas mes të cilëve 136 651 votojnë për herë të parë.
Rregullat e votimit:
- Qendrat e votimit do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00. Asnjë shtetas nuk mund të votojë pas orës së mbylljes me përjashtim të zgjedhësve që presin në radhë për të votuar.
- Zgjedhësit duhet të paraqesin një dokument zyrtar të vlefshëm identiteti me të dhëna biometrike (kartë identiteti ose pasaportë biometrike) dhe të kryejnë kontrollin për timbrimin e duarve (vendosjen e bojës në gisht). Në rast se zgjedhësi është timbruar atij nuk i jepet fletë votimi.
- Kryetari i KQV-së verifikon se të dhënat e identitetit të zgjedhësit përputhen me të dhënat në listën e zgjedhësve. Më pas zgjedhësi nënshkruan në listën e zgjedhësve krah emrit të tij. Në rast se zgjedhësi nuk pranon të timbroset me lëndën e posaçme, atij nuk i jepet fleta e votimit dhe identiteti i tij mbahet shënim në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së.
- Zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe shënon një “x”, “+” ose një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej për një subjekt politik apo koalicion.
- Zgjedhësi palos fletën e votimit në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme dhe e hedh atë në kutinë e votimit përkatëse.
Ashpërsohet Kodi Penal, çfarë ndodh nëse shkelen rregullat:
Fotografimi i votës, ashpërsohet dënimi nga 6 muaj deri në 3 vite burg:
Kodi Penal u ashpërsua në fund të muajit maj, duke e dënuar me heqje lirie fotografimin e votës. Neni 327 i këtij Kodi parashikon se shkelja e fshehtësisë së votimit përmes fotografimit, filmimit apo dokumentimit me çdo lloj forme tjetër dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Dhënia e dokumenteve të identifikimit dënohet me burgim deri në 3 vjet:
Neni 311/a i Kodit Penal parashikon dënim për:
Marrjen ose përdorimin e paligjshëm të dokumenteve të identifikimit
Dhënia e dokumentit të identifikimit me qellim përdorimin e paligjshëm të tij ose garantimin e mospjesëmarrjes në votime.
Marrja e dokumenteve të identifikimit të shtetasve të tjerë për çdo qëllim të paligjshëm që lidhet me zgjedhjet
Të burgosurit përjashtohen padrejtësisht nga votimi:
Nga lista e votuesve janë hequr emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, për një nga 86 veprat që parashikon ligji 138/2015 në kuadër të procesit të “dekriminalizimit”.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngriti pak ditë më parë shqetësimin për përjashtimin nga procesi i votimit i personave të paraburgosur, të cilët sipas kushtetutës kanë të drejtë vote.
Gjithashtu janë rreth 900 të dënuar me të drejtë vote nuk kanë mundësi të votojnë nesër, për shkak se dokumentet e tyre të identifikimit janë sekuestruar nga Prokuroria.
/l.k/