Shkencëtarja, e cila ndihmoi në zbulimin e një ilaçi të ri për kancerin e vezoreve, ka dhuruar pjesën e saj të fitimeve për bamirësi.
Profesoresha Nicola Curtin, 65-vjeç, ishte pjesë e një ekipi në Universitetin e Newcastle, e cila punoi për 30-vjet me radhë për të prodhuar “Rubraca”, një ilaç kundër kancerit, që tashmë është aprovuar për përdorim në Sistemin Kombëtar Shëndetësor anglez.
Ilaçi përdoret për të trajtuar ata me gjenin specifik BRCA. Ai funksionon duke bërë të mundur që qelizat kanceroze të riparojnë ADN-në e tyre, duke vrarë qelizat e tumoriale, ndërsa indin e shëndetshëm e lënë relativisht të pandikuar.
Universiteti i Newcastle lëshoi honorare për shpikjen e medikamentit me kosto 31 milion £. Ndërsa, profesoresha Curtin e përdori pjesën e saj të fondeve prej 865,000 £, për të themeluar “Fondin Curtin”, i cili do të shërbejë për të ndihmuar në kapërcimin e pengesave në arsim dhe punësim. “Është për të ndihmuar njerëzit që janë në disavantazh jo për fajin e tyre. Unë thjesht nuk besoj se talenti është i kufizuar tek njerëzit e klasës së mesme të bardhë ” tha ajo.
“Unë jam profesoreshë, e martuar me një inxhinier. Për të qenë të sinqertë, të dy luftojmë t’i mbulojmë shpenzimet tona me aq sa fitojmë. Kemi një mënyrë jetese mjaft modeste,” u shpreh profesoresha Curtin.
“Nuk mendoj se ndonjë shkencëtar është i nxitur nga konsideratat monetare. Ne jemi përqendruar vazhdimisht te rezultatet finale dhe fakti, që ne kemi qëlluar në shenjë me këtë ilaç është njëfarësoj edhe fat. Ka qenë shumë punë e vështirë për shumicën e personave të angazhuar në këtë proces, por kjo vlen edhe për shumë projekte që nuk arrijnë të realizohen në të njëjtën mënyrë. Unë mund të isha lehtësisht një nga këta njerëz, ” përfundoi modestisht profesoresha Curtin në lidhje me suksesin e korrur për finalizimin e medikamentit për mposhtjen e kancerit në vezore.