Shqiptarët, të parët në Evropë për ekspozimin ndaj rreziqeve në vendin e punës
Shqiptarët renditen të parët për probleme shëndetësore të lidhura me punën sipas anketimit të kryer nga “European Trade Union” për vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Evropian.
Indeksi i rreziqeve të lidhura me qëndrimin (ergonomik) mat ekspozimin ndaj dridhjeve, pozicioneve të lodhshme, mbajtjes së peshave dhe lëvizjeve të përsëritura. Këto janë rreziqet më dominuese në Europë dhe përfshijnë risqe që mund të luajnë një rol në ankesat në vendin e punës dhe sëmundjet e lidhura me muskujt e kockat. Shqipëria e ka këtë indeks mbi 30 (nga 0 në 100, ku sa më i lartë aq më negativ), ndërsa më mirë paraqiten Irlanda dhe Republika Çeke, që e kanë këtë tregues nën 20.
Edhe rreziqet ambientale (vibrimet, zhurma, temperaturat e ulëta e të larta dhe kushtet specifike në industri, ndërtim e bujqësi), Shqipëria i ka ndër më të lartat, pas Turqisë dhe Maqedonisë, ndërsa është në mesataren e BE-së për rreziqet biologjike dhe kimike (vendi nuk e ka të zhvilluar industrinë, por është i mbështetur kryesisht te shërbimet).
Komisioni ka matur edhe indeksin e mjedisit fizik, që ka 13 tregues që lidhen me problemet fizike, si p.sh. vibrimet nga makineritë, zhurmat, temperaturat e larta, tymi, kontaktet e lëkurës me materiale kimike, apo produkte që mund të jenë infektuese, pirja e duhanit nga të tjerët, lodhje ose pozicione të dhimbshme.
Edhe në këtë indeks, Shqipëria renditet e dyta më negativja në Evropë (indeksi është 76, i matur nga 0 në 100, ku sa më i lartë, aq më mirë), pas Turqisë.
Në Evropë, shtetet që e kanë më mirë indeksin e mjedisit fizik janë Republika Çeke, Italia e Holanda.
Nga shtetet e rajonit, Maqedonia ka një pozicionim të ngjashëm me Shqipërinë, ndërsa më mirë për kushtet e punës paraqitet Serbia.
Sipas gjetjeve të raportit për të gjitha vendet e marra në shqyrtim, në përgjithësi, ndërtimi tregon ekspozimin më të lartë të raportuar nga të gjithë llojet e rrezikut, ndërkohë që shërbimet financiare e kanë më të ulët.