Skandali në kopshtin “Diren”, a duhet t’i përgjigjemi dhunës me dhunë?
Rasti i dhunës së Administratores së kopshtit “Diren” ndaj një fëmije tre vjeçar, ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale. Menjëherë pas publikimit të videos njerëzit kanë shpërthyer në mallkime dhe komente ofenduese ndaj Administratores. Problemi është që në këtë mënyrë nuk po bëhet gjë tjetër veçse kërkohet të korrigjohet dhuna me dhunë.
“Anjeza Shabani” dhe “Kopshti Diren” me siguri janë subjektet më të kërkuara nga shqiptarët që pas publikimit të videos. Mbi 50 mijë përdorues flasin për këtë temë dhe nuk janë të pakta as grupet apo faqet ofenduese të hapura në 24 orët e fundit. Duke mos kuptuar kështu se “vdekje për Anjeza Shabanin” etj, nuk bën gjë tjetër veçse përforcon më shumë kulturën e dhunës.
Sjelljet nga ana e administratores së kopshtit janë të patolerueshme dhe përbëjnë shkelje të ligjit ndaj dhe iu duhen lënë në dorë institucioneve ligjore të vendosin jo histerisë masive që nxit dhunën në rrjetet sociale.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar ndaj rastit në fjalë duke thënë se “Këto sjellje brutale janë të patolerueshme dhe përbëjnë shkelje flagrante të ligjit, duke shkaktuar pasoja të dëmshme fizike dhe psikologjike në shëndetin e fëmijëve.”
KShH vlerëson se nuk është bërë sa duhet në drejtim të parandalimit të këtyre rasteve. Ngjarje të tilla kërkojnë reflektim të menjëhershëm nga organet kompetente dhe përsëritja e tyre evidenton mungesën e efektivitetit të masave të marra deri më tani.
/m.g/