“Teknikat e zgjeruara” te CIA-s, raporti i Senatit
“Teknikat e zgjeruara të marrjes në pyetje”, të prezantuara pas 11 shtatorit 2011 ishin jo vetëm mizore, por çuan rrallë në informacione të vlefshme, pritet të thotë një raport i senatit të SHBA.
Një përmbledhje e raportit me 6300 faqe mbi metodat e ashpra të marrjes në pyetje të CIA-s, të nisura pas sulmeve të 11 shtatorit planifikohet të bëhet publike. Të enjten, Komiteti i Senatit për Shërbimet Informative, i cili e hartoi raportin, votoi që t’ia kalojë përmbledhjen organeve ekzekutive për deklasifikim.
Ky raport pritet të jetë përmbledhja më e gjerë deri tani për programin e epokës së Bushit. Ajo jo vetem jep hollësi për përdorimin e të ashtuquajturave teknika të marrjes në pyetje, si waterboarding (simulim i mbytjes), përdorimi i pozicioneve të mundimshme për trupin dhe zhytja në ujë, që u prezantuan nga administrata e Bushit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Për më tepër, sipas gazetës “Washington Post”, raporti tregon edhe se CIA e ka çuar në rrugë të gabuar qeverinë, duke mbivlerësuar rezultatet e arritura me këto teknika. Këto teknika, disa prej të cilave administrata e Obamas i ka klasifikuar si tortura, janë përdorur në burgje të CIA-s jashtë SHBA, të njohura si “qendra të zeza”.
“Gabime të tmerrshme”
“Jam shumë e bindur se krijimi i qendrave afatgjata klandestine të zeza dhe përdorimi i të ashtuquajturave teknika të zgjeruara të marrjes në pyetje ishin gabime të tmerrshme,” tha në 13 dhjetor Dianne Feinstein, e cila drejton Komitetin e Shërbimeve Informative të Senatit, pasi senati aprovoi raportin e tij për programin e CIA-s, i cili mbetet i klasifikuar.
Gazeta “Washington Post” citon një zyrtar të SHBA, që CIA i ka thënë disa herë Departamentit të Drejtësisë që teknikat kanë çuar në zbulimin e “informacioneve të fshehta të pasigurueshme në forma të tjera, të cilat ndihmuan të shkatërrohen komplote terroriste…”. Ai vazhdon me fjalët se kjo rezultoi e gabuar.
Washington Post thotë se Abu Zubayadah, një i dyshuar nga CIA si pjesëtar i Al Kaidës, e që tani mbahet i burgosur në Guantanamo, është shembull i një të burgosuri, i cili sipas CIA-s dha informacion pasi u ekspozua me teknikat e zgjeruara të marrjes në pyetje, gjë që me të cilët kritikët nuk janë dakord. Ammar al-Baluchi, nipi i të vetëshpallurit si kryeideator i sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheik Mohammed, ishte një person i dyshuar, i cili, sipas gazetës, u torturua edhe pasi vendosi të bashkëpunojë.
Barry Eisler, një ish-agjent i CIA-s i tha DW me E-Mail se beson se do të publikohet vetëm një pjesë e vogël e raportit. “Një lloj sekreti është i nevojshëm për ta mbrojtur demokracinë. Por shumë sekret është kanceroz për demokracinë”, thotë Eisler./DE/