Zelanda e Re vendos të financojë mjekimin parandalues të HIV-it
Foto: Pink News
Zelanda e Re është një prej shteteve që ka vendosur të financojë mjekimin parandalues të HIV-it për ta ulur çmimin e tij për pacientët në nevojë. Emri shkencor i këtij mjekimi është PrEP (Pre-Exposure Prophylaxis) dhe do të kushtojë vetëm 1.20 $ në muaj për recetë mjekësore.
Duke nisur nga 1 marsi ky trajtim do të vihet në dispozicionin e të gjithë atyreve që janë më të rrezikuar për tu infektuar me HIV. Më parë një trajtim i tillë do të kushtonte rreth 731$ për muaj, duke i shtyrë shumë pacientë të importonin ilaçet nga jashtë. Duke e importuar nga jashtë ilaçi kushton rreth 36$ për muaj. Tanimë me financimin publik, çmimi për trajtimin mjekësor do të ulet në 1.20 $, duke e kthyer Zelandën e re në shtetin me mjekimin kundër HIV më të lirë në botë.
PrEP është 99% i efektshëm në trajtimin parandalues të HIV. Ky vendim për financimin publik të tij është përgëzuar nga shumë aktivistë të LGBTQ dhe të HIV në vend. Drejtori ekzekutiv i shoqatës “New Zealand AIDS Foundation”, z. Jason Myers shprehet se do të kishte një impakt thellësisht pozitiv mbi nivelin e transmetimit të HIV-it.
“Përbën një kapërcim gjigand për ne, për qëllimin tonë final për të vënë nën kontroll transmetimin e HIV” shprehet Myers. “Për të gjithë ata që për një sërë arsyesh legjitime nuk duan të përdorin prezervativë, aksesi i ri drejt këtij mjekimi efektiv dhe mbi të gjitha i lirë përbën një alternativë për të gjithë ata që duan të ruhen nga infektimi me HIV” vijoi Jason./k.m/
Burimi: Pink News