Një bandë prej katër burrash kanë grabitur dy persona pasi u shtirën si gej në Grindr.
Policia beson se banda po përdor aplikacionin e njohjeve për të caktuar takime me qëllim për të plaçkitur viktimat e tyre.
Grabitja ndodhi në Croydon, në jug të Londrës.
Dy incidente janë raportuar deri tani, të dy përfshinë dy burra paemër që komunikonin me një burrë në Grindr dhe të dy u ndaluan nga katër persona kur arritën në pikën e takimit që kishin vendosur.
Të dy incidentet ndodhën brenda 48 orëve dhe i lanë të dy viktimat të tronditur, por të padëmtuar. Policia e Croydon beson se të dyja grabitjet janë vepër e një grupi prej katër burrash.
DC Sheree Yates nga Policia Metropolitane tha se “Viktimat fatmirësisht nuk vuajnë lëndime të rënda fizike, por kanë mbetur shumë të tronditur nga këto incidente.
“Ne po punojmë për të identifikuar të dyshuarit sa më shpejtë të jetë e mundur dhe i bëjmë thirrje të gjithëve që kanë informacion për të kontaktuar policinë.
“Ne do të donim të përfitonim nga ky rast për të siguruar komunitetin LGBT që po bëjmë gjithçka që mundemi për të arrestuar këta burra.
“Unë do të kërkoja nga të gjithë ata që përdorin këtë aplikacion për takime, që të ndërmarrin hapa për të ndihmuar veten dhe të jenë të sigurtë ndërsa takojnë njerëz të huaj.”
Ndërkohë, policia e Croydon ka lëshuar disa këshilla të sigurisë për ata që janë në zonën e Croydon e që përdorin aplikacione takimesh.
Mos ndani të dhënat personale si p.sh. numrat e telefonit dhe adresat e shtëpisë deri sa të fitoni besim për personin me të cilin po komunikoni.
Gjithmonë takohuni në një vend publik e të populluar.
Tregojini një miku në qoftë se vendosni të takoheni me dikë, tregojini se ku po shkoni dhe në çfarë ore do të ktheheni.
Kini kujdes me konsumin e alkoolit dhe mos e lini pijen tuaj të pambikëqyrur.
Karikoni telefonin tuaj përpara se të takoheni me dikë dhe sigurohuni që punon.
Mos kini frikë të largoheni në se nuk ndjeheni rehat. Ju nuk keni asnjë obligim të qëndroni./A.A.
The first study in Albania on violence against women, with a focus on LBT community, reveals that: “LBT individuals face prejudice, discrimination and abuse when they encounter health and educational institutions”. The study raises the need for capacity building and awareness raising among service providers in health and educational institutions. The situation of LBT women in particular is worse as they are subject to discrimination and violence due to their gender and sexual orientation. The study was conducted in the regions of Tirana, Shkodra, Elbasan, Peshkopi and Vlora with the support of woman organizations.You can read the findings and recommendations of the study conducted by Aleanca LGBT with the support of the UN Trust Fund to End Violence against Woment, in the materials below.
/A.A.
Studimi i parë i realizuar në Shqipëri, për reduktimin e dhunës ndaj grave, me fokus në komunitetin LBT tregon se:“Individët LBT përballen me paragjykime, diskriminim dhe abuzim kur vizitojnë institucionet shëndetësore dhe arsimore në Shqipëri”. Studimi ngre nevojën e rritjes së kapaciteteve dhe informacionit tek personat që ofrojnë shërbime në institucionet shëndetësore dhe arsimore. Situata e grave LBT identifikohet si veçanërisht e rëndë, pasi gratë janë subjekt diskriminimi dhe dhune për shkak të gjinisë dhe orientimit të tyre seksual. Studimi u realizua në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Peshkopi dhe Vlorë me mbështetjen e organizatave të grave. Gjetjet dhe rekomandimet e studimit të realizuar nga Aleanca LGBT, me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të OKB-së për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave do ti gjeni në materialin e mëposhtëm.
/A.A
“I dashur Babi … E di që po përpiqesh më shumë se Supermeni … por më duhet të të kërkoj një nder. Të paralajmëroj: Ka të bëjë me djemtë “.
Kështu fillon një video e fuqishme e quajtur “#DearDaddy”. Krijuar nga organizata norvegjeze bamirëse CARE. Videoja pesë minutëshe ndjek gratë e reja nga lindja deri në moshë të rritur dhe përdor një tregim të fuqishëm për të ilustruar forma të ndryshme të sulmit seksual, dhunës në familje dhe seksizmit të përditshëm që kaq shumë gra përjetojnë gjatë jetës së tyre.
Ky është një komentar i guximshëm dhe gozhdues mbi atë se ku fillon në të vërtetë seksizmi dhe dhuna ndaj grave./A.A.
Përkthimi në shqip i kësaj video-je u mundësua nga grupi “Feminizmi shqiptar” në Facebook
Pavarësisht të ftohtit që po mbizotëronte jashtë, dhe pavarësisht vendit ku ishte vendosur të mbahej sfilita e radhës e Blerina Kllokoqi Rugovës, të gjithë ata që ishin të ftuar kishin ardhur të shihnin koleksionin më të ri të kësaj kreatoreje. Një autosallon, në magjistralen Prishtinë-Lipjan, mbrëmjen e së mërkurës ishte kthyer në një pasarelë ku do të parakalonin modelet me fustanet e punuara me shumë delikatesë nga kreatorja. Por nuk ishte vetëm kaq, kjo mbrëmje kishte shumë befasi e të papritura që lirisht mund të themi që asnjëherë në rajon nuk i kemi parë e ndoshta edhe më gjerë.
Pasi që të gjithë u rehatuan nëpër vende, e të gjithë thuajse të veshur në mënyrë elegante në sallë reflektorët që ishin të lidhur me zinxhirë morën ngjyrën e kaltër, pastaj filluan tingujt e kitarës, violinës, celos dhe perkusioneve të cilat sollën para publikut këngëtarin Genc Prelvukajn me një performancë interesante 3 minutëshe. Pas kësaj, meloditë e instrumenteve vazhduan dhe filloi këndimin një djalë, i cili këndoi këngë të bukura për Prishtinën, për shiun, bukurinë, e kështu me radhë, e këngët që këndoheshin live i përcillnin një e nga një modelet të cilat dilnin me fustane nga ato solemne e më ekstravagantet.
Por prapë po themi se kjo nuk ishte e tëra. Kësaj radhe Blerina solli një gjë ku siç thamë të paparë më herët, ku në publik ishin shumë gra, fytyra publike të cilat iu bashkëngjitën modeleve, duke sfiluar dhe duke treguar kreacionet që ato i kishin veshur, e që ishin të punuara nga Blerina.
Por kauza e kësaj ngjarje shkonte edhe më tej, jo vetëm modelet dhe gratë me pushtet në vend reklamuan kreacionet e BKR-ës, mbrëmja e së mërkurës për herë të parë nxori edhe komunitetin LGBT, ata që prezantuan disa nga veshjet e Blerinës për të pranishmit. Të veshur me fustane, take, flokë të rregulluar bukur por fytyrë të mbuluar me maska interesante u paraqitën para publikut, ku këta të fundit i duartrokitën mjaft shumë.
Ishin gjithsej 43 fustane, me ngjyra shumë të veçanta, siç ishin e kuqja që binte shumë në sy, ngjyrë lëkure, hiri, krem, të kaltër, vjollcë e shumë të tjera ku të pranishmëve u bëri shumë përshtypje, dhe kritikat ishin shumë të mira nga ata.
“Në radhë të parë, Blerina gjithmonë më pëlqen, sepse e nxjerr origjinalitetin e vet në pah, që ka shumë rëndësi. Më bëri përshtypje sot ngjyra e kuqe, ndoshta për faktin që unë e pëlqej shumë atë ngjyrë, më bëri përshtypje nxjerrja në pah e ngjyrave që i takojnë ngjyrave më mbretërore, si ngjyra e mishit, ngjyra hiri dhe ngjyrat krem të cilat janë definitivisht të Blerinës. Kurse modelet e fustaneve ishin jashtëzakonisht të punuara me profesionalizëm. Teknikisht mund të them se më pëlqej shumë, dhe mund të them se Blerina është njëra prej kreatoreve e cila mbetet një vulë kosovare e cila duhet te luftojë dhe të dalë jashtë kufijve të Kosovës, sepse ajo e meriton”, u shpreh për KultPlus, tenori, Luan Durmishi i cili për paraqitjen e komunitetit LGBT tha se ky është një guxim i madh, e sipas tij edhe një iniciativë e mirë nëse duam ti bashkohemi botës së qytetëruar.
“Për mua ishte sensacioni i cili definitivisht bravo i qoftë Blerinës që e ka pruar deri në këtë pikë”, u shpreh Durmishi.Drejtoresha e Kinemasë ABC-Miradije Vllahiu, Vlora Dumoshi nga kabineti i kryeministrit Isa Mustafa, aktorja-Ilire Vinca, kryetarja e Komunës së Gjakovës-Mimoza Kusari Lila, moderatorja-Fllanza Citaku, gazetarja-Diana Toska, gjinekologia-Jasmina Tolaj, e shumë të tjera ishin ato që i ishin përgjigjur Blerinës me pjesëmarrje në sfilatë, ku për disa, ishte hera e parë që e bëjnë një gjë të tillë, ndërsa disa që ishin aktore, moderatorë ishin mësuar të jenë pjesë e skenës.
“Unë kam studiuar fakultetin e arteve dhe skena për mua është gjithmonë primare, dhe kështu edhe sot për mua ishte skena e shenjtë, pavarësisht asaj që kisha emocione, sepse është diçka që po bëhet për herë të parë në Kosovë, pra gra me pozita të rëndësishme kanë marrë guximin që të dalin dhe të japin një mesazh që edhe ato mund të jenë pjesë edhe të kampanjave e edhe të fushatave që bëhen për komunitetin LGBT”, theksoi për KultPlus, deputetja, Blerta Deliu sipas së cilës në publik kjo gjë u prit shumë mirë, dhe ajo tha se mesazhi ishte i qartë ku ne si shoqëri i pranojmë komunitetin LGBT si të gjitha qeniet njerëzore.
Në përfundim të sfilatës, ku prapë ishte një veçanti në vete, me një peshqir të mbështjellë rreth belit doli në pasarelë edhe kryetari i Partisë së Fortë, Visar Arifaj i cili padyshim mori duartrokitjet më të forta gjatë kësaj mbrëmje.
E krejt për fund, e s’kishte si të bëhej pa të, edhe protagonistja u shpreh shumë e lumtur që çdo gjë shkoi sipas planifikimit të saj. Ajo për KultPlus, tha se për këtë koleksion ka punuar një kohë shumë të gjatë, por që së fundmi rezultoi me sukses gjithë ajo punë.
“Ideja ka qenë që “From Prishtina with Love”, me sjellë një frymë ndryshe prej asaj që e kemi parë deri më sot, kështu që Prishtina njihet si Kosovë, dhe botës duam ti tregojmë që edhe ne mund të sjellim shumë gjëra të mira. Jam shumë e kënaqur me gjithçka që kishte sonte. E sa i përket komunitetit kjo punë është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh për fund kreatorja, Blerina Kllokoqi Rugova./A.A.
Duke pasur parasysh rrethanat sfiduese në Kosovë, si do të përfitonte shoqëria nga barazia gjinore?
Barazia gjinore përmirëson performancën e organizatave dhe shoqërive të cilave ato iu shërbejnë. Nuk ka më asnjë dyshim apo argument të vlefshëm kundër kësaj. Për më shumë se dhjetë vite, vazhdimisht ka pasur të dhëna të sigurta nga sektori i korporatave dhe ai qeveritar, që barazia gjinore jo vetëm që është një imperativ etik dhe i përket drejtësisë shoqërore, por që sa më shumë të ketë diversitet gjinor në udhëheqësi, aq më e mirë është performanca.
Konsideroni të dhënat e shumta nga sektori i korporatave. Botimi i vitit 2014 i Raportit Gender 3000 dy vjeçar nga Credit Suisse tregon që në gjashtë vitet e para të vitit 2014, aksionet e kompanive të mëdha me menaxhment të përbërë nga dy gjinitë, kishin 26% performancë më të mirë se ato që në përbërje kishin vetëm burra.
Dhe nuk mjafton me kaq. Të dhënat e raportit tregojnë që sa më i madh të jetë proporcioni i grave në sektorin e menaxhmentit të lartë, aq më e mirë është performanca e korporatës. Krahasuar me kompanitë e udhëhequra nga burrat, fitimi vjetor në kapital ishte 24% më i lartë në kompanitë ku gratë përbënin 25% ose më shumë të menaxhmentit të lartë, dhe 29% më i lartë kur 50% e menaxhereve të larta ishin gra.
Ky nuk është një fenomen apo informacion i ri. Në vitin 2004, analiza e Catalyst/Banka e Montrealit mbi 353 kompani Fortune 500 brenda pesë sektorëve të industrisë, gjeti një lidhje të qartë midis menaxhmentit me diversitet gjinor dhe performancës së shkëlqyeshme korporative. Analiza gjithashtu gjeti që kthimi në pasuri ishte 35% më i lartë në kompanitë që kishin më së shumti gra në pozita të menaxhmentit të lartë.
Të dhëna të ngjashme mund të gjenden edhe në sektorin qeveritar. Të dhënat e pyetësorit mbi analizën e performancës nga 33 agjenci federale amerikane (3) tregojnë që departamentet/agjencitë e udhëhequra nga gratë janë të renditura më lartë sesa ato të udhëhequra nga burrat në katër kriteret e performancës: lidership dhe menaxhimi i dijes; kultura e performancës së orientuar në rezultate; menaxhimi i talentit; dhe kënaqësia në vend të punës.
Pse prezenca e grave në pozitat e larta menaxhuese rezulton në performancë shumë më të mirë? Analiza e Credit Suisse tregon që gratë në këto pozita e analizojnë rrezikun më në thellësi dhe ekzaminojnë vendimet strategjike në mënyrë më kritike.
Analiza e të dhënave në ShBA dhe Evropë nga Carnegie Mellon School of Business (4) tregon që gratë në pozita të vendimmarrjes në sektorët politik dhe publik, kanë prirje për të ndërmarrë një pikëpamje më të gjerë sesa burrat rreth ndikimit të politikave, duke marrë në konsideratë rezultatet rishpërndarëse ose të drejtësisë sociale, dhe ndikimet e efiçiencës procedurale dhe shpërndarëse. Analiza gjithashtu ka gjetur që balanci dhe diversiteti gjinor në një grup është një ndër faktorët kyç që ndikon inteligjencën kolektive të grupit dhe aftësinë për të marrë vendime të suksesshme.
Si përdoren këto të dhëna? Analiza e Credit Suisse na jep disa tregues. Nga menaxherët burra të intervistuar në raportin e vitit 2014 Gender 3000, 74% ose nuk kishin dëgjuar, ose kishin injoruar, ose nuk dëshironin të dinin për hulumtimet që tregonin ndikimin pozitiv të diversitetit gjinor dhe barazisë në lidershipin e korporatave.
Ekzistojnë të dhëna të qarta mbi përfitimet e shoqërisë nga barazia gjinore. Ajo çfarë nevojitet është vullneti për të vepruar sipas tyre./A.A.
Një murg budist ka habitur çdo kënd. Mimi Tao 22 vjeç, dikur ishte murg budist, por sot është shndërruar në një ndër modelet më të suksesshme të të brendshmeve.
Mimi njihet në Tajlandë për fushatat e shumta publicitare. Ai lindi në një familje të pasur, por vendosi të bëhej një murg budist, pavarësisht se nuk jetonte në tempull.
Ai nuk arriti kurrë të jetonte si murg, pasi vendoste makijazh dhe e kishte kthyer dhomën në një pasarelë. Pasi filloi të merrte pilula, për të stimuluar hormonet femërore, familja e tij e largoi nga shtëpia, ndërsa Mimi Tao nuk u ndal derisa u shndërrua në një femër të bukur./A.A.
(“Shibël” – koment i marrë në njërin prej portaleve tona, pas botimit të opinionit “A po e don nji’ virgjëreshë?”. Përkufizimi: “shibël”- e vogël, e pakapshme, diçka që nuk çon pluhur, por që grimcat e saj e bëjnë pluhurin).
Idhëtare e të drejtës dhe barazisë, ani pse edhe vetë personalisht nganjëherë lëshoj peh nëpër situata (vazhdoj të jetoj në Kosovë).
Formimi, karakteri dhe personaliteti im mund të them që është bukur i ndikuar nga mentaliteti dhe kjo është një arsye shumë e fortë që unë sot po bëj çmos ta luftoj atë. Kam arritur ta kuptoj që 1/2 apo që i bie gjysma e shoqërisë përballet me të njëjtin fat si unë, çdo ditë apo edhe më keq, shumë, shumë më keq!
Duke e ngushëlluar veten deri në një masë, që nuk jam e vetmja vajzë që jam rrit duke e dëgjuar krahasimin “ A e ki pa çiken e Ismajlit sa e zoja është, ndaq me fshi’, ndaq me gatu, e ti veç rri këmbë mbi këmbë”, mundem më thënë që hatërmbetja për këtë refren të përsëritur në jetën time ka me qenë goxha problem për t’u falur.
Problemi trashëgohet në familje, shtjellohet në shoqëri dhe njëkohësisht zhvillohet në mendjen e gjithësecilës pa vetëdije.
– Familjet fillojnë me përgatitjet qysh në vegjëli që vajzën ta bëjnë nusen perfekte ( e jo gruan), gjithmonë duke ja ndarë rolet në kuzhinë, me rrobat dhe me pastërtinë, dhe djalit gjithmonë duke i thënë mos u përziej në punë të grave.
Pikërisht, në vendin ku unë frymoj gati çdo e dyta familje e justifikon të birin që është i dobët në mësime, por jo edhe vajzën. “Hajt se djalë është, librat s’janë për burra!”. Andaj sot, librat janë të grave, fshesat janë të grave, e madje edhe fjalët janë të grave…
Cikli i jetesës sonë është një fenomen në vete, që ka trazuar fytyra e emra, të gjitha ne (sepse unë sot personifikoj vajzën/gruan) jemi përballur së paku njëherë me mentalitetin dhe tradicionalen, pikërisht në situata. Mbase djemt/burrat s’mund ta kuptojnë një gjë të tillë, por është mjaft e dhimbshme mënyra se si ne trajtohemi, jo vetëm nga burrat, por edhe nga steriotipi grua.
Kur vajza i merr si shembuj të mirë shprehitë më të këqija të një burri, atëherë lind nevoja për ndryshim brenda, e duke vazhduar më tutje. Nuk është koha ta arsyetojmë askënd për veprimet e tyre, është koha ideale për të provuar me rezistencë se ndryshimi nis me ne, me ju, me mua dhe me ty.
“Nuk ke faj ti që çaji në shtëpinë tënde përvëlohet tri herë në ditë, faji është tek ti që i lejon me të detyru me ja rëndu’ e lehtësu çajin sipas tekeve, e kjo padyshim që është veç një metaforë, ani pse gotat e vogla të çajit me bo’ me i ndrru me gotat e mëdha të ujit, do të kishte rënë veç njëherë me u sill’ me tabakë në kuzhinë”.
Me ua bërë më të qartë, do të thotë që ndryshimi nis me imtësira, me gjëra të vogla që kurrë nuk ua ke vënë mendjen më herët, se ndryshimi është i mirë edhe për zemrën, e shpesh do të të kursejë kohë edhe nerva. Respekti për veten njëherë, pastaj për të tjerët.
Përkufizimi i fjalës respekt: ndjenjë e thellë e admirimit për dikë apo diçka që mund të nxjerrim prej aftësive të tyre, cilësi apo arritje. E përkthyer nga gjuha angleze, por më la shumë përshtypje mënyra se si duhet ta shohim apo kur duhet t’ia falim respektin dikujt, apo ndoshta këta të huajt’ janë civilizu pak si shumë…
Aman, mos e kini zili lirinë e një burri, dashuroje dhe gëzoje të drejtën tënde, mbroje, shtrëngoje me gjoks e duar. Ndihmoje një grua të ngjitet shkallëve të jetës, hapja sytë me dritë, e bërtit edhe për të në qoftë se është nevoja.
Dhe krejt në fund, thellë-thellë besoj, që secila vajzë lind luftëtare, secila përdor forcën e dijës për të marr atë që e meriton, edhe nëse nuk e marrin, së paku mund të thonë se e kanë provuar.
E çfarë force cilësohet më e madhe se ajo që ne posedojmë, guxim+ punë+ shpresë+ zemër. Si duhet të jetë njeriu ndryshe!?/A.A.
Më 13 Dhjetor 2015 u mbajt parada e krenarisë e këtij viti në Mal të Zi. Këtë javë nëpër rrugët e Podgoricës ecën disa qindra qytetarë dhe aktivistë nga vendi dhe Ballkani. Me flamuj të ylberit dhe parrulla ata kërkuan nga qeveria e Malit të Zi që t’i zbatojë të drejtat e minoriteteve dhe të disa grupeve më pak të përfshira. Të zvogëlohet niveli i homofobisë dhe transfobisë dhe të krijohen kushte për zhvillimin të komunitetit LGBTIQ në Mal të Zi. Mesazhet e tyre përfshijnë: “Liri kudo”, “Homofobia mbas Katër Mureve”, “Unë jam për Transformim të Vetëdijes”, “Nënë Krenare”.
Në event, gjithashtu, përkundër përfaqësuesve zyrtarë të Unionit Evropjan në Mal të Zi dhe disa ambasadorëve dhe përfaqësues të ambasadave në Mal të Zi, në paradë morën pjesë dhe përfaqësues të Partisë Demokristiane, të Socialistëve, Frontit Demokrat, Mali i Zi Pozitiv dhe Partisë Liberale.
Nga fjalimet që u mbajtën atje do të theksojmë disa të Vanja Gagoviq nga Kvir Montenegro e cila deklaroi: “Nga viti në vit, bashkë do ta fitojmë lirinë për të gjithë njerëzit LGBTIQ të cilët edhe mëtutje jetojnë të fshehur në frikë dhe për të gjithë njerëzit të cilëve u janë të mohuara të drejtat. Ju faleminderit për pjesëmarjen tuaj në Prajd, edhe njëher na treguat të gjithëve ne se nuk jemi vetëm, se mbështetjen të cilën e kemi rritet nga dita në ditë”, Dragana Todoroviq nga ILGA Europë dhe ERA shtoi se sot është një ditë e rëndësishme për Podgoricën, Malin e Zi por dhe për vendet nga rajoni ku ende nuk ka Paradë të Krenarisë dhe deklaroi “Por do të Ecim”.
Në një hulumtim të fundit u kuptua se vetëm 58% e popullatës të Maqedonisë mendon se LGBTIQ mundet dhe duhet të dërgohen në mjekim. E befasueshme, sidoqoftë, ky është një faktor i mjaftueshëm i cili thotë se edhe këtu ka vend për punë me ata të cilët një ditë do të mund të na ndihmonin, dhe ne një ditë të ecim të lirë në rrugët e qyteteve tona./A.A.
Parlamenti grek do të votojë gjatë këtij muaji mbi partneritetin civil për çiftet e të njëjtit seks.
Votimi vjen megjithë kundërshtimin e fortë nga Kisha Ortodokse e gjelbër.
Anëtarët e parlamentit grek do të votojnë mbi ri-hartimin e ligjit të partneriteteve civile nga viti 2008, i cili ndaloi në mënyrë eksplicite çiftet e të njëjtit seks.
Në vitin 2013 Greqia u dënua nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila vendosi se ajo nuk duhet të kishte përjashtuar çiftet e të njëjtit seks.
Pavarësisht se është në një koalicion me partinë Syriza, partia Grekët e Pavarur (ANEL), ka thënë se do të votojë kundër kësaj mase.
Kryeministri Alexis Tsipras ka thënë se shpreson të fitojë mbështetje për lëvizjen nga partitë socialiste dhe të qendrës, në mënyrë që t’i kundërvihet pozicionit të Anel./A.A.
E nominuar në Inspiration Awards for Women në Angli, psikologia shqiptare Mirela Sula ka fituar çmimin “Gruaja frymëzuese 2015”, çmim për të cilin ishin përfshirë figurat më të rëndësishme përgjatë vitit.
Arsyetimi i nominimit për këtë çmim prestigjioz është bazuar edhe në faktin se Sula nuk ka më shumë së 3 vjet qëndrim në Britani të Madhe, por që ka arritur suksese që do të ishin frymëzim për shumë gra. Ajo punon edhe në “Women’s Solace Aid”, por e njëjta vlerësohet edhe për botimin e shumë librave dhe organizimin e shumë ngjarjeve, duke përfshirë edhe konferencën e suksesshme të Londrës që është mbajtur brenda këtij viti, ku janë përfshirë arritjet e grave emigrante. Mirela Sula është edhe editore e magazinës “Migrant Woman”, në Londër.
“Miq te dashur ju falenderoj nga zemra per mbeshtetjen tuaj – Kete cmim nuk do ta kisha marre dot pa ju. Mirenjohje te thelle! Ky cmim u takon ne fakt te gjitha grave shqiptare qe kane marre kurajon te mbijetojne ne kete bote te ashper me fuqine dhe energjine qe kane brenda vetes. Bekime per te gjithe ju!”, ka shkruar Sula me rastin e këtij çmimi.
Mirela Sula është në përgatitje të samitit prestigjioz “Global Woman’s Summit”, në Londër që është planifikuar të mbahet në qershor të vitit 2016./A.A.
Më shumë se kurrë më parë çiftet e të njëjtit seks në Britaninë e Madhe kanë të zgjedhur të birësojnë fëmijë.
Lajmi vjen nga shifrat e reja të publikuara këtë javë nga Departamenti i Arsimit.
Tabelat e statistikave tregojnë një rritje dramatike në birësimet mes çifteve të gjinisë së njëjtë gjatë dekadës së kaluar.
Vetëm në Angli, çiftet e të njëjtit seks përbënin 3.27% të të gjitha birësimeve në vitin 2011 – por përbënin 8.44% të të gjitha birësimeve në vitin 2015.
Megjithatë, numrat arritën një rekord të lartë si në Skoci po ashtu edhe në Uells.
Ka patur 450 birësime në Angli nga çiftet e gjinisë së njëjtë në vitin 2015. Në Uells ishin 30, dhe 17 në Skoci – rekordi rritet në të dy vendet.
Në vitin 2007, viti i parë me numra të regjistruar, vetëm 90 fëmijë janë adoptuar nga çiftet e gjinisë së njëjtë në Angli, Skoci dhe Uells – në krahasim me 497 të këtij viti.
Statistikat thonë se 1 në 12 birësime është nga çiftet e të njëjtit seks.
Tor Docherty e bamirësisë së adoptimit New Family Social tha për PinkNews: “Është kyç në çdo rast adoptimi, që nevojat e fëmijës të jenë gjatë gjithë kohës në rang kryesor.
“Është fantastike që agjencitë e birësimit gjithnjë e më shumë po njohin aftësitë që njerëzit LGBT mund të sjellin si prindër për të përmbushur nevojat e këtyre fëmijëve.”/A.A.
Fenomeni
Çdo vit, rreth 66 000 gra vriten kudo në botë. Një nga vendet me normën më të lartë të dhunës kundrejt grave është Guatemala. Por përse është ky një vend kaq i rrezikshëm për gratë?
“Ne po vritemi nga baballarët, vëllezërit dhe njerkët tanë … ata që supozohet të kujdesen për ne”, thotë Rebeca Lane, një repere feministe në qytetin e Guatemalës.
“Shumë prej nesh duhet të jetojnë me dhunën në heshtje, ndaj kur dikush na godet apo na bërtet, ne mbyllim sytë dhe e kalojmë situatën. U bashkohemi grave të tjera dhe bisedojmë për këtë çështje dhe e dimë se nuk është gjë e mirë, se kjo nuk është normale.”
Kur Lane ishte 15 vjeçe, ajo u përfshi me një burrë më të madh, që jo vetëm e kontrollonte, por ishte gjithashtu abuziv fizikisht dhe seksualisht. “Ai e dinte se çfarë po bënte. Ai po më izolonte nga familja dhe miqtë. E di se çfarë do të thotë të jetosh me dhunë në një moshë të hershme”, thotë ajo. Marrëdhënia zgjati për tre vjet.
Tani ajo e përdor muzikën për të bërë fushatë për të drejtat e grave. “Poezia më shpëtoi jetën. Kur fillova të shkruaja ishte jetësore për rikuperimin tim”, thotë reperja. Kënga e saj e njohur gjerësisht, Mujer Lunar – Grua hënë – është një thirrje me vargje për respekt të trupave të grave, jetëve dhe pavarësisë së tyre.
Ajo mban gjithashtu takime dhe mësime hip-hopi për nënat e reja në qytetin e Guatemalës për t’u mësuar atyre të drejtat dhe si të përballojnë abuzimin me të cilin ajo u has.
Guatemala ka normën e tretë më të lartë të vrasjeve të grave në botë, pas El Salvadorit dhe Xhamajkës. Nga viti 2007 deri në vitin 2012 pati 9.1 vrasje për çdo 100 000 gra, sipas Policisë Kombëtare të Guatemalës. Dhe vitin e shkuar, 846 gra u vranë në një popullatë më pak se 15 milionë njerëz, thotë zyra e Prokurorit të Shtetit.
Duket se arsyeja gjendet tek e shkuara brutale e vendit. Frymëzimi më i madh i Lanes, një aktiviste feministe, ishte halla e saj, emrin e të cilit trashëgoi. Lane nuk e takoi kurrë motrën e babait, por historia e saj ishte një vijë paralele e destabilitetit shoqëror të Guatemalës sot dhe Guatemalës së luftës civile 36-vjeçare.
Halla e vajzës u zhduk në vitin 1981, pasi iu bashkua guerilasve të krahut të majtë teksa luftonte qeverinë ushtarake. Në këtë kohë dolën fjalë për përdhunimin, torturën dhe vrasjen e dhjetëra mijëra grave dhe vajzave – shumica nga komunitetet Maja që ishin akuzuar për mbështetje të kryengritësve.
Më shumë se një dekadë më pas, një raport i sponsorizuar i OKB-së, tha se ky abuzim ishte i përgjithshëm dhe sistematik – vlerësohej se 25 për qind ose 50 000 nga viktimat e luftës së Guatemalës ishin gra.
“Dhuna seksuale ishte në nivele shumë të larta dhe u përdor si një mjet lufte”, thotë Helen Mack, nga një OJF vendase. “Stereotipi ishte që gratë përdoreshin për seks dhe shiheshin si një objekt për t’i shërbyer familjes dhe kjo gjë vazhdon edhe sot”, shton ajo.
Motra e Mack vdiq pasi u qëllua me thikë në rrugë nga një skuadër vdekjeje në vitin 1990. Ajo kishte ekspozuar dhunën fizike dhe seksuale të ushtrisë kundër komuniteteve maja.
Gjatë konfliktit, një ushtri me rreth 40 000 burra dhe një forcë civile mbrojtjeje prej rreth një milion personash u trajnuan të kryenin akte dhune ndaj grave. Kur lufta përfundoi, këta burra u kthyen në shtëpi, por nuk e harruan zakonin.
Besohet se ata e vazhduan dhunën ndaj grave, motrave dhe të dashurave të tyre. Një kulturë dhune ndaj grave dhe një pandëshkueshmëri, që ende vazhdon edhe sot.
“Këtë javë morëm një telefonatë nga një grua. Bashkëshorti i saj i kishte hipur sipër me makinë disa herë që të sigurohej se kishte vdekur”, thotë Mack.
Ajo mbijetoi dhe u soll në qytetin e Guatemalës, ku po trajtohet për plagët. Por bashkëshorti i saj nuk heq dorë lehtë – ai i çoi të atin për ta kërcënuar që të mos e raportonte sulmin te gjykata.
Sipas eksperiencës së Mack, është e zakonshme që gratë të kërcënohen kështu ose edhe të vriten nga sulmuesit e tyre. Dhuna ndaj grave është ende një çështje e brendshme, thotë ajo, pavarësisht ligjeve të reja kundër vrasjes së grave. Në vitin 2008, Guatemala u bë vendi i parë që njeh femër-vrasjen, vrasjen e një gruaje thjesht prej gjinisë, si një krim.
“Ndryshimi në Guatemalë mes vrasjes së një gruaje dhe një burri është se gruaja duhet të vuajë përpara se të vdesë, ajo përdhunohet dhe torturohet”, thotë prokurorja e përgjithshme, Thelma Aldana.
Aldana po përpiqet të ndryshojë sjelljet ndaj viktimave që shpesh fajësohen për abuzimin që marrin. “Disa vite më parë, policia dhe hetuesit mbërrinin në një skenë krimi dhe thoshin: ‘Shikojeni si është veshur, prandaj e kanë vrarë, ajo e ka kërkuar vetë’”.
Në vitin 2011, kur Aldana ishte presidente e Gjykatës së Lartë, krijoi një rrjet të specializuar tribunal në Guatemalë për të trajtuar rastet e vrasjes së femrave.
“Sistemi i drejtësisë mund të bëjë shumë për të ndryshuar kulturën”, thotë ajo.
Tani gratë e Guatemalës janë më të ndërgjegjshme për raportimin e dhunës, ato gjithashtu kanë më shumë besim për ndëshkimin e agresorëve të tyre. Rastet që po gjykohen janë shtuar, por fenomeni është ende larg nga zhdukja …/A.A.
Kjo ndodh në Liban, aty ku shumë burra janë martuar me vajza nga 10-20 vite më të reja se vetja.
Por në rastin konkret kemi të bëjnë vetëm ne një rast sensibilizimi.
Një burrë ka zgjedhur të kundërshtojë ligjin libanez i cili i lejon femrat të martohen që nga mosha 9 vjeç dhe nga ky ligj ka pasur mjaft viktima. Vajza të mitura që kanë humbur jetën në aktin seksual.
Ai ka dalë në rrugë dhe ka pozuar me këtë “nuse” të vogël në një eksperiment social që realizohet në rrugë. Komentet dhe reagimet e njerëzve kanë qenë nga më të ndryshimet por kryesisht kundërshtuese të kësaj “martese”.
Një burrë, teksa kalon pranë pyet: ‘E jotja është’. dhëndri përgjigjet: ‘Po’, dhe kalimtari thjesht e aprovon një gjë të tillë duke i uruar trashëgime.
Ndërsa një grua ishte kaq e shokuar saqë kërkoi të dinte ku ishin prindërit e vajzës. “Ajo është 12 vjeç! Unë isha duke vrapuar, por këmbët e mia ngrinë kur pashë atë”, bërtiti gruaja./A.A.
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.