Michael Schumacher – Sportisti i jashtëzakonshëm, që në ditën e 45 vjetorit të lindjes po lufton me jetën. Kampioni i shumëfishtë në Formula 1 krahas pistës ka kaluar një jetë pa skandale, por duke e kërkuar rrezikun.
Kalërim, hedhje me parashutë, udhëtim me motor dhe gara me automjete – Michael Schumacherit i pëlqen nxitja që i jep adrenalina. Në vitin 2006 ai i jep fund për herë të parë karrierës së tij të Formulës 1. Por pa kaluar shumë kohë atë e tërheq sërish pista. Si motoçiklist ai i mbetet edhe më tej besnik garave. Nën pseudonimin “Marcel Niederhausen” ai madje merr pjesë edhe në garë. Në shkurt 2009 ai plagoset rëndë në një garë testimi në Valencia. Pasojat janë çarje në kokë dhe në afërsi të qafës – aksidenti më i rëndë i Schumacherit në garat automobilistike. Ky aksident për pak e rrezikon rikthimin e tij në Formulën 1.
Kur piloti i Ferrarit Massa tërhiqet i plagosur, Schumacheri kërkon të rikthehet në pultin e komandimit. Por qafa vazhdon t’i nxjerrë probleme. “Pasojat e plagëve në aksidentin me motor në shkurt, kur pata thyerje në zonën e kokës dhe të qafës për fat të keq vazhdojnë të jenë shumë të rënda”, pranon atëherë Schumacheri në faqen e tij personale në internet. “Prandaj qafa ime nuk i përballon dot rëndesat ekstreme të Formulës 1”. Vetëm disa muaj më vonë, në sezonin e 2010, kampioni megjithatë rikthehet në pultin e Mercedesit.
Edhe gjatë karrierës së tij të gjatë si pilot i Formulës 1 Schumacheri ka përjetuar disa aksidente të rënda, por gjithmonë ka pasur shumë fat. “Unë jam e gëzuar që po kthehemi shëndoshë e mirë në shtëpi dhe që nuk ka ndodhur gjë e keqe”, tha gruaja e tij Corinna, kur Schumacheri i dha fund për herë të parë karrierës së tij më 2006.
Rrezikun sportisti i jashtëzakonshëm e merrte gjithnjë parasysh. “Megjithë aksidentet unë nuk kam frikë”, tha ai në një intervistë televizive. “Është e mundur që disa gjëra kanë ndryshuar, kjo mundet. Po jo mënyra ime e jetesës, ku unë me ndërgjegje të heq dorë nga gjëra që më sjellin gëzim”.
“Gjëra që më sjellin gëzim”- me këtë babai i dy fëmijëve ka parasysh lloje sporti si kalërimin, hedhjen me parashutë dhe skijimin. Në pushimet mes sezoneve Schumacheri shkonte për skijim në Norvegji ose në Zvicër. Jo shumë larg vendit ku ai jeton, në Gland buzë liqenit të Gjenevës ndodhen zonat e mëdha të skijimit të Francës. Atje, në Meribél ndodhi aksidenti tragjik. Jashtë pistës, Schumacheri u rrëzua dhe e përplasi kokën në një shkëmb. Megjithëse mbante helmetë mbrojtëse, ai u plagos rëndë. 44 vjeçarin e dërguan me plagë të rënda në kokë në klinikën e Universitetit të Grenobles. Pas një operacioni emergjent ai ndodhet në koma artificiale dhe në rrezik për jetën.
/DW/