Parlamenti i Kroacisë miratoi sot një ligj që lejon partneritetin e cifteve gej. Sipas gazetës “Blic” 89 deputetë votuan pro miratimit të ligjit për bashkëjetesat dhe 16 votuan kundër.
Parlamenti i Kroacisë miratoi sot një ligj që lejon partneritetin e cifteve gej. Sipas gazetës “Blic” 89 deputetë votuan pro miratimit të ligjit për bashkëjetesat dhe 16 votuan kundër.
Në Tiranë, ata që kanë nevojë për ndihmën e shpejtë transportohen me mjete të rastit.
Një hetim për pastrim parash mbi biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç u braktis kur prokurorët shqiptarë nuk arritën të gjejnë personat që fshiheshin pas një rrjeti kompanish me bazë nëpër parajsa fiskale që i kishin vënë në dispozicion fonde.
Por Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) tashmë ia ka dalë të gjurmojë 2.5 milionë eurot që iu dhanë Fazlliçit për të blerë tokë në Shqipëri, si dhe të zbulojë perandorinë e vendosur nëpër parajsa fiskale të oligargut të energjisë Vojin Lazareviç.
Ne kemi arritur të zbulojmë se dyshja në fjalë ka investuar 30 milionë euro të tjera në Porto Romano, pranë Durrësit, dhe tashmë po kërkon për investitorë për ndërtimin e një terminali të stërmadh nafte dhe një qendre shpërndarjeje për gazin argjilor amerikan.
Fazlliç i tha BIRN se mes mbështetësve potencialë është edhe amerikani Wesley Clark, ish komandanti suprem i NATO-s, i cili është angazhuar në një numër kompanish energjetike kanadeze dhe amerikane.
Lidhja me Lazareviç
Prokurorët shqiptarë hapën një hetim në vitin 2008 mbi Fazlliç duke dyshuar se ishte përfshirë në pastrim parash prej miliona eurosh përmes një serie transaksionesh të dyshimta të ndërmjetësuara nga vajza e Sali Berishës, kryeministrit të Shqipërisë në atë kohë.
Përdorimi i kompanive në parajsa fiskale, anashkalimi i sistemit bankar përmes blerjeve me kesh dhe shitja e rishitja e tokës për shuma më të mëdha nga fshatarët vendas te ndërmjetësit, dhe më pas te Fazlliçi, patën ngritur alarm për pastrim parash në sytë e prokurorëve në Shqipëri.
Por çështja u rrëzua më 2009, para se prokurorët të zbulonin origjinën e parave dhe të mund të vendosnin nëse çështja kërkonte hetime të mëtejshme, për shkak se kërkesat për informacion nga Qipro dhe Bosnja nuk morën përgjigje. Fazlliç, një aleat i ngushtë i ish-kryeministrit Berisha, thotë se ai është i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Në botën e errët të parajsave fiskale, pronarët e vërtetë shumë rrallë shfaqen në dokumentet zyrtare falë ushtrive të kompanive guackë, avokatëve dhe ndërmjetësve të tyre.
E njëjta gjë është e vërtetë dhe për Fazlliç dhe Lazareviç, të cilët përdorin shumë metoda ligjore për të fshehur pronësinë dhe pasurinë e kompanive.
Pavarësisht thashethemeve të vazhdueshme, asnjëri nga të dy nuk ka pranuar më herët se po punojnë bashkë, madje Fazlliç, gjatë një interviste të dhënë në vitin 2008, shkoi deri aty sa mohoi çdo lidhje me kompaninë hollding të Lazareviç, Rudnap.
Duke përdorur dokumente zyrtare të kompanive nga Moska në Qipro, si dhe një dosje me mbi 1 mijë faqe çështjesh gjyqësore, investigimi ynë tregon se si paratë janë lëvizur përmes parajsave fiskale, përfshirë St Vincent dhe Grenadines, përmes Zvicrës deri në Shqipëri, për të blerë tokë për dy projektet gjigande energjetike.
Kjo pronë e patundshme, e mbajtur nga dy kompani “guackë” të regjistruara në Tiranë, u transferua më pas në parajsën fiskale të Qipros përmes një serie transaksionesh të cilat fshehën pronësinë e saj të vërtetë.
Në mënyrë të pazakontë, Fazlliç dhe Lazareviç shfaqen si bashkëpronarë të një kompanie me bazë në Qipro – Poligraf Intests Ltd.
Kjo kompani qe krijuar për të patur aksione në kompaninë Petrol Slovenia Tirana Wholesale, 55% e së cilës është nën pronësinë e Petrol dd, kompanisë më të madhe energjetike të Sllovenisë, ndërsa pjesa tjetër është nën pronësinë e Poligraf Invests Ltd, kompani e kontrolluar nga Fazlliç-Lazareviç.
Dokumentet zyrtare të Petrol Slovenia Tirana Wholesale tregojnë se kompania planifikonte të blinte apo të ndërtonte impjante për gaz dhe naftë, si dhe synonte të investonte në pronat e Fazlliç në Porto Romano, para se ajo të likujdohej në vitin 2011.
Fazlliç e shpalli gjithashtu veten pronar të dy kompanive guackë në Shqipëri, Crown Acquisitions dhe Alpha Shpk, një vendim për të cilin tashmë thotë se është bërë pishman.
Në një intervistë ekskluzive, ai i tha BIRN se dëshironte të kishte fshehur më mirë përzjerjen e tij duke përdorur avokatë ndërmjetës për të blerë tokën.
“Mendoni se, pasi më keni njohur, pasi keni parë se çfarë kam bërë në jetë, unë nuk do mund të kisha fshehur veten time dhjetë herë, në mënyrë që askush as të mund të ëndërronte përfshirjen time?” pyeti ai.
“Unë mund ta kisha bërë atë në mënyrë që ju djem as të mos e dinit ku fillonte apo ku mbaronte. Unë mund ta kisha bërë në atë mënyrë që ju djem as të mos e dinit fare se nga erdhën paratë.”
Marrëveshje të parregullta
Prokurorët hapën hetim mbi pastrimin e mundshëm të parave në Tetor 2008 pasi u zbuluan detajet për shitjen e kompanisë Crown Acquisitions të Fazlliç te një kompani e regjistruar në Qipro, Altaria Research Limited, e regjistruar përmes një numri ndërmjetësish të cilët janë të lidhur ngushtë me Lazareviç.
Altaria Research Limited pagoi 1.75 milionë euro, pavarësisht se kompania shqiptare ishte ende e paregjistruar te autoritetet fiskale dhe dukej se ishte joaktive.
Hetuesit më vonë zbuluan se ai pa zhurmë kishte blerë nëntë hektarë tokë me vlerë 1.35 milionë euro, të blera përmes një serie transaksionesh kesh, duke përdorur para që qenë depozituar në llogarinë personale bankare të Fazlliç në një parajsë fiskale.
BIRN zbuloi se 1.5 milionë euro qenë dërguar te llogaria private bankare e Fazlliç nga Pluto International, një kompani e regjistruar në parajsën fiskale të Karaibeve, St Vincent dhe Grenadines. Paratë u tërhoqën kesh për të blerë nëntë hektarë tokë.
Pluto International është nën pronësinë e Vojin Lazareviç, biznesmeni i tetë më i pasur i Serbisë, i cili ka asete dhe para të thata prej mbi 170 milionë eurosh, sipas të dhënave zyrtare nga Banka Qendrore e Rusisë. Informacioni është publikuar më herët për shkak se Pluto International është pjesërisht pronar i bankës ruse Euroaxis.
Pluto International pati një rol kyç në blerjen e vitit 2004 të Bankës Kombëtare të Kursimeve të Serbisë, blerje që sot është nën hetim për korrupsion. Hetimi po vijon dhe prokurorët së fundmi kanë marrë në pyetje ish-ministrin e financave dhe kreun e Bankës Qendrore të Serbisë, Mlladjan Dinkiç. Lazareviç nuk është përmendur nga prokurorët.
Rreth 950 mijë euro të tjera u depozituan në llogarinë personale të Fazlliç më vonë më 2007 nga Irongold Services Limited, e cila është nën pronësinë e Lazareviç përmes një serie entesh të regjistruara nëpër parajsa fiskale, përfshirë Pluto International.
Paratë e depozituara nga Irongold Services u tërhoqën kesh nga avokatja e Fazlliç, Flutura Kola, në mënyrë që të bliheshin pesë hektarë të tjera toke në Porto Romano për kompaninë e tij Alpha Shpk.
BIRN nuk ka gjetur prova që të sugjerojnë se investimi i Lazareviç ishte i paligjshëm, për shkak se oligarku serb i energjisë nuk është marrë kurrë në pyetje mbi origjinën e fondeve apo pse ai zgjodhi të kanalizojë paratë te Fazlliç, duke qenë se prokurorët shqiptarë hoqën dorë nga hetimi.
Shitje e dyshimtë
Fazlliç shiti Crown Acquisitions, e cila kishte nën pronësi tokë me vlerë 1.3 milionë euro, te Altaria Research Limited për 1.75 milionë euro.
Në intervistën e tij të vetme televizive pas shpërthimit të skandalit, Fazlliç i tha në tetor 2008 televizionit Klan, i cili qe bindshëm pro-Berishës, se ai kishte nën pronësi kompaninë qipriote dhe bëri shitjen vetëm me synimin për të riorganizuar asetet e tij. Çmimi, tha ai, reflektonte saktë “bilancin e kompanisë”, pra ai nuk realizoi fitime.
Por kur u pyet nga prokurorët më 2009, ai e ndryshoi pozicionin, duke refuzuar të zbulonte pronësinë e Altaria Research, sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga BIRN.
“Me Altarian, ne kemi projekte të përbashkëta, veçanërisht në sektorin e pronave të patudshme”, pretendoi ai duke shtuar: “Unë nuk mund të them se cilët janë pronarët e kësaj kompanie për shkak se unë kam plane biznesi me ta dhe kam frikë nga konkurrenca”.
Altaria Research është pronari i vetëm i Rudnap Group, kompania hollding e Lazareviç që bashkon një numër të madh biznesesh me xhiro vjetore prej 600 milionë eurosh në vit. Krahu i saj më fitimprurës është industria kontroverse energjetike në Ballkan, një sektor i mbushur me aludime për korrupsion.
Megjithëse pronësia e Altaria Research është fshehur përmes një serie kompanish nëpër parajsa fiskale, kontrolli i Lazareviç mbi Rudnap Group dhe Altaria Research është përtej çdo dyshimi.
Pas shitjes së Crown Acquisitions, Fazlliç, Lazareviç dhe Sandra Berberovic, drejtoresha ekzekutive e Rudnap Group, u bashkuan në bordin mbikëqyrës të kompanisë.
Pavarësisht të gjithë kësaj, në të njëjtën invervistë në televizionin Klan, Fazlliç mohoi të kishte lidhje me Rudnap. Ai këmbënguli se “ka absolurisht zero kontakte apo interes financiar te Rudnap”.
Fazlliç qe më i sinqertë mbi lidhjet e tij me Lazareviç kur foli me BIRN këtë qershor – intervista e tij e parë në shtatë vjet.
Fazlliç mohoi lidhjen me Lazareviç ‘nën presion’
Kur u përball me informacionet e detajuara të kompanisë të marra nga Qipro, ai pranoi se qe bërë pronar “50% me 50%” te Crown Acquisition dhe Alpha me Lazareviç, pas shitjes së tyre te Altaria Research Limited.
Ai tha se fillimisht, më 2008, e kishte përshkruar Altaria Research si “kompaninë e tij” për shkak se qe “nën presion”. Intervista e tij televizive kishte ndodhur pasi ai qe sjellë në Tiranë me kërkesë të Berishës për t’iu përgjigjur kritikëve të tij.
Pasi arriti në Shqipëri, u zbulua se hetimi për pastrim parash sakaq qe hapur dhe Fazllic kërkohej për t’u marrë në pyejte.
Fazlliç shtoi se ndërsa ai ishte bashkëpronar i Crown Acquisitions dhe Alpha Shpk me Lazareviç ai nuk ka lidhje me kompanitë e tjera të Lazareviç, përfshirë sektorin fitimprurës në tregtisë së energjisë elektrike.
Rudnap pati siguruar dhjetëra milionë euro nga tenderët e financuar me paratë e taksapaguesve për të shitur energji elektrike në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. BIRN mundi të zbulojë se si pjesë të hetimit për pastrimin e parave prokurorët siguruan edhe dokumente të lidhura me këto marrëveshje.
Fazlliç është i lidhur dhe me një kompani tjetër, Rudnap Construction Albania e cila, sipas faturave të siguruara nga BIRN, ka komisionuar punë në tokën e tij në Porto Romano.
Por Fazlliç këmbëngul se ai kurrë nuk ka lobuar apo punuar për Rudnap, pavarësisht lidhjeve të ngushta me kompaninë dhe pronarët serbë të saj.
“Unë nuk kisha asgjë të bëja me të [tregtinë e energjisë elektrike], asgjë”, tha Fazlliç për BIRN. “A e njoh unë atë [Lazareviç]? Po. A është ai miku im? Po. Por [ne kemi] një sipërmarrje të përbashkët dhe kjo është Crown dhe Alpha.”
Jeta luksoze e Damir Fazlliç
Dokumenta zyrtar fluturimi të siguruara nga BIRN tregojnë se biznesmeni Damir Fazlliç, udhëtoi 50 herë me avion privat drejt Shqipërisë dhe anasjelltas, midis viteve 2005 dhe 2008, për një kosto që vlersohet në 500.000 euro.
Nuk dihet se me cilën kompani ajrore nga Ballkani Fazlliç ka fluturuar, por Boshnjaku ishte në bordin e nje avioni të kompanisë Prince Aviation, me qëndër në Beograd, kur u përfshi në një aksident në vitin 2010.
Aeroplani ishte nisur nga Tirana dhe po fluturonte drejte ishullit Brac, në Koraci, në mënyrë që pasagjerët, sipas raportimeve lokale, të imbarkoheshin në jahtin e Vojin Lazareviç, një nga më të mëdhenjtë në Ballkan.
Avioni Cessna u përplas kur doli nga pista por askush nga pasagjerët në bord nuk u lëndua.
Sipas detajve të publikuara në bilancet e pesë vitevë të fundit, Grupi Rudnap, kompania hollding e Lazareviçit në Serbi, i ka dhënë një kredi prej 150,00 euro kompanisë Prince Aviation.
Gazi argjilor dhe Clark
Fazlliç dhe Lazareviç tashmë po kërkojnë një partner të ri biznesi me 30 milionë euro për të investuar në një “fermë tankerash” në Porto Romano pasi investitorët e tyre fillestarë u tërhoqën.
Mckenzie, një nga kompanitë e konsulencës më të mëdha në botë, është sjellë për të ndihmuar për të gjetur një investitor.
BIRN ka mundur të zbulojë se Fazlliç ka patur bisedime me gjeneralin e mirënjohur të SHBA-ve, Wesley Clark, mbi investimin në një qendër për gazin argjilor në Shqipëri.
Fazliç tha: “Ka jashtëzakonisht shumë nevojë për të [një fermë tankerash]. Ajo do të stabilizojë furnizimin [me energji] në Shqipëri për shkak se projekti im është kaq i madh, dhe ai do të jetë në gjendje, krejt vetëm, të furnizojë 50% ose gjysmën e tregut.”
Ai shtoi se për të çuar përpara këtë projekt, ai po shikonte mundësinë që të shfrytëzonte kontaktet e tij të ngushta në Uashington DC.
“Gjëja tjetër që unë dua të bëj është ta bëj Shqipërinë një qendër për LNG (Gazin Natyror të Lëngëzuar] argjilor nga SHBA-të”, i tha Fazliç BIRN.
“Dhe unë po flas me disa partnerë potencialë nga SHBA për shkak se tashmë në SHBA, dhe kudo gjetkë në botë, e gjitha kjo është e udhëhequr politikisht.”
“Politikisht ata duan të kenë një gjurmë në atë treg kështu që, dukshëm, Rusia të mos jetë kaq me ndikim.”
Fazliç tha se ka folur me Wesley Clark – i parë si një figurë me ndikim në Tiranë dhe Prishtinë për shkak të rolit të tij si komandanti suprem i Aleatëve të NATO-s me detyrën për të mbrojtur shqiptarët etnikë gjatë konfliktit të Kosovës.
“Wesley është dikush me të cilin unë kam bashkëpunuar dhe vijoj të bashkëpunoj,” tha Fazlliç. “Unë nuk kam një partner, por unë jam duke folur me njerëz dhe, po, unë fola me Wesley për shkak se ai është në bordin e një kompanie që mund ta bëjë këtë.”
Me kontaktet mbresëlënëse të Fazlliç dhe me pasurinë e Lazareviç, shumë pak vetë mund të përjashtojnë mundësinë e realizimit të një plani kaq të guximshëm biznesi.
Më pak sjellje të orientuar nga konsumi, dhe më shumë drejt riciklimit. Komisioni Europian ka vendosur rregullore të reja për mbeturinat duke kërkuar rritjen e kuotave të ricklimit për të mundësuar kalimin në një ekonomi qarkulluese, një ekonomi që të bazohet tek ricklimi, shkruan Dojçe Vele.
Ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj në Johanesburg në moshën 90 vjeçare shkrimtarja afrikano-jugore Nadine Gordimer, fituese e çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 1991 dhe angazhuar në luftën kundër apartejdit.
Avokati i Popullit, Igli Totozani priti të martën në një vizitë zyrtare, homologen e tij, Avokaten e Popullit të Greqisë, Calliope Spanou.
“Gjatë takimit, ndër të tjera është për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit në të mirë të qytetarëve të të dy vendeve respektive.
Në mënyrë të veçantë theksi është vënë tek fëmijët që kalojnë kufirin të pashoqëruar nga prindërit në mënyrë ilegale.
Gazeta gjermane Der Spiegel shkruan se kancelarja Angela Merkel është e gatshme të japë dorëheqje nga posti i saj, para se të përfundojë mandatin e ri qeverisës. Arsyeja, shumë e fortë: Ajo mund të bëhet Presidente e Këshillit Europian ose Sekretare e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Në një intervistë për revistën Java, ministri i Drejtësisë Nasip Naço shpjegon pakënaqësinë e tij ndaj mënyrës skandaloze sesi funksionon sot Këshilli i lartë i Drejtësisë. Naço jep për shembull operimin e KLD-së në plotëssimin e vendeve vakante.
Pas një hetimi të gjatë, një operacion i policisë së Durrësit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka përfunduar me arrestimim e tre personave si dhe sekuestrimin e shtatë minave me celular.
Eduart Halimi, deputet i Partisë Demokratike, deklaroi se në Prokurorinë e Përgjithshëm janë depozituar “dy kallzime penale për dhunën e ushtruar në Parlament nga deputetët Ndreu dhe Ndoka”.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar kanë prezantuar paraditen e së hënës arritjet e qeverisë në 300 ditët e para të saj.
Në fjalën e tij, zoti Rama theksoi se “gjithçka që është arritur në këto 300 ditë nuk është merita jonë, por e të gjithë atyre që në 23 qershor, me votën e tyre, investuan tek ky projekt fitues”.
Kryeministri tha: “Në këto 300 ditë arritëm diçka fare të thjeshtë, por që dukej e pamundur para 300 ditësh: asnjë sipërmarrës nuk ndihet më në vështirësi me qeverinë për shkak të përkatësisë së tij politike dhe asnjë media nuk vihet në vështirësi për shkak të bindjeve politike.”
Edi Rama u shpreh se qeveria ka vendosur më në fund marrëdhënie etike me institucionet e pavaruara: “Nuk jemi të lumtur me Presidentin e Republikës, nuk jemi të lumtur me Prokurorin e Përgjithshëm, por nuk i diskretitojmë institucionet që ata drejtojnë. Nuk jemi të lumtur me KLD-në, por mandati që na është dhënë na imponon të kemi marrëdhënie etike me të.”
Në lidhje me statusin e vendit kandidat, kryeminstri deklaroi se pa punën e qeverisë aktuale, Shqipëria do ishte ende në pritje të tij: “Statusin e kandidatit Shqipëria nuk do e kishte marrë pa luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe pa rikthimin e Policisë së Shtetit në krye të detyrës. Lazarati tashmë është një fshat si gjithë të tjerët dhe vendi ynë ka hequr njollën e një vendi ku lulëzon droga.
Ia dhamë statusin Shqipërisë nëpërmjet dinjitetit, duke mos e kërkuar atë si lëmoshë e duke mos e lidhur me qëllimet tona si qeveri apo me përmbajtjen e punës sonë, por duke argumentuar me seriozitet të drejtat dhe arsyet e forta pse Europa duhet t’i shohë shqiptarët jo si problem, por si një aset të çmuar.”
Rama premtoi gjithashtu se qeveria e tij do i mbajë të gjitha premtimet që ka bërë në fushatë elektorale: “Do t’i mbajmë një për një të gjitha premtimet dhe nëse nuk mbajmë ndonjë prej tyre, do ia shpjegojmë shqiptarëve arsyet pse nuk e kemi mbajtur duke ia lënë atyre në dorë nëse neve na ka munguar vullneti apo mundësia.”
Në fund, kryeministri Edi Rama, u shpreh qartë edhe për reformën në drejtësi: Tmerrohem kur zyrtarë të lartë të vendeve të huaja e njohin Gjin Gjonin me emër. Pse një Aleancë e tërë e njeh një farë Gjin Gjoni dhe e shtron si problem? Rezistenca do të jetë shumë e fortë, por reformën do e çojmë deri në fund. Edhe opozita kërkon drejtësinë e barabartë, por sa më shumë opozita mungon në takime, aq më shumë duken si mburoja e Gjonëve dhe Gjinëve të drejtësisë shqiptare.”
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati: Arritëm objektivin e marrjes së statusit kandidat. Do të punojmë që trupi diplomatik të qëndrojë larg politikës.
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha – Procesi i integrimit kërkon një punë të madhe dhe të palodhur. Statusin ia dedikoj të gjithë shqiptarëve të cilët na kanë vendosur para një përgjegjësie të madhe. Kemi përfunduar planin kombëtar për integrimin europian 2014-2020, ky plan do e përafrojë vendin tonë me ligjet e BE-së.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri – Pavarësisht vështirësive, kemi arritur të kthejmë në detyrë Policinë e Shtetit. I kemi rikthyer dinjitetin Policisë dhe i kemi garantuar më shumë siguri qytetarëve. Kemi shembur murin e pandëshkueshmërisë duke dënuar të “paprekshmit”. Vendosëm sundimin e ligjit në Lazarat dhe vendi nuk ka më zona ku nuk vlen forca e ligjit.
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço – Jemi angazhuar për të hapur një faqe të re të sundimit të ligjit. Do i sjellim transparencë dhe besueshmëri publikut.
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj – Hapëm rrugën për një model të ri ekonomik. Gjetëm një ekonomi të paralizuar për shkak të borxheve. Frenimi i rënies ekonomike ishte prioriteti ynë në muajt e parë. Raportet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se konsumatorëve u është rikthyer besimi. Fuqia blerëse është rritur, ashtu siç është rritur edhe tregtia me jashtë.
/ Top Channel
Papa Françesku për herë të parë publikon të dhëna, te cilat tregojnë se “rreth 2%” të klerikëve të Kishës Katolike janë pedofilë. Në një intervistë për gazetën italiane ‘La Repubblica’, Papa tha se abuzimi i fëmijëve e ka infektuar Kishën. Ai u zotua se fajtorët do të përballen me masat e ashpra që u takojnë.
Sheshi ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, do i nënshtrohet një restaurimi tërësor dhe kjo do të ndodhë me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri në 21 shtator.
Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland në vizitën e saj në Shqipëri është pritur nga drejtuesit e institucioneve kryesore të vendit. Ajo është pritur nga Kryetari i Kuvendit, nga Presidenti Nishani, Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.
Raporti i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike saktëson se 30-40% të të punësuarve në Shqipëri nuk paguajnë asnjë taksë ndaj shtetit çka ka sjellë reduktim të kontributeve shoqërore si dhe zhvillimin e një konkurrence të pandershme mes bizneseve. Milva Ikonomi, eksperte në ekonomi, përmes një analize sqaron se nga viti 2007 në 2012 bizneset nuk kanë ulur pagat edhe pse nuk kanë rritur investimet, çka ka ndihmuar në kapërcimin e krizës më lehtë.
“Po flasim për shkallën e gape-t midis atyre që kanë qenë të punësuar dhe atyre që kanë qenë kontribues. Në vitin 2007 shkalla e gape-t ishte 12%, ndërsa në vitin 2012 shkoi 40%. Në Shqipëri mbizotëron ndërmarrja e vogël, me pak punonjës, biznesi me lidhje nepotike. Pikërisht kjo ka shërbyer për të mos lejuar rënien e pagave në sektorin privat”, shpjegon zonja Ikonomi.
Milva Ikonomi sqaron se shumë biznese në Shqipëri janë me lidhje familjare, çka ndikon që shpesh vendimet të mos jenë të drejta: “Kur ndërmarrja realizon bilancin e vet ekonomik, ka gjithmonë parasysh që një pjesë të fitimit ta çojë drejt fondit të pagave dhe një pjesë ta lërë për të bërë investime. Shumë vende të rajonit ulën pagat e punonjësve dhe jo investimet, ndërsa në Shqipëri nuk u ulën pagat në kohën e krizës.”
Sipas raportit, pagat në sektorin publik janë mesatarisht 25% më të larta se pagat në përgjithësi. Pothuasje 60% e të punësuarve përfitojnë nga të ardhurat të barabarta me pagën minimale. Transporti dhe telekomunikacioni kanë pagën më të lartë, me një mesatare prej 55 mijë lekësh, më pas vjen industria dhe ndërtimi me 35 mijë dhe në fund është sektori i shërbimeve.
/ Top Channel/
Marrë nga top-channel.tv
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.