Partia e opozitës së qendrës së djathtë ‘Të zakonshmit’ pretendoi fitoren në zgjedhjet parlamentare në Sllovaki, të mbajtura gjatë ditës së djeshme.
Partia fitoi 25% të votave dhe 53 vende në parlamentin me 150 vende, në një lëvizje që drejtoi vendin drejt qendrës së djathtë, sipas rezultateve të lëshuara nga Zyra e Statistikave.
Sllovakia është e dominuar nga populistët socialdemokratë të së majtës SMER-SD, të udhëhequr nga ish-kryeministri Robert Fico, që nga viti 2006. Në zgjedhjet e vitit 2016, partia e majtë fitoi 28.3% të votave pasi bëri fushatë në thirrjet anti-emigracion.
Këtë herë, partia SMER-SD u rendit e dyta me 18.3% të votave, duke fituar vetëm 38 vende.
Që nga vrasja e gazetarit Jan Kuciak në shkurt 2018 – i cili kishte hetuar keqpërdorimin e fondeve të BE-së në Sllovaki, mashtrimet e taksave dhe lidhjet e pretenduara midis zyrtarëve qeveritarë dhe mafies italiane, popullariteti i partisë populiste ra.
Pas vrasjes së Ján Kuciak, ndodhi një përparim masiv në një pjesë të shoqërisë, duke i dhënë mandatin qeverisës qendrës së djathtë, me playformën e tyre anti-korrupsion.
Vendi tashmë pritet të qeveriset nga një qeveri e djathtë, ku në koalicion priten të përfshihen dhe zëra ultra-konservatorë, përkrahës së politikave të Marine le Pen në Francë.
Analistët e shohin si sinjal pozitiv largimin e populizmit të majtë,por janë ende të paqartë për qëndrimet që konservatorët pritet të kenë, duke shtuar dhe mungesën e një orientimi të qartë të koalicionit, për aq kohë sa populistët e djathtë priten të ftohen në qeverisje.
Drejtuesi i partisë “Të Zakonshmit”, Igor Matovic, pro-perëndimor, deklaroi se do krijonte qeverisjen më të mirë në Sllovaki, me masa të forta kundër korrupsionit dhe afrim më të madh me Brukselin, por me çfarë çmimi?
Pritet ende për tu parë reagimi i të djathtëve përkrahës së Le Pen, nëse do pranojnë ofertën qeverisëse ose jo, e cila mund të formojë dhe numrat e nevojshëm në Parlament për ndryshime kushtetuese që priten të ndërmerren në sistemin gjyqësor.