55 miliardë euro nga turizmi LGBTQ+ në Evropë. Po Shqipëria?

Turizmi global po ndryshon, dhe një ndër segmentet me rritje më të shpejtë është ai i udhëtarëve LGBT. Vetëm në vitin 2023, sipas të dhënave të ELTA (European LGBTQ+ Travel Alliance), ky treg gjeneroi 55 miliardë euro të ardhura në Evropë, duke përfshirë më shumë se 67 milionë turistë LGBT. Për Shqipërinë, e cila po përjeton një rritje historike në sektorin e turizmit, ky është një sinjal i fortë: përfshirja e këtij segmenti mund të jetë jo vetëm një model zhvillimi, por edhe një mundësi për t’u pozicionuar si një destinacion gjithëpërfshirës në Ballkan.
Çfarë është turizmi LGBT?
Turizmi LGBT, shpesh i quajtur edhe “turizëm rozë”, i referohet shërbimeve dhe eksperiencave turistike të ofruara për anëtarët e komunitetit LGBTQ+. Këto përfshijnë nga pushime relaksuese e evente kulturore, deri te aktivitete natyrore, netë argëtimi dhe festivale të dedikuara si ”Pride”.
Çelësi i suksesit?
Siguria, mirëpritja dhe vizibiliteti.
Udhëtarët LGBT përfaqësojnë një segment me fuqi të lartë blerëse. Shpesh janë çifte me dy të ardhura dhe pa fëmijë, që udhëtojnë shpesh dhe shpenzojnë më shumë se turistët tradicionalë. Për më tepër, ata janë të njohur për besnikëri ndaj destinacioneve që i mirëpresin, duke i rikthyer shpenzimet e tyre vit pas viti.
Shembuj nga bota
Shtete si Tajlanda kanë ndërtuar strategji të tëra për të tërhequr turistët LGBT, si fushata “Go Thai. Be Free”, që promovon pushime pa paragjykime. Ishuj si Mykonos apo qytete si Madrid, Tel Aviv dhe Sitges janë kthyer në pika referimi për këtë treg, duke ofruar infrastrukturë të përshtatur, staf të trajnuar dhe marketing të përkushtuar.
Hotele ndërkombëtare si “Preferred Hotels & Resorts” kanë krijuar programe të certifikuara “LGBT-friendly”, ndërsa platformat si “QueerVadis” ofrojnë vlerësime për destinacionet më mikpritëse për komunitetin. Kjo tregon se nuk mjafton vetëm reklama; mikpritja duhet të jetë e mirë, e trajnuar dhe e strukturuar.
Shqipëria dhe potenciali i pashfrytëzuar
Në 2024, Shqipëria regjistroi mbi 7 milionë turistë vetëm në 8 muajt e parë. Ndërkohë që turizmi bregdetar dominon, strategjia kombëtare për vitet 2024–2030 thekson nevojën për diversifikim të ofertës turistike.
Këtu hyn në lojë turizmi LGBT, si një segment me potencial të madh ekonomik dhe social.
Edhe pse Shqipëria nuk ka ende evente të mëdha ndërkombëtare apo politika të strukturuara për këtë treg, fillimet janë të mundshme: evente të vogla kulturore, trajnime për operatorë turistikë, promovim në rrjete ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha, ndërtimi i një kulture mikpritjeje për këtë segment turistik.
Për komunitetin LGBT në Shqipëri, kjo nuk është një mundësi për zhvillim ekonomik, vetëpunësim dhe përfaqësim. Hapja e bizneseve të dedikuara, krijimi i eventeve dhe përfshirja në zinxhirin turistik mund të shërbejnë si një model biznesi që fuqizon komunitetin.
Në një kohë kur turizmi është një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, mosadresimi i një tregu miliarda-euroshe si ai LGBT do të ishte një mundësi e humbur.
Shqipëria mund të jetë e vogël në hartë, por me vizionin e duhur, mund të bëhet një destinacion i madh për një komunitet që kërkon vetëm një gjë: të ndihet i mirëpritur.