Krah për Krah

Për paradën e Krenarisë sot, nisëm herët në mëngjes me përgatitjet për stendat, brohorimat, instrumentet, flamujt e pankartat, me sytë nga qielli për retë që linin hije për dyshim, por edhe mendjen e kthjellët e nxitjen për të bërë një punë të jashtëzakonshme.
Vajza, gra, djem, e burra, individë, aleatë, trupa diplomatike e zyrtarë shtetërore iu bashkuan kësaj dite fort të rëndësishme në kalendarin e ylbertë. Në biseda paraprake para çeljes zyrtare, duke vizatuar flamuj e duke kënduar këngën ikonë të riformatuar të Shkodrës Elektronike e gjithë atmosfera ishte elektrizuese dhe veç pozitive.
Pas tingujve energjizues të Lura Elezit, rradhën e patën Livia Zotrija për të bërë hapjen zyrtare, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Z. Silvio Gonzato, Suela Lala si përfaqësuese e aktiviste e komunitetit të para-tetraplegjikeve në Shqipëri, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, dhe Edlira Mara aktiviste e hershme e të drejtave LGBT+ në Shqipëri. Të gjithë në cilësinë e mbështetjes së qenësishme për komunitetin LGBT+, dhe të punës për të përparuar në zhvillimin e të drejtave.
”Familje shqiptare, nuk ka dhuratë më të madhe se pranimi. Zgjedhja është e juaja, të bëheni mburojë apo plagë”.
Livia Zotrija
“Përkushtimi ynë nuk është më i dobët dhe fëmijët tanë meritojnë siguri dhe mbrojtje ashtu si çdo fëmijë tjetër në këtë vend. Ju pyes: çfarë mund të jetë më tradicionale se dashuria ndaj fëmijëve të tu?“
Edlira Mara
“Unë kam dy miq amerikanë të cilët vinë hanë drekë darkë në familjen time, sepse unë nuk mendoj që familja e Xhimit dhe e Rikardos përbën kërcënim për familjen time.”
Suela Lala
Nën këto citime të fjalimeve të aktivisteve të komunitetit LGBT+ dhe jo vetëm në Shqipëri, kishte edhe fjalë të tjera për të cilat një përgjegjësi e madhe i vihet institucioneve shtetërore për përmirësimin e infrastrukturës për respektimin e të drejtave të njeriut.
Dhe me ambicien tonë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian deri në 2030 Ambasadaori Gozato nënvizoi Nenin 2 të Traktatit Themelor të BE, pikerisht duke iu referuar për respektin ndaj orientimit seksual dhe gjinisë.
Bashkimi është themeluar mbi vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave.
Këto vlera janë të përbashkëta për shtetet anëtare në një shoqëri ku mbizotërojnë përfshirja, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia ndërmjet grave dhe burrave.
Me hapa të ngadaltë drejt BE, por me shpresën të sigurt, Parada vazhdoi nga Reja drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit, ish-Bllokut, sheshit Nënë Tereza për tu përmbullur para Kryeministrisë ku në shenjë simbolike pat edhe një lënie të pankartave dhe flamujve, si një nga insitucionet kryesore prej ku nis llogaridhënia për një jetë dinjitoze.

Kjo paradë ishte e qetë, siç edhe u nis krah për krah, për të kërkuar Liri, Barazi e Siguri.