Çelet Java e Krenarisë në Prishtinë sot, por ku diferencon mbështetja nga institcionet e shoqëria?

Java e Krenarisë në Prishtinë ka nisur zyrtarisht më 9 qershor, me një seri aktivitetesh që do të zgjasin deri më 14 qershor. Me moton e këtij viti “No Step Back” (“Asnjë hap mbrapa”), komuniteti LGBTQ+ në Kosovë dhe mbështetësit e tij i kanë dhënë start një jave të mbushur me diskutime, art, aktivizëm dhe ngjarje kulturore që synojnë të ngrenë zërin për të drejtat e barabarta.

Ngjarja u hap në mënyrë simbolike në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, duke treguar një nivel të lartë mbështetjeje institucionale. Pjesëmarrja e zyrtarëve qeveritarë, përfaqësuesve të ambasadave dhe aktivistëve e bëri hapjen e Javës një akt të fortë politik dhe shoqëror.
Të rinj, artistë dhe përfaqësues të komunitetit LGBTQ+ u mblodhën për të dërguar një mesazh të qartë: nuk ka më vend për urrejtje dhe diskriminim.
Java e Krenarisë përfshin aktivitete të ndryshme si ekspozita artistike, trajnime, diskutime publike, masterclass mbi urrejtjen online, performanca drag dhe koncertin përmbyllës pas Paradës së Krenarisë. Të gjitha këto janë të hapura për publikun dhe mediat, duke e kthyer qytetin në një hapësirë të lirë për shprehje, respekt dhe diversitet.
Për dallim nga vende të tjera të rajonit, Prishtina po jep një shembull se si një qytet mund të jetë mikpritës dhe progresiv. Në vitet e fundit, liderët më të lartë të shtetit, përfshirë Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, kanë marrë pjesë në Paradën e Krenarisë, duke dhënë një mesazh të rëndësishëm për gjithë shoqërinë.
Edhe pse të drejtat ligjore për çiftet e të njëjtit seks mbeten ende të paplotësuara, përfshirja e institucioneve në ngjarje si Pride është një hap përpara drejt një shoqërie më të barabartë. Këtë vit, përmes motove të fuqishme dhe pjesëmarrjes së gjërë, komuniteti LGBTQ+ në Kosovë tregon se është më i vendosur se kurrë për të kërkuar të drejtat që i takojnë me dinjitet dhe guxim.
Ndërkohë, sytë janë edhe nga Shqipëria, ku lëvizja Pride po rritet, por pa të njëjtin nivel të përfshirjes politike.
Për axhendën e plotë: https://prishtinapride.org/sq/ngjarjet