Kush e mbajti pishtarin e urrejtjes për majin?

“Shëmtaraqi i muajit në Ballkan” është një individ, një grup individësh ose një media që përhap urrejtje bazuar në gjini, etni, fe apo kategori të tjera të diversitetit. Ky personazh zgjidhet në bazë të incidenteve të gjuhës së urrejtjes të identifikuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor nga Rrjeti raportues I diversitetit të ballkanit.
Gjatë një takimi elektoral të Partisë Socialiste (PS) në Fier, kandidatja e PS-së, Zegjine Çaushi, tallet publikisht me kundërshtarin e saj politik, Gazment Bardhi, kandidat i Partisë Demokratike (PD). Ajo përdori një gjuhë denigruese duke duke aluduar për feminilitetin dhe duek folur në mënyrë ironike për orientimin e tij seksual. Në komentet e saj, të thëna në mënyrë tallëse nga podiumi dhe të regjistruara në video, përfshiheshin fraza si “je i përdredhur shumë, je balerin që vetëm tundesh”, dhe iu referua me sarkazëm duke e quajtur “Gazi i Zegjinesë”, një pseudonim i feminizuar që nënkupton nënshtrim ose tallje.
Ky incident ndodhi gjatë një mitingu elektoral të profilit të lartë të PS-së, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili dukej se po argëtohej me komentet e bëra, duke qeshur haptazi dhe duke miratuar gjuhën tallëse. Për më tepër, videoja u shpërnda gjerësisht në internet dhe u transmetua nga disa media kombëtare, duke përforcuar kështu normalizimin e një retorike të tillë përbuzëse, çka ngre shqetësime serioze mbi diskriminimin dhe etikën e komunikimit politik.
Ky rast përfaqëson një shembull të qartë të insinuatave homofobike dhe përçmimit me bazë gjinore gjatë një fushate elektorale. Duke u tallur me kundërshtarin nëpërmjet përdorimit të gjuhës së feminizuar dhe duke aluduar për tërheqjen seksuale të të njëjtit seks, kandidatja nuk e sulmoi thjesht në mënyrë personale, ajo përforcoi stereotipe të dëmshme lidhur me maskulinitetin, orientimin seksual dhe perceptimin mbi atë se kush është “i përshtatshëm” për të drejtuar. Një gjuhë e tillë stigmatizon cilësi që devijojnë nga normat tradicionale dhe përçon mesazhin se feminiteti apo homoseksualiteti janë dobësi politike.
Ky nuk është rast i izoluar, por pjesë e një modeli më të gjerë të retorikës homofobike dhe denigrimit të bazuar në gjini që shpesh shfaqet në fushatat elektorale. Gjatë periudhës së zgjedhjeve, kandidatët shpesh kanë përdorur gjuhë ofenduese dhe sensacionale për të fituar pikë politike apo për të tërhequr vëmendjen. Nga ana tjetër, as media dhe as publiku nuk reagojnë në mënyrën e duhur.
Mediat zgjedhin t’i amplifikojnë këto momente pa një analizë kritike editoriale, shpesh duke i trajtuar ato si argëtuese, tërheqëse apo përmbajtje virale. Mbulimi mediatik në përgjithësi mungon në vendosjen e një kornize kritike, duke përdorur tituj që përqendrohen tek spektakli dhe humori i incidentit, në vend që të sfidojnë retorikën dhe diskursin që po ndodh. Ky lloj trajtimi nuk është neutral përkundrazi, ai përforcon narrativat problematike në shoqëri dhe i normalizon ato.
Ndërkohë, audienca në internet i përsërit dhe i përshkallëzon më tej këto diskurse, çka shihet qartë edhe në komentet misogjene dhe homofobike që shfaqen online.
Për më tepër, fakti që figura të larta politike, duke përfshirë edhe Kryeministrin reagojnë duke qeshur apo duke e inkurajuar këtë lloj retorike, është shumë shqetësues. Në vend që të përdorin pozicionin e tyre për ta kundërshtuar dhe dënuar menjëherë një diskurs kaq të dëmshëm, mungesa e reagimit dhe pasiviteti i tyre pasqyrojnë një pranim të thellë të kësaj retorike.
Mungesa e përgjegjësisë në çdo nivel jo vetëm që nxjerr në pah dështime sistemike, por edhe krijon hapësirë që gjuha diskriminuese në komunikimin politik të bëhet e zakonshme dhe legjitime. Të gjitha këto krijojnë një rreth vicioz urrejtjeje i cili vazhdon, përforcohet dhe mbështetet. Përkundrazi, të gjithë aktorët e përfshirë duhet t’i përdorin platformat e tyre për të ndaluar normalizimin e narrativave të tilla në shoqëri dhe për të mos lejuar që ato të kalojnë pa u sfiduar.
Burimi: https://www.reportingdiversity.org/troll-of-the-month-socialist-party-ps-candidate-zegjine-caushi-in-albania/