A e zgjidhin fondet e emergjences ceshtjen e dhunes ndaj LGBTI? Debati ne konferencen e Meksikes
Shkruan nga Mexico City, Kristi Pinderi
Caleb Orozco ishte në punë të vet kur u godit me një shishe birre për shkak se ai është gej dhe është aktivist i njohur në vendin e tij.
Dy dhëmbë të thyera, shtëpinë e vjedhur dhe makinën e shkatërruar. Ky ishte bilanci vetëm i agresionit të fundit ndaj tij në Belize, vendi ku ai jeton, një ndër më homofobët në botë.
“Mund të ketë deri në 15 raste dhune në muaj”, tha aktivisti i ri në një takim mbi sigurinë në konferencën globale të ILGA Ëorld.
Por format e dhunës dhe rreziqet janë të ndryshme në vende të ndryshme të botës, ndaj disa organizata nisën të mendojnë me shqetësim: Cfarë mund të bëjmë për të shpëtuar aktivistët LGBTI anembanë botës që për shkak të punës së tyre dhe për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor përballen çdo ditë më rreziqe të tilla?
Ata vendosën të krijojnë një konsorcium me 8 organizata të quajtur “The Dignity for All” (Dinjiteti për të gjithë).
Bjorn van Roozendaal nga ILGA Europe pjesë e këtij konsorciumi tha se “Vumë re se Europa po ndryshon. Vite më parë as që i mendonim çështjet e sigurisë apo emergjencave për shkak të dhunës por së fundmi ky problem po bëhet gjithnjë e më prezent”. Ai nuk sqaroi më tej se për çfarë arsye Europa e sotme qënka më e dhunshme se ajo e djeshme. Por duke marrë si shembull rastet e aktivistëve në Ukrainë apo Rusi, van Roozendaal shpjegoi se sa më shumë të dukshëm bëhen aktivistët aq më të rrezikuar janë për tu gjendur përballë dhunës.
Konsorciumi përbëhet nga AFE (Fondacioni arab për Liri dhe Barazi), CREA, Freedom House, Heartland Alliance, Komisioni Ndërkombëtar për të drejtat e gejve dhe lezbikeve (IGLHRC), ILGA Europe dhe UHAI (East African Sexual Health and Rights Initiative).
Disa prej këtyre organizatave edhe më herët jepnin fonde emergjence për aktivistë apo organizata LGBTI në raste të veçanta, zakonisht nëse u sulmohej zyra, apo kishin pësuar dëme të tjera të kësaj natyre. Por a e zgjidhin situatën këto fonde emergjence?
“Im vëlla më tha diçka të cilën nuk mund ta kundërshtoja dot. Më tha: mendo që sa herë të ndodh ty diçka është njësoj sikur na ka ndodhur ne të gjithëve! Tani unë kam mësuar të jem i kujdesshëm jo vetëm për veten por dhe për ta”, shtoi Caleb nga Belize. Mbrojtja e familjes, patjetër që është një mundësi, por çfarë duhet të themi për rastet e dhunës në familje apo për rastet kur vetë familjarët janë rrezik për aktivistët?!
“Eshtë e qartë”, tha më tej përfaqësuesi i ILGA Europe që fondet e emergjencës nuk krijojnë dot qëndrueshmëri ndaj na duhet një përqasje tjetër. Ai ishte i mendimit që edhe natyra afatmesme e fondeve duhet të jetë e tillë që të parandalojë dhunën dhe që aktivistët të trainohen si ta shmangin atë.
Azza Sultan një aktiviste që përfaqëson një organizatë që punon në Egjipt dhe Sudan tregoi si trainojnë aktivistë të ndryshëm për të qenë më të kujdesshëm dhe për të parandaluar dhunën më shumë se për të ndrequr pasojat e saj.
Një gjë është e qartë: në një botë që nuk ka qenë asnjëherë e përkryer, lekët nuk zgjidhin dot gjithçka. “Paratë nuk do të mund të na e heqin asnjëherë frikën që kemi se nuk jemi të sigurtë”, tha Caleb…