Futboll kunder homofobise ne Turqi, pjesemarres nga Shqiperia dhe Kosova
Pjesëmarrësit e Takimit të 4 të “Rrjetit Rajonal Kundër Homofobisë” nga 19 vende të rajonir dhe përfaqësues të ambasadave në Ankara kanë luajtur një ndeshje futbolli më 15 mars në shenjë solidariteti me Halil Ibrahim Dinçdağ, arbitri i parë i Turqisë haptazi gej, i cili ka qenë i përfshirë në një betejë ligjore kundër Federatës Turke të Futbollit për përjashtimin e tij për shkak të orientimit të tij seksual.
“Futbolli nuk është vetëm për meshkujt heteroseksualë por edhe për femra e për gej. Ka një diskriminim të qartë ndaj Dinçdağ për shkak të orientimit të tij seksual. Jo vetëm komuniteti LGBT (lesbike, gay, biseksual, transgjinorël), por edhe të gjithë tifozët e futbollit e mbështetën këtë luftë kundër diskriminimit”, i tha Sekretari i Përgjithshëm i Kaos GL Ali Erol gazetarëve para ndeshjes. Një nga gazetat më të mëdha në Turqi mbuloi më së miri këtë event duke e shoqëruar lajmin edhe me një foto-reportazh.
Pas ndeshjes, një forum i quajtur “Futboll Kundër Diskriminimit” u mbajt në Universitetin e Ankarasë. Në panel ishte Drejtori Ekzekutiv i FARE (Futboll Kundër Racizmit në Evropë) Piara Poëar, Lou Englefilled nga Anglia e “Futbollit vs Homofobisë” dhe Zheljko Bllace i “qSPORT” (Queer Sport) nga Kroacia.
Shqiptarë nga Shqipëria e Kosova mbështetën kauzën e Dinçdağ duke shprehur solidaritetin që mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë midis tyre. “Ajo që mua më emocionoi më shumë në këtë evet (por edhe në gjithë mënyrën si funksionon Rrjeti Rajonal Kundër Homofobisë) është fakti se mes këtyre 19 vendeve ka shumë shtete që kanë qenë në lufte mes tyre e pothuajse të gjithë kanë akoma probleme kufitare, por pavarësisht kësaj aktivistët e të drejtave të njeriut solidarizohen dhe mbështesin njëri-tjetrin duke theksuar se: Lufta jonë është e përbashkët dhe kjo është lufta për respektimin e të drejtave të njeriut” tha për Historia Ime një nga përfaqësuesit e Shqipërisë në këtë rrjet.