Halimi ne riedukim! LGBT proteston para Ministrise se Drejtesise
Lëvizja LGBT protestoi sot para Ministrisë së Drejtësisë duke e konsideruar të papërgjegjshme qëndrimin me fjalor rrugësh të Eduard Halimit. Një ditë më parë media publikoi një video dhe foto teksa Halimi dhe deputeti Fatos Hoxha komunikonin me njëri tjetrin me një fjalor banal. Ministri i thoshte deputetit: “Lere atë se ai mbron bq, po mos e thuaj se na hapin llafe”.
Xheni Karaj e Aleancës LGBT duke përdorur kamerat e pranishme që transmetonin direkt i tha Halimit: “Në qoftë se ke akoma dinjitet, të presim poshtë, të na japësh dorën dhe të kërkosh falje publike”.
Aktivistët mbanin parrulla ku shkruhej: “Po ju kë mbroni z. ministër?”, “Jo rrugacërisë në Kuvend dhe në qeveri”, dhe gjatë protestës ata thirrën: “Halim, riedukim”, etj.
“Ajo që na shqetëson dhe është e pafalshme”, tha Kristi Pinderi, “është mënyra prej halabëkësh si qeveritarët tanë përdorin detyrën e tyre. Një ministër përfaqëson një institucion dhe mënyra e papërgjegjshme si trajton institucione kushtetuese si Avokati i Popullit është zhgënjyese”.
Një ditë më parë media kishte njoftuar vetëvrasjen e një 18 vjecari. Gazeta Shqip kishte thënë se bashkëmoshatarët e kishin fyer duke i thënë “je si femër”. Karaj duke iu referuar këtij rasti tha se “
ka qindra djem dhe vajza që vuajnë për shkak të fjalëve fyese nëpër shkolla, familje e kudo”.
Vetë ministri Halimi është në favor të ndryshimeve të Kodit Penal që parashikojnë se fyerja për shkak të orientimit seksual me qëllim, përmes teknologjisë së informacionit, konsiderohet si krim i dënueshëm deri në dy vjet heqje lirie. Zyrtarisht Halimi e ka pranuar këtë sugjerim të Avokatit të Popullit Igli Totozani, por në të vërtetë u kuptua se ai është ende një person homofob që ka friukë edhe të flitet për cështje të tilla.