Intervistë: “Nëna është streha më e sigurt e një fëmijë homoseksual”
Nëna e një djali gej, e cila nuk ka dashur të identifikohet ndan historinë e saj në këtë intervistë. Ajo kujton momentin kur djali i ka treguar orientimin e tij seksual, vuajtjen, përndjekjen dhe diskriminimin me të cilin i është dashur të përballet gjatë jetës.
Sa herë ke ndenjur përpara pasqyrës dhe ke gjykuar veten, si e ke gjykuar?
Kam raport të keq me pasqyrën. Çuditërisht, këtë fakt, e kanë konstatuar të afërm dhe ma kanë vënë në dukje, me idenë se, qëndrimi para pasqyrës qenka terapi. Në fakt është përballje me veten që është e vështirë për gjithkënd por varet nga niveli i pranimit të vetvetes, nga niveli i vetëvlerësimit. Përsa i përket vetëgjykimit: jam eksperte! Është një masakër e vërtetë por, e kam në listën e prioriteteve të mbush kohën me të tjera gjëra që janë investim i mirë për mirëqenien mendore. Kështu mund të marr në kontroll kohën e të tejmenduarit dhe të gjykuarit të vetes.
Kur e kuptove se ai ishte ndryshe , se kishte dëshira dhe prirje të ndryshme nga ajo që ti dije për të?
Me bindje, mund të them se çdo nënë, që e konsideron veten të tillë, është e ndjeshme ndaj senseve të fëmijës, që në vogëli. Më pas, përballja me realitetin është proces më vete që fillon me deklaratën-bombë të fëmijës dhe të gjitha stadet e pranimit. Ai ka qenë ndryshe nga djali tjetër: që tek zgjedhja e lodrave, preferenca ndaj kukullave, qasja ndaj make up – it, të brendëshmeve të mia, këpucëve me taka. Ka qenë një fëmijë i butë, i bindur në çdo gjë. I vetmi rast mosbindjeje ishte momenti kur e vija në shtrat për të fjetur dhe e gjeja me laps dhe letër në dorë duke pikturuar.
Kur e deklaroi orientimin e tij seksual?
Rreth moshës 13 vjeç. Ai ka qenë i qartë në ide dhe jo indiferent me veten. Atë moment nuk do ta harroj kurrë! Ishim bashkë, si gjithmonë, duke zbritur shkallët e pallatit. Më thotë shkurt dhe qartë: mami unë jam homoseksual! Nuk ka fjalë për të përshkruar traumën që kam marrë. Një ndjesi me pasoja tërmeti. Sikur m’u shemb pallati në kokë. M’u tha pështyma dhe nuk munda as të gëlltitesha. M’u prenë këmbë e duar, sikur kisha marrë ndonjë lajm të kobshëm fatkeqësie. U përpoqa të mbledh veten për të mos i shkaktuar dhimbje djalit. –Mami, e kuptoj që nuk e ke të lehtë por unë ky jam! Më duhet ta pyes se çfarë ka ndodhur më pas sepse nuk mbaj mend më asgjë!
A e njihje dhe a dije më parë se ç’ishte homoseksualizmi ?
E dija sepse im atë ka punuar në organet e drejtësisë dhe marrëdhënie të tilla dënoheshin me ligj, me një nen të përcaktuar enkas, pasi konsideroheshin vepra të turpshme. Para se djali të deklaronte orientimin e tij, mbaj mend që kam marrë takim me një person të njohur, të deklaruar gay, për të marrë informacion. Kësisoj po i shërbeja apo paraprija asaj që do ndodhte më pas. Pavetëdija jonë është e sinqertë. Ajo na orienton drejtë. Kam biseduar me personin në fjalë për orë të tëra, pasi e kisha pyetur më parë nëse dëshironte të ndante këtë temë delikate me mua. Unë sot e falenderoj sepse m’u duk sikur më mori për dore dhe më mësoi “hapat e parë” në këtë rrugë të vështirë. Pyetjet e mia konsistonin në faktin që, cilat janë shijet e një personi gay dhe si komportohet në shoqëri një person i tillë. Çfarë duhet bërë për ta superuar sa më mire paragjykimin e të tjerëve, ndoshta edhe diskriminimin psikologjik dhe fizik. Gjëja që më frikësonte më shumë ishte një fobi e çuditshme se mos vishej apo grimohej në mënyrë ekstravagante, që edhe sot e kësaj dite nuk e di nga më buron. Ndoshta mani për t’ju fshefur botës. I thoja vetes, mirë që ky djalë është ndryshe po si mund të dalë në rrugë me fustane apo make – up. Kjo nuk ndodhi kurrë! Edhe nëse do të ndodhte, sërish do të isha kjo nënë që jam.
Si ishin përjetimet e para për një femijë gay ?
Pas coming out, priteshin shumë ndryshime që ndodhin rëndom në adoleshencë. Ndryshime të ngjyrës së flokëve, vetullat të holla, që kjo tendencë, më shumë më dukej si parehati me veten se sa marrëzi adoleshentësh. Disa herë ka ndëshkuar veten me mbidozë qetësuesish dhe prerje damarësh që, për një nënë janë helme të cilat truri nuk i asimilon kurrë. Në sagën e vuajtjeve kujtoj përndjekjen dhe diskriminimin që janë dy frikërat më të mëdha sepse mund të derivojnë keq dhe pasojat janë të paparashikueshme. Një herë e kanë rrahur disa të panjohur, pranë shkollës tetëvjecare. Atëherë jam lënduar shumë. Është nga gjërat e dhimbshme që nuk dua ta kujtoj ose e kujtoj rrallë por vlen për të sensibilizuar opinionin që të ndërgjegjësohet dhe të kuptojë se pas çdo homoseksuali është një nënë që vuan.
E more seriozisht, apo thjesht mendove se është një gjë që do të kalojë?
E mora shumë seriozisht, më seriozisht se çdo gjë tjetër në jetë. Thellë – thellë, brenda vetes, ekziston një dëshirë që do të mund të ndryshojë dicka, duke marrë parasysh koston e të qenit ndryshe në këtë shoqëri përjashtuese.
A është pranimi thjesht dashuri, apo edhe një njohje më e mirë e vetes dhe e botës ?
Pranimi është dashuri e pastër! Natyrisht edhe njohje më e mirë e vetes dhe e botës nëse je eksplorator. Ata që guxojnë të njohin veten dhe botën janë njerëz të vërtetë. Mendja e tyre e hapur është pranuese për këdo, siç është kjo botë e madhe që i thotë çdo krijese të Zotit: MIRËSEERDHE!; qoftë i bardhë, i zi, homoseksual, heteroseksual, i verbër, i shurdhët, i gjymtuar, dawn, etj. Detyra jonë është t’i pranojmë, t’i respektojmë sepse kështu do të ndjehemi më mirë edhe me veten.
Cila është pengesa më e madhe e të qenit nëna e një fëmije gay ?
Para çdo hapi ke një pengesë. Kudo të gjendesh dhe të jesh do të të prezantojnë, edhe me pëshpërimë, që është nënë homosekuali. Kjo nuk ma ul kokën aspak, përkundrazi jam krenare sepse im bir jeton në paqe me veten dhe ne integritet të plotë! Kurrë nuk e ka fshehur orientimin e tij për asnjë arsye dhe kundrejt çdo kostoje. Mendoj që ka përfituar nga këshillat e mia për të qenë i sinqertë dhe vetvetja.
Cila është frika më e madhe?
Frika më e madhe ka qënë lufta për ekzistencë. Fakti se mos nuk do të përballonte presionin e shoqërisë dhe mund të përfundonte në vetëvrasje si shume të tjerë me të njejtin status për të cilët ndjej dhimbje të thellë. Më vjen ndër mend një rast ku kam ndjerë fobi nga një person i tillë. Rreth 30 vjet më parë, kur shkoja në punë, në autobusin e linjës, bashkëshorti takoi rastësisht një shok që ishte i dukshëm gay. Ma prezantoi. I dhashë dorën për mirësjellje dhe përpiqesha t’i qëndroja larg, sikur një njeriu me sëmundje infektive. Vite më vonë, e kam takuar këtë person dhe jo vetëm që nuk i mbaj distancë por, përpiqem t’i qëndroj sa më afër sepse gjeneron kaq pozitivitet sa më karikon pafund.
Cili është gëzimi më i madh?
Gëzimi më i madh është fakti që djali im tashmë është qytetar i Europës, me status të plotë! Jeton në një vend paqësor që ka nënshkruar deklaratën e pranimit të komunitetit 100 vite më parë. Janë shumë gëzime në fakt sepse ai fëmijë përpiqet të më lumturojë hap pas hapi. Gëzim tjetër i madh është fakti që është talent në pikturë dhe investon shumë në këtë fushë. Që blen libra pafund, që menaxhon mirë talentin e tij dhe e orienton në benefite për veten. Që ka vetëvlerësim të lartë, vetbesim të lartë. Që është krijesë shumë inteligjente. Është më shumë se dashuri.
Cila është sfida më e madhe?
Sfida më e madhe ka qenë pranimi nga i jati. Ka qenë një proces që i ka marrë shumë kohe. Ka pasur shumë frikë nga përballja dhe nuk dëshironte ta prekte këtë temë. Çdo individ është ndryshe dhe merr kohën që do për procese të tilla. Instikti i prindit, me gjithë barrierën e të qenit ndryshe të fëmijës, e bën të vetën. Është një pjesë e jotja, e gatuar me dashuri që nuk mund ta braktisësh kurrë.
Sa nëna mund ta pranojnë këtë realitet dhe sa njeh të tilla?
Nuk njoh shumë. Në bisedat që kam pasur me shokë të djalit, dikush më ka thënë: nëse nëna ime do ta mësonte këtë fakt, do të nënshkruaja kontratën e vdekjes së saj. Kjo është e dhimbshme! E kam thënë më sipër që unë jam e dashuruar me të vërtetën dhe e blej me cdo çmim. Këto lloj nënash kanë dëshirë të jetojnë në gënjeshtër. Është çështje shijesh. Nuk mund të duash macen apo qenin e blerë, më shumë se fëmijën që e ke sjellë vetë në jetë. Të mos harrojnë se, të jesh nënë, është statusi më i lartë por që ka një mision: të falë dashuri dhe të shërojë me dashuri! Edhe nëna e kriminelit, që është dëmi më i madh i shoqërisë, thotë: e dënoj veprimin e fëmijës por nuk mund ta braktis! Të mos pranosh fëmijën nuk ka sens dhe nuk i vlen as shoqërisë!
Çfarë mund të bëjnë nënat? Janë ato të pafuqishme, apo kanë forcën e ndryshimeve të mëdha ?
Dua të kujtoj një thënie të Napoleonit: Në gjirin e nënave rriten kombet! Pas kësaj nuk ka më koment!
Si influencojnë të afërmit? Sa e suportojnë?
Më i afërt pas prindit është vëllai dhe motra. Përpara se djali të largohej nga Shqipëria, mbaj mend në një bisedë me të dy në skype, ata në njërën anë, unë në tjetrën, sepse jetojnim në qytete të ndryshme, ai diskutonte me lirshmëri për problemin e vet, që në fakt është problem i shoqërisë, dhe i vëllai që buzëqeshte pranë tij. Deri në atë kohë nuk e kishin ndarë këtë temë bashkë, ndoshta për faktin që i madhi është konservator. Reagimi i tij me buzëqeshje më bëri të ndjehem e lumtur dhe e sigurt që djemtë e mi do të ishin vëllezër përjetë.
Të afërm të tjerë, më kanë kërkuar të mos vizitohen nga djali im, dhe të mos jetë prezent në eventet familjare. Unë e kuptoj që homofobia është pengesë në disa marrëdhënie por e konsideroj dobësi të mos punosh me veten dhe të mos pranosh një realitet që ekziston. Në solidaritet ndaj djalit, as unë nuk kam pranuar të jem prezent në eventet ku ai është refuzuar. Më çudit fakti se nëna ime, ndonëse brez tjetër dhe me mentalitet ndryshe, asnjëherë nuk e ka vënë në mëdyshje pranimin dhe dashurinë për të! Për shoqërinë e djalit kam respektin maximal sepse e ka dashur dhe konsideruar të rëndësishëm në rreth.
Ke ndonjë peng?
Ajo që më shqetëson është fakti se do të doja të kishte familje, fëmijë. E kam diskutuar këtë temë me djalin. Më thotë që në vendin ku ai jeton, ekziston një mundësi për të pasur fëmijë nga nëna donatore, pa instikte mëmësie. Për këtë rast do të thoja se më shqetëson mosprezenca e nënës përgjatë jetës së fëmijës. Ndoshta vënia para përgjegjësisë e babait nga fëmija, se përse ka bërë këtë zgjedhje dhe shumë dilema si këto por, askush nuk është në gjendje të parashikojë çfarë do të ndodhë as nesër, jo më vite më pas?
Jam kureshtare të di zanafillën e orientimit seksual të njeriut. Faktorët që influencojnë. Vallë është zgjedhje e natyrës, e Zotit, e vetë personit që në gjenezë, keqtrajtim psikologjik i nënës gjatë shtatzanisë? Këto janë dilemat e mia! Me siguri do t’i zgjidhë koha!
Ke ndonjë mesazh?!
E kam përmendur më sipër! Çdo nënë duhet të ndjekë me kujdes rritjen e fëmijës dhe të jetë e përgatitur për çdo stad. Të falë dashuri pa kushte! Të përballet me realitetin dhe të solidarizohet me fëmijën sepse nëna është streha më e sigurtë dhe një fëmijë homoseksual, ka nevojë më shumë se kushdo tjetër, për suport dhe mbrojtje. Nuk është zgjidhje braktisja, refuzimi, indiferenca! Çdo nënë të marrë mbi vete përgjegjësitë që i takojnë! Nuk janë vetëm! Të gjitha bashkë duhet të sfidojmë realitetin e hidhur!
Gjëja që të lëndon më shumë?
Deklaratat makabre dhe të papërgjegjëshme publike, të disa përsonave që, nëse do të kisha një fëmijë homo, do ta vrisja! Kjo vjen për shkak të të qenit mëndjengushtë dhe të formimit të keq. Që në shkollë duhet edukuar fryma e pranimit. Kam parë një video në net që fëmijët japonezë e fillojnë mësimin me përqafime njeri – tjetrit. Pse të mos implementohet edhe në kopshtet dhe shkollat tona kjo edukatë?! Askush nuk ka parë keq nga dashuria! Një mikja ime psikologe thotë: Dashuria është si ajo fara e mirë që, sa më shumë të hedhësh, aq më shumë mbin dhe shtohet!