Perfundon pa incidente Parada e Krenarise ne Beograd
Parada e Krenarisë (Gay Pride) u mbajt sot në qendër të Beogradit ashtu siç ishte planifikuar. Qindra forca të policisë, përfshirë forcat speciale dhe tanke kanë bllokuar rrugët kryesore të qytetit.
Deri në momentin e fundit shumë persona nuk ishin të sigurtë nëse kjo paradë do të bëhej apo jo, kujtojmë se një vit më parë Parada u ndalua nga autoritetet pak orë para marshimit. Në shenjë proteste aktivistët u grumbulluan menjëherë pas njoftimit për ndalimin e Paradës dhe protestuan rrugëve të Beogradit duke dhënë mesazhin “Kjo është Parada” (VIDEO).
Gazetarët e Historia Ime raportojnë nga Beogradi se grumbullimi i aktivistëve nga shtete të ndryshme të Ballkanit dhe më gjerë, ka nisur rreth orës 10:00, ndërsa marshimi në orën 11:30. Parada filloi nga rruga Kneza Miloso duke shkuar drejt Asamblesë Kombëtare. Me një pjesmarrje masive dhe mbështetje të figurave të njohura ndërkombëtare dhe lokale gjithçka u mbyll me sukses.
Ky ishte një ndryshim rrënjësor për Serbinë pas ndalimit të Paradës së vitit 2013 nga shteti. Tashmë edhe Serbia është një hap përpara drejt përkrahjes së të drejtave të komunitetit LGBT, si një vend i rëndesishëm europian.
Ndërkohë që Parada e Krenarisë vijonte e qetë nën kontrollin e rreptë të forcave të shumta të policisë, rreth ores 13:00 prifterinj, besimtar dhe mbështetës të kishës filluan të protestojnë në një nga rruget e qytetit. Nën figuren e Jezus Krishtit dhe këngëve kishtare dhjetra njerëz po kundërshtonin Paradën e sotme. Një natë më parë në qendër të Beogradit u mbajt një protestë kundër organizimit të Paradës së Krenarisë (FOTO).
Kryeministri Aleksandar Vucic kishte njoftuar se nuk do të marrë pjesë në ngjarje. Deri tani nga disa media vendase thuhet se ka pasur 5 persona të arrestuar nga policia. Parada është mbështetur dhe nga disa lider të forcave të ndryshme politike në vend dhe nga kryetari i komunës së Beogradit.
Historia Ime
Foto: AP, AFP