Pse SkaNdal i frymezon njerezit si ne
Unë nuk jam motivues i mirë por me kohën kam mësuar që disa mendime ti shkruaj, kështuqë po përpiqem të shkruaj disa arsye pse dokumentari “SkaNdal” që do shfaqim premierë në 17 maj është shumë i rëndësishëm.
Kur bashkë me Erionën, Xhenin, Ilin, Erjonin dhe Eltonin rishikonim për të disatën herë tekstet e mbi 50 orë intervistave i vetmi filtër që përdorëm ishte: a motivon kjo frazë? A frymëzon ky paragraf? A kuptohet nga komuniteti ky moment? Po nga njerëz që nuk e dinë historinë e lëvizjes LGBT?
Treçereku i atyre gjërave që unë propozova nuk do të jenë në ate prodhim, sepse kështu ndodh në fakt gjithmonë kur, një grup njerëzish janë duke ndërtuar diçka dhe jo nje i vetem!
Por mua më pëlqen shumë ky dokumentar për një dhe vetëm per një arsye të vetme:
SkaNdal nuk i dedikohet njerëzve që në këto 5 apo edhe atyre që në këto 20 vjet i kanë kushtuar jetën lëvizjes LGBT në Shqipëri. Sepse po, ka njerez qe i kane dedikur jeten kauzes tone qe ne fillim te viteve 90.
Ky dokumentar nuk i kushtohet gazetarëve. As miqve apo aleatëve të lëvizjes LGBT.
“SkaNdal” nuk i kushtohet politikanëve që në këto vite kanë dalë publikisht, herë me hir e herë me humor e herë me pahir në mbështetje të kauzës së komunitetit LGBT.
Nuk i kushtohet ky dokumentar as ndërkombëtarëve që kanë qenë aty me ne kur kemi patur nevojë për ndihmën e tyre. As z. Uidhers që flet vetë në të.
I kushtohet djemve, vajzave apo/dhe personave interseks që nuk kanë dot guxim të dalin hapur, ose që guximin e kanë, por nuk kanë mundësi, sepse ende jetojmë në një vend ku mungojnë strukturat minimale që t’i mbrojnë, t’u japin një dorë në ditën më të veshtire dhe ti ndihmojnë pastaj të prosperojnë si qytetarë me të gjitha të drejtat e si qytetare te padiskriminuar.
Ky është një dokumentar që i fton njerëzit si ne që të mos kenë frikë!
Dhe që përpiqet të argumentojë se në fakt, është shumë më e frikshme të jetosh në sekret, e të bësh një jetë të dyfishtë, se ta mundësh frikën e të jetosh vetveten.
“Kur mora mikrofonin atë natë në Opinion nuk e dija se çfarë do thoja”, thotë në një moment Xheni gjatë këtij dokumentari që do shfaqet në kinema Agimi në datën 17 maj.
“Njerëzit pyesin”, vazhdon Erjoni, “se a mund të ketë një formulë. Por në fakt nuk ka”.
Pas 20 viteve torturë me veten time, e vetmja gjë që unë mund t’ju them është fakti që nëse ju doni të jetoni më mirë me veten për shkak të seksualitetit tuaj, e vërteta është formula dhe zgjidhja! Por këtë nuk mund ta bëni dot as me komandë, as me një vendim të prerë. Këtë vetëm mund ta përgatisni në veten tuaj.
Eshtë shumë frikë të përballesh me një shoqëri që vuan shumë nga mungesa e informacionit dhe që në thelbin e vet mbetet akoma shumë e egër, shumë agresive.
Kur unë, gradualisht, herë me pak sforco apo edhe dhunë, herë me vullnetin tim të lirë nisa të tregoj se kush jam, kuptova se ngadalë ngadalë po ndërtoja një mburojë që është shumë më e fortë se injoranca e kësaj shoqërie dhe e këtij vendi ku jetoj.
Dhe kuptova se, në fakt, me këtë mburojë, unë mund të mbrohesha shumë më mirë se sa në kohët kur e vetmja mburojë që kisha ishte të fshihesha!
Të jesh i vërtetë, zbulova gradualisht, të bën shumë më të forte por kjo eshte aq e forte ne vetvete sa te kerkon te jesh I forte gjithashtu per ta perballuar.
Mund të te pështyjnë në auditorët e universitetit pasi ti ke ikur, mund të të thyejnë pasqyrat e makinës, mund të të shikojnë me inat, mund te te rrahin, mund te te thyejne shishen e birres, mund te te perdhunojne, disa mund të mos të të flasin më, por e di çfarë?
Këto janë asgjë kur zbulon se ti, pikërisht në këto momente i ke mundur që të gjithë.
Kur përqafon mamin dhe ndjen forcën e dashurisë në krahët e saj, gjithë të tjerët janë hiç!
Kur bashkë me të dashurin apo të dashurën nuk mendoni vetëm për seksin, por si të kaloni bashkë problemet e ditës dhe si të merrni pjesë në gëzimet dhe hidhërimet e secilit apo secilës, gjithë të tjerët janë zero me bisht!
Në dokumentarin SkaNdal do shikoni si njerëzit si ne i kanë përjashtuar nga shkolla për shkak se janë si ne! Dhe kjo ka ndodhur në Tiranë. Do shikoni si njerëzit i janë trajtuar me neveri kur kanë patur nevojë për ndihmë mjekësore. Dhe kjo ka ndodhur në QSUT. Do shikoni si njerëzit si ne janë përballur me dhunë fizike e kjo ka ndodhur mu në qendër të Tiranës. Do shikoni se si njerëz kanë vrarë veten e janë përcjellë në banesën e fundit si të ishin krimba, qënie të padëshirueshme.
Por mbi të gjitha do shikoni përmes historive personale të njerëzve shumë të bukur (Eltoni, Xheni dhe Eriona bëjnë shaka me mua kur propozova titullin Beautiful People) kanë mundur të ndërtojnë përreth jetës së tyre një parzmore të vërtetë dhe shumë të fortë që i mbron nga e gjithë bota. Sepse nuk ka, nuk mund të ketë asnjë forcë tjetër në këtë botë më të fortë se e vërteta!
Ndaj është i bukur ky dokumentar! Ndaj është i rëndësishëm.
P.S. Kemi fituar ndërkohë edhe dy regjisorë të rinj, Erionën dhe Eltonin që në jetën e tyre bashkëshortore dhe profesionale do krenohen gjithë jetën me dokumentarin që është bërë jo për të tërhequr kuriozitetin e botës mediatike, as ate kinematografike, por për të shëruar shpirtra, shumë jete…
K.Pinderi/Bashkeskenarist