Reagim Publik mbi të drejtën e prindërimit

Anisa dhe Elida janë dy gra të reja të cilat kanë 10 vjet që jetojnë bashkë. Ndajnë me njëra-tjetrën ato që ndan çdo çift në botë: përkushtim, intimitet, pasion. Ndajnë gjithashtu shpenzimet e jetesës, ëndrrat e përbashkëta, vështirësitë e jetesës në Shqipëri, pasiguritë, shpresat, dëshirat dhe aspiratën për t’ju gjendur njëra-tjetrës në ditë të mira e në ditë të këqija.
Në janar të vitit 2021, pas një planifikimi të gjatë që përfshinte diskutimin e shumë çështjeve, ngritjen e shumë pikpyetjeve, frikërave, pasigurive por edhe shpresave, Elida lindi dy vajza, produkt i inseminimit artificial.
Fëmijët, dy ëngjëj që e kanë transformuar jetën e nënave në një mënyrë që kush ka lindur e di shumë mirë, po rriten aktualisht nga të dy nënat e tyre. Përkushtimi është i përbashkët por edhe ndarja e përgjegjësive është e barabartë. Të dyja i ushqejnë fëmijët, i ndërrojnë, i lajnë, u këndojnë ninulla, luajnë me to, i mbajnë në gjoksh derisa i zë gjumi, janë të dyja aty kur fëmijët zgjohen duke qarë, janë po të dyja aty kur fëmijët flenë.
Në Shqipëri prindërit tanë na kanë mësuar që kur kemi qenë të vegjël se prindërimi nuk është një event biologjik, por një proçes i gjatë me sakrifica, përkushtim, dedikim, i karakterizuar nga dashuria pa kushte e prindit për fëmijën. Eshtë shpesh një proces i vështirë, që përmban vetmohim, privime, lodhje, shpesh stres e depresion. Por asnjë nga këto ulje ngritje dhe vështirësitë në këtë process, nuk ia transformon atij tiparin kryesor: tek rritja e fëmijëve prindërit shikojnë jo thjesht veten e tyre të ripërtërirë, por sidomos shpresën për të ardhmen.
Ne kemi mësuar, secili në familjet tona, se familja është pikërisht kjo: të paturit një histori të përbashkët, që ne e dokumentojmë me fotografi, me aktivitete që bëhen traditë, si festimi i ditëlindjeve, festimi bashkë i ditëve të tjera me rëndësi, por edhe të paturit të aftësisë për të planifikuar bashkë të ardhmen. Pra familja është bërthama që na lejon të kemi një histori, e të ndërtojmë një të ardhme.
Si e tillë çdo familje është e shtrenjtë, çdo familje është një sistem më vete që ndërvepron me sisteme të tjera në formën e rrathëve ciklikë, edhe me institucione siç janë shkolla, shteti, ambienti i punës, komuniteti ku jetojmë, familja e zgjeruar, etj.
Është pikërisht për këtë arsye që jeta familjare është një e drejtë e njeriut që sanksionohet nga çdo dokument ligjor, në çdo hapësirë fizike e sociale të këtij globi. Për të lehtësuar këtë ndërveprim shoqëria shqiptare bazohet në ligj. Ne e shkruajmë ligjin që ligji të na lehtësojë marrëdhëniet që do duhet të ndërtojmë me veten, me shtetin, me shoqërinë. Mirëpo që ligji të funksionojë, pra që të ketë një efekt të njëjtë për këdo pa asnjë dallim e diskriminim, duhet që mbi të gjitha të jetë i aftë të na shikojë të gjithëve njësoj. Siç është sot, ligji shqiptar nuk ka mjete për të parë e as për të mbrojtur familjet LGBT si familja e Anisës dhe Elidës me dy fëmijët e tyre.
Këto janë disa pyetje që Elida dhe Anisa i bëjnë Shqipërisë sot:
A kanë të drejtë ato ta mbrojnë familjen e tyre, njësoj si çdo njeri tjetër?
A kanë të drejtë ato të shpresojnë që fëmijët që po rrisin të kenë të gjitha shanset që meriton çdo fëmijë shqiptar për tu zhvilluar e për të qënë të lumtur?
A kanë të drejtë ato të presin nga shteti që ti trajtojë fëmijët e tyre me të njëjtin dinjitet me të cilin duhet trajtuar çdo fëmijë?