“Te jesh gej apo lezbike, nuk ka moshe!”
Kristi Pinderi aktivist për të drejtat e njeriut tregon në një intervistë për Shqiptarja.com për fillimet dhe ecurinë e komunitetit LGBT. Përfshirja e tij në këtë komunitet dhe vështirësitë për të mbrojtur kauzën e tyre.
Si u krijua LGBT, dhe çfarë ka ndryshuar që nga ajo kohë?
Janë tre organizata sot për të drejtat e LGBT dhe të paktën dy prej tyre janë krijuar duke u bazuar në kontributin vullnetar dhe me pasion të të rinjve që besuan te kjo kauzë. Ka të paktën 5 vjet dhe në këto pak vite shumë gjëra kanë ndryshuar. Lëvizja tashmë është më e insitucionalizuar por mbështetjen kryesore e ka te fakti që është një lëvizje me këmbë në tokë. Anëtarët e komunitetit kanë mundësi të takohen, të ndajnë historitë e tyre, të bëjnë shoqëri të reja, të flasin apo të edukohen për çështjet LGBT.
Si u gjende ti në krye të kësaj organizate?
Pas një procesi të gjatë reflektimi të brendshëm erdhi natyrshëm angazhimi. Vendosa që duhet të bëj diçka që afekton direkt jetën time dhe të atyre që janë si unë. Për një kohë të caktuar sigurisht më duhej të bëja dy punë derisa ishte e pamundur dhe duhej të përkushtohesha plotësisht për këtë kauzë.
A ka ndryshuar mënyra se si Shqiptarët e shikojnë këtë komunitet në këto vite funksionimi?
Sigurisht. Së pari unë mendoj se shqiptarët kanë filluar të kenë mundësi të reflektojnë më shumë, ta konceptojnë homoseksualizmin jo detyrimisht si një sëmundje. Së dyti, unë besoj se vitet e fundit gjithnjë e më shumë pjesëtarë të komunitetit LGBT kanë filluar të dalin hapur në rrethet e tyre apo ambientin e tyre. Ky është kontributi më solid: njerëzit fillojnë të shikojnë se këta njerëz janë njerëz të zakonshëm, që punojnë, studiojnë, kanë aspiratat e tyre, luftojnë, pra janë as më shumë e as më pak se qytetarë të zakonshëm.
Sa kurajë duhet sot ne Shqipëri për të pranuar prirjet seksuale që ke, pasi në një shkrim tuajin ju e mbyllni atë opinion me një fjali të tillë : “Dua të them që kërkon kurajë të thuash që je gej sot” ?
Duhet shumë kurajë, por dua të them se pas kësaj kurajoje jeta bëhet më e mirë, njerëzit jetojnë më plotësisht, janë më të lirë dhe nuk janë në borxh ndaj askujt, as ndaj vetes së tyre sidomos.