Linda Pano, kujdes nga gënjeshtra!

Në një panel televiziv të ndjekur gjerësisht, Linda Pano ngriti një sërë deklaratash të forta dhe kontradiktore ndaj komunitetit LGBT. Duke thënë se “ka vetëm dy gjini”, “komuniteti LGBT po u imponohet fëmijëve katër vjeçarë”, dhe duke vënë në pikëpyetje arsyen e ekzistencës së një muaji të tërë për Krenarinë LGBT, ajo shfaqi një retorikë që më shumë ngjan me terror se dialog publik.
Por sa të vërteta janë këto pohime? Dhe cilat janë faktet që media dhe publiku duhet të dinë?
Më shumë se dy gjini? Fakt!
Sot, shumë shtete në botë përfshirë Gjermaninë, Holandën, Islandën apo Kanadanë e njohin ligjërisht ekzistencën e gjinisë së tretë apo opsioneve “jobinare” në dokumente zyrtare. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e dallon seksin (karakteristika biologjike) nga gjinia (identiteti social dhe personal). Prandaj, pretendimi se “ka vetëm dy gjini” nuk është fakt shkencor apo ligjor, por një opinion i tejkaluar.
Po fëmijët 4vjeçarë?
Një tjetër deklaratë e zhurmshme nga Linda Pano ishte se komuniteti LGBT “po mundohet të fusë informacion tek fëmijët katërvjeçarë”.
Në realitet, edukimi seksual në botë udhëhiqet nga udhëzimet e UNESCOs dhe OBSHsë dhe përshtatet sipas moshës. Tek fëmijët e vegjël flitet për familje të ndryshme dhe respekt për të tjerët, jo për orientim seksual apo identitet gjinor në mënyrën që u paraqit. Askush nuk po “indoktrinon” fëmijët përkundrazi, po mbrohet e drejta për informacion të saktë.
Pse një muaj për Krenarinë LGBT?
Muaji i Krenarisë LGBT (qershori) nuk është një “festë e imponuar”, por një kujtesë historike për protestat e vitit 1969 në Stonewall, SHBA, kur komuniteti LGBT doli në rrugë kundër dhunës dhe diskriminimit. Ky muaj është i rëndësishëm për të synuar barazi, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të festuar diversitetin njësoj siç kemi muaj për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit.
A po na “imponon” LGBT-ja?
Ideja se minoranca “i imponohet” mazhorancës bie ndesh me çdo parim demokratik. Demokracia nuk është thjesht pushteti i shumicës, por edhe mbrojtja e të drejtave të pakicave. Nëse një grup nuk ka të drejtë të kërkojë barazi pa u akuzuar për “imponim”, atëherë kemi të bëjmë me shtypje, jo me demokraci.
Po gjyqet? Kush e ka hedhur kë në gjyq?
Linda Pano është shprehur se “në vend që të bashkoheshim, po na çoni në gjyq e na gurëzoni”. Faktet tregojnë të kundërtën. Bashkëshorti i saj, Akil Pano, është hetuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi për deklarata ofenduese ndaj komunitetit LGBT. Gjyqi nuk ndodhi sepse LGBTtë e paditën Panon, por sepse shteti e mori seriozisht diskriminimin publik. Asnjë paradë krenarie nuk ka detyruar askënd të marrë pjesë – janë aktivitete të lira dhe vullnetare, si çdo manifestim tjetër në një shoqëri demokratike.
Nga opinioni në nxitje urrejtjeje
Kur një opinion personal paraqitet si fakt, rrezikojmë të nxisim gjuhë urrejtjeje. Shprehje si “po na detyroni të festojmë” apo “po na impononi gjini të reja” nuk janë vetëm të pavërteta, por edhe të rrezikshme, sidomos në një vend ku komuniteti LGBT ende përballet me paragjykim dhe diskriminim.
Media duhet të mbajë qëndrim kur përballë publikut dalin deklarata që shtrembërojnë realitetin. Ndaj, është detyra jonë si gazetarë dhe qytetarë të bëjmë factchecking, të verifikojmë burimet dhe të mbështesim të drejtën për ekzistencë të barabartë për të gjithë pa përjashtim.