Natasha, “shoqja tornitore” që vazhdoi punën edhe pas ndërrimit të regjimeve
Natasha Fifo është një “relike” e rrallë e komunizmit, që me punë ka arritur t’i përshtatet fort mirë edhe kapitalizmit. Tornoja e saj, si ajo vetë, nuk pushon se punuari, pa pyetur për sisteme. Në familjen e Natashës të gjithë merren me automjetet. Ajo është tornitore, djemtë po ashtu dhe bashkëshorti shofer autobusi.
Sot ajo ka krijuar biznesin e familjes së saj falë punës që ka bërë gjatë gjithë jetës. Të tre djemtë i ka përgatitur për torno dhe familjarisht punon në ofiçinën ku është vendosur prej disa vitesh. “Bëjmë ato gjëra që shoferët dhe mekanikët nuk mund t’i gjejnë në dyqane. Puna jonë kushton, pasi të punosh në torno nuk është e lehtë, por pak kush e kupton”, shprehet Natasha.
Ajo është e vetmja tornitore grua në Shqipëri që vazhdon të ketë të njëjtin profesion, si në komunizëm ashtu edhe tani. Mekanikët i drejtohen asaj kur nuk gjejnë zgjidhje dhe e cilësojnë si “shpëtimtare” për shumë probleme që vetë nuk mund t’i zgjidhin.
“Rrugët në këtë vend janë të dëmtuara dhe mundësitë për defekte janë më të mëdha”, shprehet ajo, ndërsa me lehtësi në tornon që e ka përfituar nga privatizimi i ndërmarrjeve, përgatit porosinë e radhës.
Bashkëshortët Fifo janë shembulli se si metalurgjia solli shumë familje në qytetin e Elbasanit. Natasha nga Trebinja e Pogradecit dhe bashkëshorti nga Bilishti, u njohën në shkollën profesionale 2-vjeçare për torno në Tiranë. Nevojat për tornitorë bënë që të zhvendoseshin në Elbasan. Ajo u punësua në ofiçinën e “Rruga-Ura”, ku punoi për 17 vjet.
Me ardhjen e demokracisë vendosi të dalë më vete dhe u zhvendos në një ofiçinë private bashkë me tornon e fituar nga privatizimi i ndërmarrjes. Nga ajo kohë nuk është ndalur së punuari në torno. Sot ajo punon në torno prej 36 vjetësh dhe shprehet se “sa të kem fuqi do të vazhdoj të punoj në torno bashkë me djemtë”.
“Tashmë më duket një punë normale dhe jo e vështirë. Nëse mësohesh me një lloj pune atëherë nuk të bëjnë përshtypje duart me graso apo vaj. Nuk më shqetëson puna në torno dhe as fakti që jam grua. Kam punuar gjatë gjithë jetës me burra si në ofiçinë ashtu edhe tani. Puna e nderon njeriun dhe rëndësi ka ta bëj mirë atë që ka marrë përsipër dhe do të jetë i respektuar nga të gjithë”, përfundon Natasha.
/m.g/