Spektakli evropian që bashkon kombe zemra.
Çdo pranverë, miliona evropianë dhe jo vetëm ulen para ekranit për Eurovision-in, një festival muzikor që vitet e fundit i ka tejkaluar limitet e një kompeticioni këngësh.
Me rreth 180 milionë shikues anë e mbanë botës, konkurrentët çdo vit ofrojnë spektakël të guximshëm dhe dhe krenari për ato që i përkasin komunitetit LGBTQ+.
Këngëtarë nga e gjithë bota shfrytëzojnë skenën e Eurovision-it për të rrëfyer historitë e tyre, mesazhe vetë-pranimi e krenarie, duke u transmetuar edhe në shoqëri ku personat queer ende hasin paragjykime. E gjithë kjo dukshmëri ka bërë që Eurovision-i të kthehet në një strehë të vërtetë për komunitetin LGBTQ+. Atmosfera mbizotëruese është ajo e përfshirjes dhe pozitivitetit, ku publiku mirëpret me duartrokitje çdo këngëtar gej, lesbike apo trans, ndërsa këta artistë ngjiten në skenë pa frikë, e përkundrazi me krenari.
Kështu, Eurovision-i ofron një hapësirë kulturore ku komuniteti queer mund të mblidhet dhe festojë vlerat e veta, duke e kthyer spektaklin në një platformë globale për barazi.
Kur kultura pop sfidon paragjykimet
Përfaqësimi i hapur queer në Eurovision ka luajtur një rol të rëndësishëm në sfidimin e homofobisë dhe hapjen e debatit shoqëror. Kulmi i kësaj ishte fitorja historike e Conchita Wurst në 2014, drag queen-i austriak me mjekër që triumfoi me këngën “Rise Like a Phoenix”.
Mirëpo, një fitore e tillë nuk kaloi pa polemika. Reagime të ashpra konservatore u dëgjuan në disa vende, duke nxjerrë në pah hendekun kulturor mbi çështjet LGBTQ+ në Europë. Edhe në Shqipëri, fitorja e Conchita-s ngjalli debat të gjerë publik. Këngëtarja shqiptare Eneda Tarifa komentoi me tone kritike se fitorja e “zonjës me mjekër” po e largonte vëmendjen nga vetë muzika dhe se Eurovision-i po promovonte vlera të gabura. Ajo madje shprehu hapur shqetësimin se si do t’ua shpjegonte këtë “fenomen” familjarëve të vet. Këto deklarata u dënuan menjëherë nga aktivistët lokalë të të drejtave LGBTQ+, si Kristi Pinderi, i cili e cilësoi reagimin e Tarifës si homofobik dhe jashtë frymës europiane të tolerancës.
Kjo polemikë tregoi se kultura pop mund të shërbejë si katalizator i debateve shoqërore: një spektakël televiziv kthehet në arenë ku përplasen pikëpamje konservatore dhe zëra progresistë.
Shkodra Elektronike te yjet e diasporës
Sot, ndërsa Eurovision 2025 mbahet në Basel të Zvicrës, Shqipëria prezantohet me një frymë të re e moderne. Grupi Shkodra Elektronike, i përbërë nga dy muzikantë shqiptarë të rritur në diasporë, po ngjitet në skenën europiane me këngën “Zjerm”, e cila ofron një mishërim të muzikës tradicionale shkodrane me tinguj modernë elektronikë.
Ky stil unik dhe avangard përfaqëson e ngërthen simbolikën e një Shqipërie në evoluim, e gatshme të përqafojë modernitetin pa mohuar rrënjët kulturore.
Një përfaqësim kaq i avancuar dhe bashkëkohor në Eurovision ka rëndësi të veçantë, sinjalizon se edhe një vend relativisht konservator si yni mund të përqafojë prirje të reja artistike dhe sociale, duke dërguar mesazhin se barazia dhe diversiteti janë vlera europiane të përbashkëta. Veçanërisht në kohë kur ambicia për tu bërë pjesë e bashkimit Evropian ishte dukshëm lajkmotivi kryesor i çdo fushte politike para pak ditësh.
Ndikimi i Eurovision-it në emancipimin queer ndihet edhe përtej netëve të festivalit. Ikona të muzikës me origjinë shqiptare në skenën botërore, si Dua Lipa dhe Rita Ora, po kontribuojnë në normalizimin e identiteteve LGBTQ+ në kulturën pop. Dua Lipa shpesh ka ngritur zërin në mbrojtje të komunitetit queer, mbështetja e saj e zëshme për të drejtat LGBTQ+ është vlerësuar gjerësisht në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, Rita Ora çdo qershor valëvit krenarisht flamurin shumëngjyrësh, duke iu bashkuar festimeve të Pride dhe duke përcjellë mesazhe të qarta dashurie e pranimi ndaj komunitetit LGBTQ+.
Këto yje të diasporës shqiptare jo vetëm që shtojnë ndjehsmërinë e çështjeve queer, por edhe e lidhin kulturën shqiptare me vlerat e tolerancës dhe barazisë, duke treguar një imazh më progresiv të kombit në sytë e botës.
Burimet: EuroNews, BBC, PinkNews, LSE Blog, Pink Embassy, The Advocate, Telegrafi