E PERDITESUAR/Burgaj pezullon Erzenin
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka vendosur pas dy ditësh që të pezullojë vartësin e tij, tropojanin Erzen Breçanin, pasi ka dhunuar një operator të Top Channel.
Edhe pse policia e ka mohuar dhunën, është detyruar të marrë një vendim për pezullim, pasi ndaj tij ka nisur ecuria disiplinore.
“Lidhur me rastin e bërë publik nga televizioni Top Channel, që bën fjalë për dhunimin e operatorit të këtij televizioni, ditën e sotme, rreth orës 14.00’, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është marrë masa e pezullimit paraprak nga detyra ndaj Zv/Drejtorit për Sigurinë Publike të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, z.Erzen Brecani, pasi ndaj tij ka filluar ecuria disiplinore,”thuhet në njoftimin e policisë.
Gazetaret kane njoftuar proteste neser
Të mërkurën në orën 12:00 gazetarët do të organizojnë një protestë mes Piramidës dhe Kryeministrisë për shoqërimin dhe keqtrajtimin nga drejtuesit e Policisë se Shtetit të kameramanit të Top Channel, Gent Ballta.
Është fjala për dhunën e ushtruar nga nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, ndaj kameramanit të Top Channel, ndërkohë që ai po filmonte keqtrajtimin e tifozëve të Tiranës në komisariat.
Gazetarët janë të vetorganizuar, por policia nuk u pranoi kërkesën për tubim me arsyetimin se nuk kishte kush ta merrte në dorëzim.
Në bazë të ligjit për tubimin në Shqipëri, policia thjesht duhet të njoftohet për tubimin.
Mospranimi i njoftimit tregon përfshirjen politike të policisë në këtë ngjarje.