Historia Ime shpall fituesit e konkursit te Fotografise
Foto e parë nga Entela Resuli, Foto e dytë (poshtë) nga Eriona Cami, Foto e tretë (poshtë) nga Edi Piqoni
Redaksia e portalit të lajmeve “Historia Ime” shpall tre fitues për konkursin e fotografisë “Historia Ime”. Fituesit janë Entela Resuli (Tiranë), Edi Piqoni (Pogradec) dhe Eriona Cami (Tiranë).
Konkursi në fjalë nisi në korrik të vitit 2013. Redaksia e portalit Historia Ime “Historia ime” ftoi të gjithë të rinjtë të denonconin problemet që hasin në shtëpi, në ambientet e punës, në shkollë, lagje, rrugë, qytet e kudo (jo vetëm në Tiranë). Por synimi i këtij konkursi nuk ishte vetëm denoncimi i problemeve, por edhe pasqyrimi me shembuj pozitivë dhe realistë të fiksuara në fotograf,i i ngjarjeve apo portreteve që inkurajojnë.
Është redaksia e “Historia Ime” ajo që ka bërë përzgjedhjen e fotove fituese bazuar edhe në numrin e klikimeve dhe të komenteve për secilën foto. Kujtojmë se të gjitha prurjet janë botuar në mënyrë periodike në faqen historiaime.al.
Historia Ime është një alternativë mediatike që synon të promovojë të drejtat e njeriut dhe të ndërtojë një përqasje më dinjitoze mediatike mbi çështje që ose nuk pasqyrohen, ose pasqyrohen keq apo në mënyrë të pamjaftueshme në median tradicionale shqiptare.
Ky konkurs u mbështet nga Fondacioni SOROS. Faqja Historia Ime mbështetet financiarisht nga Fondacioni Soros dhe organizata Civil Rights Defenders, ndërsa zbatohet nga organizata Pro LGBT (Të Bashkuar Pro Kauzës LGBT).
Tre fituesit nuk janë fotografë profesionistë. Konkursi synonte të inkurajonte pjesëmarrjen e kujtdo qytetari apo qytetareje pavarësisht profesionit. Resuli është gazetare në gazetën DITA, Piqoni është një i ri intelektual I diplomuar jashtë Shqipërisë, ndërsa Cami është një regjisore e re e filmit.
Përveç një shpërblimi financiar modest për fituesit redaksia merr përsipër edhe organizimin e një ekspozite promovuese në ditët në vijim.