Gazetari i “The Sun”, shpëton Britaninë nga sulmi terrorist i ISIS
Një gazetar i “The Sun” ishte kontaktuar nga Junaid Hussain, një anëtar i organizatës terroriste ISIS, i cili ishte arrestuar nga policia britanike për thyerje të e-mailit të kryeministrit Tony Blair, dhe publikimit të bisedave të tija në internet.
Por, kësaj radhe Hussain ka kontaktuar një person, pa qenë i vetëdijshëm se po kontakton me një anëtar të medies “The Sun”. Ai i kishte kërkuar ndihmë për të kryer një operacion për vrasjen e disa ushtarëve, që sipas tij do të ishte hakmarrje ndaj vrasjeve të personave në Irak dhe Afganistan. Ai këtë mesazh e ka dërguar nëpërmjet një rrjeti social “Kik”, ku i kërkoi ndihmë.
Ndërsa, redaksia e “The Sun”, kishte vendosur t’i kthejë përgjigje, dhe të marrë pjesë në operacion, për ta kuptuar qëllimin dhe më pas për ta lajmëruar në polici.
Ai i kishte orientuar për qasje në një sistem të sigurt, që e përdor organizata terroriste ISIS, në të cilin ai u ka thënë se do të jenë të sigurt për të komunikuar. Madje, ai i ka premtuar gazetarit një rrugë të lehtë për në parajsë, duke i thënë se kjo është një detyrë që duhet ta bëjë çdo njeri, duke iu drejtuar me “vëlla”.
“Do të jetë goditje e madhe. Goditje që do ta trondit Britaninë, dhe e gjithë kjo do të jetë përgjigja jonë për vrasjet e tyre në Afganistan dhe Irak. Shko aty, dhe shpërtheje bombën, në mënyrë që të vrasësh ushtarët e tyre në vendin e tyre, dhe do të jesh i sigurt në rrugën tënde për në parajsë” i kishte shkruar Hussain gazetarit.
Bomba ishte planifikuar të shpërthejë në një paradë ushtarake, e cila është paraparë të mbahet në Merton, në Londër.
Pasi që e ka trajnuar gazetarin e “The Sun” nëpërmjet rrjeteve sociale, se si duhet ta përgatiste bombën, duke i dhënë udhëzime, madje, duke i treguar se si të blejë pjesët e nevojshme pa u kuptuar se çfarë qëllimesh ka, ai tha ta fus në një çantë të zezë, dhe të hyjë në masë, ku do ta shtypte butonin për shpërthim.
“Fute në një çantë të zezë, futu në masë dhe më pas shtype butonin” e udhëzoi Hussain.
Raportohet se terroristi i kishte dërguar gazetarit edhe manualin prej 9 faqe, që tregon për montimin e një bombe, duke përfshirë fotografi, diagrame dhe instruksione të detajizuara për montimin e bombave.
Në manual u vërejt edhe mbishkrimi “Mbajeni dokumentin privat, mos e postoni në internet dhe mos e shpërndani me askënd”, ndërsa këta të fundit ia kanë dorëzuar një kopje Komandës Anti-Terroriste të Britanisë.
Duke besuar se bomba është duke u montuar e duke u përgatitur, ai e kontaktoi sërish gazetarin duke e pyetur nëse do të mund të ishte gati më 27 të këtij muaji. Madje, i dha edhe detajet se ku ta shpërthejë bombën në ditën e forcave ushtarake të Britanisë.
Komanda Kundër-Terroriste e Scotland Yard ka ngritur nivelin e sigurisë, dhe ka dhënë urdhër për një vigjilencë maksimale të forcave të rendit dhe të sigurisë, pas raportimit që ka bërë gazeta “The Sun”.
I gjithë ky skenar i përgatitur nga Hussain, i cili pa vetëdije ka kontaktuar një gazetar, raportohet të ketë dështuar, pasi që kjo gazetë ka lajmëruar rastin në polici, dhe ka kërkuar që vetëm ta bëjë të dështuar planin për vrasjen e ushtarëve, duke mbajtur kontaktin me Hussain, për të marrë informacionet e detajizuara.
Artikulli i plotë i “The Sun” ku pasqyrohet i gjithë investigimi hap pas hapi:
http://www.thesun.co.uk/sol/homepage/news/6518366/Islamic-State-monster-aimed-to-kill-British-soldiers.html