Kush gënjen për Rinasin? Drejtori i TIA: “Nuk ka asnjë marrëveshje për heqjen e monopolit”
Qeveria shqiptare në vitin 2004 hartoi një marrëveshje me kompaninë koncensionare “Tirana Airport Partners” (TIA), për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të Rinasit. Marrëveshja që është në fuqi dhe sot, përfshinte një klauzolë bllokuese sipas së cilës nuk do të licensohej asnjë aeroport tjetër për fluturime pasagjerësh apo mallrash në 20 vitet e ardhshme.
Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj ka shpallur të paktën katër herë, brenda më pak se një viti, arritjen e marrëveshjes me TIA-n për heqjen e këtij bllokimi që do i hapte rrugë ndërtimit të aeroporteve të reja.
Por Drejtori i ri i Përgjithshëm Ekzekutiv i kompanisë TIA, Z. Rolf Castro-Vasquez ka pohuar sot për Monitor.al se nuk kanë nënshkruar ende asnjë marrëveshje me qeverinë shqiptare për ndryshimin e kontratës koncesionare për Aeroportin e Rinasit, duke shtuar se të gjitha negociatat poi zhvillojnë me ministrin e transporteve Edmond Haxhinasto.
Ai thekson rëndësinë e vendimit të aksionerëve dhe tre kreditorëve të cilët kanë kryer investimin, të cilët janë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), Intesa Sanpaolo dhe Alpha. Duke shtuar se veçanërisht kreditorët janë shumë të “rreptë”.
Disa nga deklaratat e Ministrit Ahmetaj në lidhje me marrëveshjen e supozuar të qeverisë me TIA-n:
3 maj 2015, Komisioni i Ekonomisë në Kuvend:
“Brenda 2 muajve do të hiqet ekskluziviteti i fluturimeve nga aeroporti i Rinasit. Kjo i jep mundësi hapjes së aeroporteve në jug.”
13 shtator 2015, intervistë me gazetarin Ilir Babaramo:
Së bashku me Ministrin Haxhinasto besojmë, në krye të dy javëve, do deklarojmë zyrtarisht që kemi rënë dakord me konçesionarin për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare. Menjëherë pas kësaj do të fillojmë me Kukësin; them me kënaqësi që ka kërkesa edhe për aeroportet e jugut.
22 dhjetor 2015, takim me operatorët turistikë:
“Ne kemi rënë dakord me koncesionarin e Rinasit për liberalizimin e fluturimeve ndërkombëtare dhe kemi kërkesa konkrete për aeroporte ‘loë cost’ edhe në Sarandë, edhe në Vlorë. Jam duke folur për kërkesa konkrete. Marrëveshja me koncesionarin po kalon në qeveri dhe Parlament.”
2 shkurt 2016, Komisioni i Ekonomisë në Kuvend:
“Negociatat janë mbyllur me sukses. Dosja është çuar tek bordi i koncesionarit. Do të hiqet ekskluziviteti për një rreze 100 km. Presim oferta për ndërtimin e aeroporteve lokale.”
/l.k./