Flakë në avionin e nisur nga Rinasi, reagon Autoriteti i Aviacionit Civil
Ditën e djeshme, një avion i nisur nga Rinasi drejt Ankonës, pësoi avari menjëherë pas ngritjes, duke u mbushur me tym e duke shkaktuar panik te qytetarët.
Pas uljes së detyruar në Rinas, qytetarë të shumtë reaguan në rrjete sociale dhe pasagjerë në bordin e avionit treguan dhe tmerrin e përjetuar gjatë minutave kur avioni u mbush me tym.
Ditën e sotme, një reagim zyrtar ka ardhur dhe nga Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili sqaron dhe situatën që shkaktoi këtë problem në avionin e linjës Tirana-Ankona.
”Nga raportimet paraprake dyshohet që për shkak të larjes së motorit si pjesë e mirëmbajtjes së programuar një ditë më parë, solucioni i larjes nuk ishte tharë tërësisht, çka ka sjellë edhe tymin dhe erën e rëndë në momentin e ndezjes dhe nisjes”- thuhet në reagimin e Autoritetit të Aviacionit Civil.
Njoftimi i plotë i Autoritetit të Aviacionit Civil
‘Më datë 24 Shkurt 2019 avioni i kompanisë Blue Panorama, nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në orën 07.38 dhe me destinacion qytetin e Ankonas, Itali, ka bërë ulje të detyruar për shkak të konstatimit të tymit dhe një aromë të rëndë në kabinë pak pas ngritjes. Avioni është rikthyer menjëherë në Aeroport dhe është ulur pa probleme në orën 07:53.
Ekspertët e operimit ajror të Autoritetit të Aviacionit Civil, bën mbikqyrjen nga afër të punën së teknikeve të avionit për gjetjen e shkaqeve të kësaj ngjarje pas uljes. Nga raportimet paraprake dyshohet që për shkak të larjes së motorit si pjesë e mirëmbajtjes së programuar një ditë më parë, solucioni i larjes nuk ishte tharë tërësisht, çka ka sjellë edhe tymin dhe erën e rëndë në momentin e ndezjes dhe nisjes./k.j