Trazira të dhunshme në Athinë, Cipras bën thirrjet e fundit për Jo-në
Sondazhet tregojnë fitore të lehtë të Po-së. Përçahet koalicioni qeveritar
Greqia është e qartë se tashmë po shkon drejt një referendumi masiv, rezultatet e të cilit nuk mund të parashikohen dot, pavarësisht sondazheve.
Sidoqoftë, palët janë ravijëzuar dhe dje ka qenë një ditë e ngjeshur me protesta e tubime të të dyja palëve, që përfunduan me ato të pasdites në Athinë. Ndërsa ka dalë dje në mbrëmje para mbështetësve të tij e të votës kundër masave shtrënguese, Kryeministri grek, Aleksis Cipras, ka deklaruar se çfarëdo që të ndodhë gjatë fundjavës, do të jetë një festë e demokracisë.
Ai tha se grekët janë të vendosur t’i marrin fatet e tyre në dorë. “Referendumi i së dielës është për qëndrimin në Europë dhe vendimin për të jetuar me dinjitet në Europë”, tha ai. Më parë, gjatë të enjtes duke u gdhirë e premte, disa qindra anarkistë u përleshën me policinë greke. Trazirat nisën menjëherë pas një proteste që anarkistët bënë ndaj votës “Jo” në referendumin e së dielës.
Policia tha se ndaloi disa të rinj, ndërsa në rrugët e lagjes “Eksarqia” disa makina të parkuara u dëmtuan nga gurët që demonstruesit hodhën në drejtim të forcave të rendit. Tensionet në sheshin kryesor të “Eksarqias” zgjatën për disa orë, për t’u qetësuar disi mëngjesin e djeshëm.
Ndërkohë, autoritetet greke thanë se kishin vënë në alarm mijëra forca të rendit për të parandaluar aktet e dhunës gjatë tubimeve paralele të paralajmëruara të pasdites në Athinë.
Mitingje nga të dyja kampet, të mbështetësve të masave shtrënguese në Greqi dhe të kundërshtarëve të tyre e njëkohësisht mbështetës të radikalëve të majtë, janë shënuar deri orët e fundit të fushatës njëjavore përpara referendumit të së dielës. Policia greke ndërhyri gjithashtu në kampin e protestuesve mbështetës të “Jo”-së, të mbledhur në sheshin qendror të Athinës “Syntagama”, dje në mbrëmje, para mbërritjes së Ciprasit, ku turma priste me padurim ardhjen e Kryeministrit.
Policia hodhi bomba tymuese dhe u përlesh me një duzinë protestuesish, shumica e të cilëve të veshur me të zeza dhe me mburoja në kokë, por situata duket se u mor sërish nën kontroll.