Revista franceze: Shqipëria, perla e re e Ballkanit
Revista franceze “L’Express” e rendit Shqipërinë në vendin e 3-të nga 15 destinacionet turistike për t’u vizituar këtë vit. Në një lajm për vendet më të bukura dhe tërheqëse në Europë, revista e vlerëson Shqipërimë për plazhet, zonat kulturore pjesë të tashëgimisë së UNESCO-s por edhe për çmimet më të lira në Europë.
“Shqipëria, perla e re e Ballkanit” është titulli i zgjedhur nga revista prestigjioze, para prezantimit të vendeve atraktive të Shqipërisë.
“Plazhe po aq të bukura si në Greqi, male si në Zvicër, qytete e zona kulturore pjesë e trashëgimisë së UNECOs, një histori më shumë se 2500-vjeçare mes kulturës romake dhe asaj bizantine, dhe mbi të gjitha çmimet më të lira në Europë”, shkruan “L’Express”.
Më tej revista thotë se ka ardhur koha që Shqipëria të hyjë në listën e vendeve më tërheqëse sa i përket turizmit. Vija bregdetare prej 362 kilometrash kufizohet në jug me Korfuzin, nga Adriatiku me Puglian e kështu i ka bërë italianët të vetmit që e kanë shfrytëzuar këtë, falë distancës gjeografike, por jo edhe për shumë kohë, shkruan “L’Express”, e cila paralajmëron një ‘boom’ vizitorësh në Shqipëri.
Revista shkruan se linja ajërore direkte Tiranë – Paris që sapo u inagurua, do të ndihmojë mjaft në sjelljen e turistëve francez në Shqipëri.