Sot, 12 vjetori i lumturimit të Nënë Terezës
Sot është kujtuar 12 vjetori i Lumturimit të Nënë Terezës me një cermoni të organizuar nga “Peace Corp Albania”, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Ministria e Mireqenies Sociale dhe Rinisë, pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile, aktive në fushën e vullnetarizmit, si dhe të rinj vullnetarë.
Nënë Tereza është lumturuar nga Papa Gjon Pali II, 12 vite më pare, në vitin 2003. Takimi kishte për qëllim jo vetëm përkujtimin dhe lartësimin e figurës, por më së shumti, të punës së saj të përditshme në shërbim të paqes dhe solidaritetit njerëzor me më të varfrit dhe ata që janë në nevojë.
Në aktivitetin me temë “Nënë Tereza, Ambasadore e Paqes dhe Vullnetarizmit”,, ministri Blendi Klosi tha se “Gonxhe Bojaxhi ishte simboli i madh për më të varfërit dhe çmimin e madh Nobelistja e paqes e mori siç thoshte dhe vetë “jo duke bërë punë të mëdha, por duke bërë çdo ditë një punë në shërbim të komunitetit”.
Ndërsa kryeministri Rama e vlerësoi Nënë Terezën si ambasadore të paqes dhe vullnetarizmit, që me përkushtimin e saj deri në vetëmohim ndaj njerëzve në nevojë, ndoqi një rrugë plot sakrificë drejt të cilit duhet të ecin të gjithë.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.
Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Urdhëri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. /m.g