Transparency International: “Shqipëria një ndër 4 vendet me politikanë më të korruptuar”
Organizata “Transparency International” publikoi sot raportin “Njerëzit dhe korrupsioni; Evropa dhe Azia Qendrore”, rezultatet e të cilit janë mbledhur përmes intervistave me 60 mijë njerëz në 42 shtete.
Pjesë e këtij raporti është edhe Shqipëria, ku në periudhën janar-mars 2016 u intervistuan 1500 qytetarë mbi eksperiencat e tyre me korrupsionin në shërbimet publike, policinë rrugore, lëshimin e dokumenteve, gjykatat, arsimi dhe shëndetësia.
Me një nivel ryshfeti prej 34%, vendi ynë renditet i pari në rajon dhe një prej 4 shteteve ku ryshfeti në këmbim të shërbimeve është më i përhapur duke lënë pas vetëm Moldavinë (42%), Ukrainën (38%) dhe qëndron në të njëjtin nivel me Rusinë (34%).
Megjithatë të dhënat tregojnë se në Shqipëri rreziku nga korrupsioni perceptohet si mesatar, ndryshe nga Kosova dhe Spanja që e klasifikojnë korrupsionin si një ndër tre problemet kryesore, megjithëse kanë nivele ryshfeti respektivisht 10 dhe 3 përqind.

Infografikë mbi nivelin e rryshfetit në Evropë dhe Azinë Qendrore
Rezulatet e studimit tregojnë se në Shqipëri përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin vlerësohen si mesatare. Por në kontrast nga ky perceptim, qytetarët shqiptarë e klasifikojnë klasën e tyre politike si një nga më të korruptuarat.
“Qytetarët e Ukrainës, Shqipërisë, Bosnjes dhe Rumanisë janë më të prirur në mendimin se deputetët në Parlamentet e tyre janë shumë të korruptuar. Në këto vende, më shumë se gjysma mendojnë se përfaqësuesit e tyre janë të korruptuar, shifra që rriten në ¾ për Moldavinë,” thuhet në raport.
Për të gjithë vendet e përfshira në anketim, “Transparency International” ka dhënë katër rekomandime:
- Shtetet duhet të adaptojnë rregulla transparence dhe të sigurohen që informacionet mbi vendimet apo aktivitetet politike të jenë të publikuara dhe lehtësisht të aksesueshme.
- Qeveritë sigurojnë pavarësinë e Gjyqësorit, sidomos në vendet që janë në bisedime për anëtarësim në BE duke reduktuar ndikimin e Ekzekutivit mbi sistemin e drejtësisë.
- Shtetet duhet të adoptojnë dhe përforcojnë ligjet që mbrojnë raportuesit e korrupsionit, në mbështetje të standardeve ndërkombëtare.
- Qeveritë dhe sektori privat duhet të mbështesin raportuesit e korrupsionit dhe të sigurojnë që çështjet e ngritura nga ata të çohen deri në fund.
Kliko këtu për të shkarkuar raportin e plotë.
/l.k./