“Turpi për të treguar problemet e gjirit po më rrezikon jetën”
Ajo kurrë nuk e kishte menduar që mund të ishte një prej viktimave të kancerit të gjirit, por sot vuan për shkak të kësaj sëmundjeje. Manushaqe Todaj, 40-vjeçarja nga origjinë nga qyteti i Kukësit, por që prej 9 vitesh jeton në zonën e Paskuqanit në Tiranë po lufton çdo ditë më sëmundjen.
E vendosur për t’i bërë ballë, sepse i duhet të kujdeset për bijën e saj të vetme, por beteja i duket e vështirë. Në një intervistë për gazetën ajo tregon dhimbjen e saj dhe vështirësitë e përballjes me kancerin dhe u bën thirrje të gjitha grave që për çdo shqetësim të vogël të drejtohen te mjeku. Për shkak të mungesës së informacionit rreth sëmundjes dhe druajtjes për të treguar rreth shqetësimeve që kishte në gji, ajo u zbulua kur gjëndra kishte arritur 20 cm.
Manushaqja është diagnostikuar para 3 vitesh dhe për fat të keq në stad të avancuar, çka e ka bërë shumë të vështirë trajtimin e saj. Këto tre vite kanë qenë një tmerr për të, pasi ka kryer 6 operacione, ku ka hequr një gji dhe gjysmën e gjirit tjetër. Sikur të mos mjaftonte kjo, një vit më parë, i shoqi i saj u nda nga jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë, duke e lënë vetëm me vajzën 17-vjeçare.
Tanimë, i duhet të përballet me një sërë problemesh, sëmundja dhe mungesa e të ardhurave. Ajo merr vetëm 17 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike dhe me aq para nuk blen dot as bukën e jo më barna. Meraku më i madh i Manushaqes është e bija, e cila nuk ka askënd veç nënës së saj. Mes lotësh Manushaqja rrëfen jetën e vështirë dhe vdekjen e 4 prej fëmijëve të saj.
Zonja Manushaqe, si e zbuluat që ishit me kancer në gji?
E pashë rastësisht në banjë teksa po lahesha. Më rridhte gjiri, më para, nuk dija gjë, zor më vinte të tregoja. Dihet si i kemi traditat ne. Më rridhte gjoksi, vinte erë dhe kjo ka vazhduar për një kohë të gjatë. Nuk kam pasur dhimbje gjiri vetëm rrjedhje. Nuk kisha as informacion, s’e kisha idenë si ishte kjo sëmundje. Edhe pas këtyre shqetësimeve nuk shkova te mjeku. Te mjeku shkova pasi dëgjova në media ku bënin thirrje për të bërë kontrolle për sëmundjen, u drejtova për të bërë mamografi. Sapo kam shkuar me datë 30 gusht të vitit 2012 më kanë futur direkt në sallë të operacionit.
Kur e zbuluat, në çfarë moshe?
Unë isha 37 vjeç atëherë dhe prej 3 vitesh luftoj më këtë sëmundje. Unë sot jam 40 vjeç, por po kaloj vuajtje të mëdha. Nëse do e kisha kapur më parë, mjekët më thanë që edhe do mund të isha shëruar. Nuk e kam dalluar ose më saktë i kam neglizhuar shqetësimet që kisha. Vetëm një ditë, kur u futa për t’u larë pashë një gjëndër të madhe në gji. Shkova në onkologjik dhe kishte shkuar 20 cm. Më kanë futur menjëherë në sallë të operacionit. E kam zbuluar shumë vonë.
Sa operacione keni kryer në këto 3 vite?
Jam operuar gjashtë herë në gji. E kam hequr njërin gji dhe gjithashtu kam hequr edhe gjysmën e tjetrit. Më kanë thënë që edhe te gjiri tjetër të kanë dalë gjëndra. Kam 3 vjet që vuaj. Kam 8 muaj që kam filluar kimioterapinë. Në dy operacionet e fundit që kam bërë kam shkuar me vajzën. Ajo qante, ishte vetëm korridoreve të spitalit, pa asnjë njeri. Më shtohen gjëndrat në gjoks në mënyrë të frikshme. Ka një vit që më ka vdekur burri nga një sëmundje e keqe, kancer në stomak. Sëmundja i mori sytë, këmbët dhe për 6 muaj e mori vdekja. Ai qante hallin tim, sepse në atë kohë isha diagnostikuar me kancer, por vdiq. Unë isha e sëmurë para se të merrnin vesh që edhe ai vuante.
Prej një viti bashkëshorti juaj më thatë që është ndarë nga jeta dhe ju jetoni vetëm me vajzën. Për shkak të sëmundjes ju e keni të pamundur që të punoni. Si i përballoni shpenzimet e ilaçeve dhe të vajzës njëkohësisht?
Vetëm këtë fëmijë kam, nuk ka asnjë lloj të ardhure dhe nuk arrij dot të përballoj shpenzimet, spitalet, ilaçet dhe shpenzimet për vajzën. Më kanë ndihmuar njerëzit për librat, më kanë sjellë lekë nga jashtë për t’i blerë vajzës. Nuk mund t’i përballoj me 17 mijë lekë ndihmë ekonomike që marr në muaj. Jam borxh nëpër dyqane, te furra e bukës po, pasi nuk kam ku ta pjek bukën, sepse nuk i përballoj dot të paguaj dhe dritat. Gjithashtu, edhe gjendja shëndetësore më pengon të bëj një jetë normale. Ilaçet i kam marrë borxh te farmacia. Më sollën lekë ata të xhamisë që ndodhet këtu pranë dhe më ato para lava borxhet që kam marrë për të blerë barna. Po të mos ishin ndihmat e xhamisë nuk e di çfarë do kisha bërë. Me lekët që më dhanë kam bërë edhe kimioterapinë.
Kush kujdeset për ju veç vajzës suaj të mitur?
Më shumë vajza ka ndenjur pas meje, sepse halli im është i tillë që kam nevojë për dikë që të më mbështesë, të më shërbejë dhe ajo m’i bën të gjitha shërbimet. Askush nuk më ndihmon, nuk do t’ia dijë njeri, mirë për mua, por as për vajzën. Vajza është 17 vjeç, e kam fëmijë të vetëm. Katër fëmijë të tjerë më kanë vdekur. Lindnin dhe vdisnin, nga 2-3 muajsh. Dhe Albionën e kam me probleme. Ka shumë rruaza të bardha gjaku, por nuk kam pasur mundësi që t’i bie mbrapa.
Vajza juaj, Albiona, thotë që e tallin shokët dhe shoqet në shkollë. Për çfarë arsyeje?
Ajo është te shkolla e mesme “Isa Boletini” në Paskuqan, në vit të parë. Unë siç e theksova marr vetëm 17 mijë lekë ndihmë ekonomike. Librat nuk ia kam marrë të gjitha. Kushtojnë shumë, gjermanishtja 20 mijë lekë të vjetra dhe anglishtja po ashtu. I kam shkuar drejtorit dhe i kam thënë që nuk kam me çfarë t’ia blej, jam shumë keq nga ana financiare dhe vetë jam e sëmurë. Më ka thënë nuk kam çfarë të bëj, shkolla e mesme nuk është me detyrim, nëse do sille, nëse nuk do, mos e sill. ‘Nuk kam çfarë të bëj, nuk i nxjerr dot nga xhepi im’, më është përgjigjur. Më tha që paguaji se do kompensohen më pas, por i thashë që nuk kam ku t’i marr. Po t’i kem nuk vij dhe të lutem këtu në sy të të gjithëve. Vajza më thotë o ma më qeshin fëmijët e tjerë, sepse nuk kam lekë për të paguar librat. Le të qeshin i kam thënë, ti e di si e kam hallin. Më vjen turp më thotë, pasi edhe mësuesja ia përmend çdo ditë mungesën e librave.
Prej sa vitesh jetoni në Paskuqan, ku keni banuar më parë?
Këtë shtëpinë ku jetoj aktualisht ma ka falur motra ime. Kam dy dhoma këtu. Ujë jam me origjinë nga Kukësi, por kemi jetuar në Lushnjë. Kur më vdiqën 4 fëmijët u largova dhe u vendosa këtu në Paskuqan. Kam 9 vite që jetoj këtu. Divanet m’i kanë falur për Bajram njerëzit. Goca fle me mua, kujdeset çdo moment për mua. Të gjitha ajo i bën, edhe gatimin dhe punët e shtëpisë.
Çfarë këshille do të jepnit për gratë e tjera?
U bëj thirrje të gjitha grave që të tregojnë shumë kujdes. Të mos e lënë veten si unë. Të shkojnë te mjeku nëse kanë shqetësime. Nëse unë do kisha shkuar më herët, sot nuk do isha në këtë gjendje, ku vetëm në 3 vite kam bërë 6 operacione dhe gjendja sa vjen e përkeqësohet.
Rrëfimi
E bija: Dëshira më e madhe është të më shërohet nëna
Albiona Todaj është 17 vjeç dhe aktualisht është në vitin e parë gjimnaz. Vuajtjet dhe problemet e vazhdueshme të familjes e kanë rritur para kohe. Edhe ajo ka dëshira dhe ëndrra, por ndryshe nga fëmijët e tjerë, janë kërkesa minimale dhe thelbësore. Të ketë një shtëpi normale, të ketë para për të blerë librat, por dëshira më e madhe që ajo ka është t’i shërohet mami. Albiona është fëmijë i vetëm, pasi për fat të keq 4 fëmijët e tjerë të Manushaqes nuk arritën të jetonin. Më e dhimbshme është që vajza sot nuk ka asnjë veç mamasë, ndaj dhe sytë e Albionës janë të drejtuar dhe presin nga ajo. Sëmundja i mori të atin një vit më parë dhe ende nuk e ka kaluar tronditjen e vdekjes së papritur të babait. “Unë jam shumë mirë me mësime. Dëshira më e madhe është të shërohet mami. Të kem dhe unë lekë për të blerë libra. Do doja ta kisha shtëpinë e rregulluar. I kam sytë dhe zemrën vetëm te mami për momentin. Kam qejf në të ardhmen të bëhem mësuese matematike”, rrëfen Albiona.