Zemerimi me kopertinen e revistes Rolling Stones…
Ka shkaktuar një zemërim të vërtetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës revista e njohur “Rolling Stone”, që ka vendosur në foton kryesore të kopertinës Dzhokhar Tsarnaev, të akuzuar për bombat në Boston.
Kryebashkiaku i Bostonit, Thomas Menino tha se është një turp i madh. Sipas tij, nëse revista donte një kopertinë për këtë ngjarje, të kishte vendosur të mbijetuarit ose ekipet e emergjencës.
Zemërimi ka përfshirë rrjetet sociale.
“Pse ka dalë ky njeri në kopertinën e Rolling Stone? Mos i bëni martirë këta njerëz,” thotë një përdoruese e Facebook-ut.
“Çfarë tmerri, një vrasës prezantohet si një rock-star,” shkruan një tjetër.
Më shumë se 15 mijë komente, shumica dërrmuese negative, janë postuar në faqen në Facebook të revistës.
Rrjeti i njohur i shitjeve CVS ka deklaruar se do të bojkotojë blerjen e revistave Rolling Stone. Kështu kanë vepruar edhe disa firma të tjera.
Një nga pjesëmarrësit në maratonë thotë se për më tepër, ai në kopertinë shfaqet sikur të ishte një tip i këndshëm, një këngëtar simpatik.
Republikani Donald Trump është edhe më agresiv.
“Vetëm në Amerikë mundet që një xhihadist që vret fëmijë e gra të trajtohet me shërbim shëndetësor dhe të dalë në kopertinë reviste,” shkruan ai.
Por artikulli i shkruar nga Rolling Stone, që trajton mënyrën se si u bë radikal një student premtues, është pëlqyer, duke u vlerësuar si një shkrim i mirë gazetaresk.
Vetë revista është mbrojtur duke thënë se ata po bëjnë gazetari si gjithmonë.
“Zemra jonë është me viktimat e bombave të Bostonit dhe mendimet tona gjithmonë do jenë me ta dhe familjet e tyre.
Kopertina e revistës, që po publikojmë këtë javë, është brenda traditave të gazetarisë dhe angazhimit të përhershëm të Rolling Stone për të sjellë një mbulim të matur e të kujdesshëm të ngjarjeve më të rëndësishme të kohës. Fakti se Dzhokhar Tsarnaev është i ri dhe në atë grupmoshe si lexuesit tanë, e bën më të rëndësishme për ne që të shqyrtojmë kompleksitetin e kësaj çështje dhe të fitojmë një kuptim më të plotë se si mund të ndodhë një tragjedi si kjo,” thuhet në reagimin e revistës. /TemA/