Sipas studimeve botërore 2 – 12% e popullsisë së një vendi i përket komunitetit LGBTI. Të dhënat zyrtare të KQZ tregojnë se në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri numri i votuesve të regjistruar ishte 3.271.885 nga të cilët rreth 110.000 janë pjesëtarë të komunitetit LGBTI.
Gjatë monitorimit të medias në kuadër të kësaj nisme, janë identifikuar disa prej politikanëve që kanë mbajtur publikisht qëndrime homofobike ndaj komunitetit LGBTI. Publikimi i këtyre deklaratave bëhet me qëllim që t’ju kujtojë politikanëve se nuk janë zgjedhur për të shpërndarë urrejtje e për të diskriminuar por për të përfaqësuar denjësisht votuesit e tyre, pjesë e të cilëve janë edhe personat LGBTI.
Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, ish-ministër i shëndetësisë, e konsideron ende homoseksualitetin si një sëmundje dhe deviancë, duke thënë se Parlamenti shqiptar “Nuk është imun nga të tilla devianca”.

Nuk kanë munguar as fyerjet nga personazhe të politikës shqiptare si “Kaubojsi” Eduart Ndocaj, deputet dhe kryetar i PBDKSH. Gjatë një intervistë në emisionin “Të paekspozuarit”, ai shpreh me krenari qëndrimin e tij si demokristian kundër komunitetit LGBTI duke vazhduar më tej me një fyerje të qartë, ku krahason LGBTI me një targë makine.

Mesila Doda, deputete e PDIU, është shprehur gjatë një debati në emisionin “Opinion” të datës 18 maj 2017, se një ndër kauzat kryesore që partia e saj ka mbajtur në këtë 4 vjeçar ishte mos lejimi i martesave brenda të njëjtës gjini.

Tritan Shehu, Drejtues i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, mendon se hapja e rrugës për bashkëjetesat mes personave të së njëjtës gjini do të shkatërrojë të ardhmen e fëmijëve, familjen dhe traditën e saj dhe të njerëzimit.

Për më shumë informacione rreth projektit: mendopolitikisht.historiaime.al
Rrjeti mediatik “Al Jazeera” ka realizuar një dokumentar mbi historinë e grave të një familje nga Shkodra që vuajnë pasojat e gjakmarrjes. Në banesën ku jetojnë nuk ka më burra dhe djem veç gjyshit të moshuar, pasi të gjithë janë larguar.
Paulini, babai i dy vajzave është larguar nga Shqipëria drejt Londrës ku ka plotësuar dokumentet për azil dhe ka marrë statusin e refugjatit. Ndërkohë e shoqja e Paulinit, Rrezarta, së bashku me dy vajzat jetojnë mes frikës për jetët e tyre dhe padurimit për t’iu rikthyer një jete normale jashtë kufijve të Shqipërisë.
Shkrimi dhe dokumentari i plotë i Al Jazeera
Gjakmarrja e mban Betën dhe motrën e saj të bllokuar në shtëpi, duke shpresuar se azili i kërkuar nga babai i tyre në Angli mund të sigurojë një ‘arratisje’ nga vendi.
Tre vite më parë vëllai i Betës vrau një tjetër djalë të fshatit në veri të Shqipërisë duke shkaktuar një gjakmarrje ndaj familjes. Teksa vëllai i saj u dërgua në burg nga Gjykata Shqiptare, kërcënimi për hakmarrje ndaj familjes mbetet për shkak të përhapjes së gjerë të një kodi të shekullit të 15-të, i njohur si “Kanuni”.
Ky sistem alternativ i drejtësisë thotë që “Vrasja duhet të hakmerret për të rivendosur nderin e familjes”. Pas krimit nga i biri kryefamiljari, babai i Betës, Paulini u largua në Londër me shpresën për të marrë azil, duke lënë Betën dhe motrën e saj të mbyllura në shtëpinë e familjes për sigurinë e tyre.
Beta po rritet gjithnjë e më shumë e mërzitur nga izolimi i saj që gjithashtu e ka penguar atë të shkojë në shkollë. Shpresa e vetme tani është që babai i saj të marrë azilin dhe ajo e motra e saj mund t’i shpëtojnë këtij “dënim të vetëvendosur”.
Është një fakt i mirënjohur që artistët prodhojnë krijimtarinë e tyre në përputhje me eksperiencat e tyre në jetë-sidomos me mënyrën sesi rriten dhe edukohen. Kjo është e konkretizuar në rastin e Grace Jones, këngëtarja ikonike, modelja, muza, aktorja dhe artistja e performancave të zjarrta. Edhe pse njihet për flirtimin e saj me stereotipet gjinore dhe lojën me identitetin seksual, Jones u rrit në një familje shumë tradicionale në Xhamajkë. Pas transferimit në Shtete e Bashkuara të Amerikës në moshë të vogël ajo nisi të testojë limitet e saj- një rrugë që do ta çonte Grace-in në thyerjen e të gjitha tabuve dhe limiteve me veten.
E njohur nga shumë agjenci modelingu për tiparet e saj të theksuara, shpesh e dyzuar mes feminilitetit dhe maskulinitetit, Jones kujton në publikimin e autobiografisë së saj kontaktet e saj të para me kulturën gej dhe frekuentimin e klubeve, të cilat ishin miqësore ndaj komunitetit LGBT.
Një ekstrakt nga autobiografia:
“ Nisa të dal në klubet e gejve së bashku me vëllain tim Chris, ky i fundit gej. Babai im ishte shumë i sikletosur me faktin që Chris kishte këtë orientim seksual. Ishte një presion psikologjik I rëndë për një prift si im atë që të lejonte djalin e tij të ishte gej, kur ndërkohë në qytezën xhamajkane ku ne jetonim fëmijët e priftit duhet të shërbenin si shembull për komunitetin fetar.
Po më e vështirë ishte për vetë Chris-in. Ai kishte lindur me tipare shumë femërore. Unë ndihesha shumë e lidhur me Chrisin sikur të ishim binjakë. Ndonjëherë realisht e mendoja veten të lidhur me të në barkun e nënës. Unë linda me tipare më shumë mashkullore, një vajzë që mori tiparet burrërore që Chrisit i mungonin. Kurse Chris-i mori feminitetin që unë se pata. Në Xhamajkë ai abuzohej fizikisht për të qenurit një djalë me pamjen e një vajze. Tani kohët kanë ndryshuar por atëherë ka qenë një periudhë shumë e zezë.
Ka disa gjene në bagazhin kromozomik të ADN sonë që e mbart një identitet të caktuar gjinor. Për individë si Chris, që prej minutës kur ata fillojnë dhe ecin, përpara se të futen në kontakt me botën e të mësojnë prej saj, ekziston një element feminin. Chris ngacmohej për këtë fakt, për mospërputhjen e seksit të tij mashkullor me sjelljen dhe pamjen e tij femërore. Një ditë Chris po më rrëfehej mes lotësh se ai ishte përdhunuar nga një burrë i bardhë i martuar dhe kjo eksperiencë e kishte impaktuar rrënjësisht atë.
Ai madje shkoi për trajtim mjekësor tek një psikiatër, për të vënë në vijë ndjesitë dhe mendimet e tij të çorientuara në atë kohë. Chris thoshte shpesh se ai i dashuronte femrat, por nuk mund të kishte një të dashur që do të mund të kuptonte e të pranonte feminitetin e tij. Për Chris të gjithë aludonin se ai ishte gei pasi ishte shumë feminine në sytë e të gjithëve. Për këtë arsye unë vetë vendosa të luaj me perceptimet e njerëzve për identitetin gjinor dhe ta paraqes atë sa më fluid”.
Përgjatë viteve 80’ Grace ishte shndërruar në një ikonë për komunitetin LGBT me pamjen e saj prej hermafroditeje duke promovuar idenë se etiketimet nuk duhet të ekzistojnë dhe gjithë secili duhet të sillet ashtu siç ndihet më mirë. Ajo kishte arritur të ndërtone një karrierë të suksesshme në modeling, aktrim dhe duke nënshkruar me shtëpi të famshme diskografike si “Island records”, “Manhattan records”, “Wall of sound” etj.
Më poshtë është e zbardhur një intervistë me natyrë seksiste me Grace-in, teksa ajo shpjegon për identitetin e saj gjinor të shkrirë midis dikotomisë femër-mashkull.
Moderatori: Më duhet të ndihem i shqetësuar që po ju intervistoj ju?
Grace: Pse duhet të ndihesh? Nuk e kuptoj pse…
Moderatori: Për shkak të reputacionit famëkeq për sulmin që ju i bëtë moderatorit teksa ju ktheu shpinën në një emision të transmetuar drejtpërdrejtë.
Grace: Po edhe….Vetëm për këtë e gëzoj këtë reputacion famëkeq.
Moderatori: Realisht njihesh si një grua shumë agresive.
Grace: Mendoj se të qenurit agresive në një mënyrë poztive më ndihmon të mbroj veten nga njerëz të ndryshëm…
Moderatori: Mund të të pyes në lidhje me si e shikon veten tënde?
Grace: Unë jam thjesht skizofrene ( qesh ), kam luhatje humori dhe emocione si cdo qenie njerëzore normale…
Moderatori: A je feminine? Të pëlqen maskuliniteti?
Grace: Më pëlqen që unë i kam të dyja, por realisht nuk ka shumë lidhje të qenurit mashkullore, më shumë qëndrimi im mashkullor. Maskuliniteti? Ma thuaj ti të lutem cfarë është maskuliniteti pasi po konfuzohem…Kam jetuar e rrethuar nga burra si babai im fanatik fetar, gjyshërit dhe shumë të tjerë, mësova dhe u influencova nga sjelljet e tyre.
Moderatori: A ka ndikuar kjo në orientim tënd seksual? A të pëlqejnë vajzat?
Grace: Hmm them se i pëlqej vajzat pasi nëse sdo të më pëlqenin, nuk do të më pëlqente as vetja ime. Nëse sdo të më pëlqenin vajzat do të ishte njësoj si të thoja që se shoh veten time si tërheqëse.
Moderatori: A të bën kjo një biseksuale?
Grace: E shoh si qesharake këtë kategorizimin e orientimeve seksuale, ndarjen dhe krahasimin midis ndjenjave, thjesht bëj atë cfarë dua në mënyrën më të lirë të mundshme.
U mbajt dje ceremonia e inaugurimit të sheshit “Skënderbej”, të kthyer në pedonale për qytetarët e Tiranës.
Ky projekt finalizon punën një vjeçare të projekt-zbatimit e cila e ka kthyer sheshin në një sipërfaqe prej 23 mijë metrash katrorë në shërbim të këmbësorëve.
Sipas të dhënave publikuara nga Bashkia Tiranë, sheshi ka 11 lulishte me lule të mbjella dhe 95 specie pemësh rezistente ndaj klimës së Tiranës, rreth 100 shatërvanë, instalacione për meditim dhe një parkim nëntokësor me pagesë me kapacitet prej 300 makinash.
Mbrëmja inauguruese u shoqërua me një koncert polifonik me muzikantë të ftuar nga treva të ndryshme shqiptare që zgjati deri në mesnatë.
Disa nga qytetarët që shëtitën dhe panë sheshin “Skënderbej” treguan përshtypjet e tyre për Historia Ime
Ajmona Hoxha, arkitekte pranë studios që zbatoi këtë projekt, tregon për Historia Ime disa nga karakteristika që sipas saj e bëjnë këtë shesh të veçantë nga gjithë hapësirat e tjera publike në Tiranë
/k.m/
Një vëzhgim i kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në burgun e Peqinit nxjerr në pah fakte shqetësuese mbi përjashtimin e shtetasve shqiptarë nga e drejta për të votuar. Sipas ligjit shqiptar, shtetasit e dënuar me burgim me vendim të formës së prerë për një sërë akuzash nuk kanë të drejtë të votojnë e as të zgjidhen.
Megjithatë, në nenin 30 të Kushtetutës thuhet: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”.
Nga verifikimi i KShH në burgun e Peqinit, rezulton se 23 të paraburgosur nuk janë përfshirë në listat e zgjedhësve të 25 qershorit 2017. Në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, pasi 23 personat që po qëndrojnë në paraburgim gëzojnë të drejtë të plotë për të votuar, deri në momentin që ndaj tyre nuk është marrë asnjë vendim i formës së prerë për asnjë nga 86 veprat penale që parashikon ligji 138/2015.
Drejtuesit e burgut të Peqinit të pyetur nga përfaqësues të KShH, deklaruan se nuk kan marrë asnjë udhëzim për këtë çështje, ndaj në listë janë përfshirë të gjithë personat që janë dënuar ose akuzohen për veprat penale që parashikon ligji.
“Duke marrë shkas nga ky vëzhgim dhe nga deklaratat e drejtuesve të këtij burgu, ka të drejtë të ngrejë dyshimin e arsyeshëm se shkelje të kësaj të drejte mund të kenë ndodhur edhe në burgje të tjera të vendit”, thuhet në njoftimin e KShH.
KShH i ka sugjeruar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të marrin masa për rivendosjen e të drejtës së shkelur dhe ta verifikojnë këtë çështje në shkallë vendi që ky fenomen mos të ndodhë në burgje të tjera.
/l.k./
Pas vitesh të tëra urrejtje për veten, kjo grua trangjinore i dedikon një letër dashurie trupit të saj. Sabel Samone-Loreca, një e infektuar me virusin HIV dhe njëkohësisht një grua me ngjyrë transgjinore, i dedikon një letër trupit të saj. Më poshtë gjendet në formën e skriptit letra e transgjinores Sabel-Samone Loreca, e lexuar nga vetë ajo në videon e realizuar.
“Përshëndetje trupi im,
Kur isha më e re unë të urreja ty, për faktin se isha me ngjyrë, ndihesha shumë femërore dhe shumë e dobët. Ti më konfuzove, ti më dhe trupin e një djali, dhe jo atë të vajzës që unë ndihesha së brendshmi.
Ti ke kaluar shumë lloje abuzimesh, abuzimin fizik, seksual, unë të infektova ty me virusin HIV, hepatitin C, unë të përdora ty…
Unë abuzova me ty nëpërmjet drogave që konsumova për të mpirë ndjenjat.
Unë të kam përdorur…
Kam tentuar disa herë që të të vrisja, por njëkohësisht nuk doja që të vdisje.
Por një ditë ne e gjetëm njëri-tjetrin dhe e dija se cfarë duhet të bëja.
Mëma Tokë më dha forcën që të bëhesha “AJO”.
Mëma Tokë tha se forca e vërtetë qëndron brenda trupit tonë. Ngadalë unë nisa ta dashuroj këtë trup me ngjyrë duke i dhënë atij shpresë dhe dashuri. Unë shikoj në pasqyrë një trup të vjetër dhe transgjinor dhe e dashuroj atë, i stolisur me tatuazhe të cilat më kujtojnë udhëtimin që kemi realziuar së bashku dhe për mësimet në jetë që kemi mësuar.
Trupi im i dashur së shpejti do të bëhesh 50 vjeç dhe do të bëhesh diçka që unë më përpara mendoja se s’do ta arrija kurrë.
Sot unë hedh sytë tek trupi im dhe e them me plot gojë se e dua dhe të falenderoj për këtë udhëtim që ne e realizuam së bashku.
Jam krenare për ty trupi im sepse ti je me ngjyrë, transgjinor dhe unë të dua”.
Sabel Samone-Loreca jeton në Los Anxhelos. Ajo punon në komisionin e këtij vendi për të ndihmuar të infektuarit me virusin HIV. Sabel ka kryer së fundmi operacionet kirurgjikale për ndërrimin e gjinisë.
“Jeta ëshët një udhëtim që kurrë nuk resht së dhëni. Kurrë mos u dorëzo së përpjekuri për të arritur atë që do. Frika e sotme do të shndërrohet në gëzimin tënd të së nesërmes. Unë jam duke e jetuar ëndrrën time”.
Video: The Scene, Facebook
Një nga faktorët që mund të ndikojnë në përzgjedhjen e universitetit janë edhe tarifat e studimit që studentët që hyjnë për herë të parë në universitet duhet të paguajnë. Pasi përveç tarifës vjetore të studimit, ata duhet të paguajnë edhe 4 tarifa të tjera. Me hyrjen në fuqi të ligjit “Për Arsimin e Lartë” tarifat vjetore kanë ndryshuar, në jo pak prej universiteteve ato janë rritur dhe deri dyfishuar.
Për studentët që do të nisin universitetin në vitin akademik 2017-2018, tarifat variojnë nga 25 mijë lekë në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për ciklin e parë të studimeve (Bachelor), deri në 40 mijë lekë në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Shkencave Sociale. Ndërkohë, për ciklin e dytë të studimeve studentët do të duhet të paguajnë në varësi të programit duke filluar nga 63 mijë Lekë deri në 204 mijë lekë.
Në universitetet publike pranohen çdo vit 22.420 studentë për të cilët tarifat janë unifikuar në pjesën më të madhe të fakulteteve.
Burimi: ATA
Politikani irlandez , i cili e ka shpallur publikisht që është gej, është zgjedhur si kryeministri i ri i Irlandës. Shteti irlandez njihet për vlerat e forta katolike, por pavarësisht kësaj ka bërë progres në çështjet e komunitetit LGBT në vitet e fundit.
Një referendum i vitit 2015 ka sjellë si risi për vendin martesat brenda së njëjtës gjini. Më shumë progres u shfaq ditën e djeshme kur politikani, Leo Varadkar u konfirmua si kryeministri i ardhshëm i vendit – lideri botëror i katërt në historinë moderne, publikisht i vetë-deklaruar si gej.
Politikani i cili ka shërbyer si Ministër i Mbrojtjes sociale, fitoi përkundrejt kundërshtarit të tij Simon Coveney me 60% të votave nga kolegji zgjedhor. Zoti Varadkar mbetet kryeministri i parë mes katër të tjerëve publikisht gej në historinë globale. Për momentin është vetëm një tjetër kryeministër gei duke shërbyer këtë detyrë, konkretisht kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel.
Në fjalimin e tij të fitores ai theksoi se emërimi i tij si kryeministër midis të gjithash tregon për rezultate progresiste dhe se paragjykimet nuk kanë vend në republikën irlandeze. Ai shtoi se babai i tij- një emigrant indian- do të ishte krenar që djali i tij do të gjykohej vetëm në bazë të veprimeve të tij, jo prej origjinës apo identitetit seksual.
“Miq të dashur, sot jam më se i nderuar për emërimin tim si lider i partisë pozitare. E pranoj këtë post me përkulje ndaj jush, por jam edhe i ndërgjegjshëm për sfidat që na presin përpara. Dua gjithashtu të falenderoj cilindo që u përfshi në një proces të tillë demokratik. Për ju që më mbështetët ju shpreh falenderimet e mia më të përzemërta duke iu premtuar se nuk do t’ju zhgënjej. Për ata që nuk më mbështetën, shpresoj që të fitoj besimin tuaj në vitet në vazhdim”.
Fitorja e tij u përshëndet dhe përgëzua nga aktivistët e komunitetit LGBT.
Moninne Griffith, drejtoreshë ekzekutive e “BeLong to Youth services” organizatë jo-qeveritare për mbështetjen e komunitetit LGBT në Irlandë shprehet ”Është një ditë historike për komunitetin LGBT+dhe me të vërtetë për të gjithë Irlandën teksa ne mirëpresim kryeministrin e parë publikisht gej, Leo Varadkar. Ky përbën një hap të madh drejt progresit për Irlandën dhe ne e përgëzojmë faktin se gara politike u fokusua në politikat dhe çështjet e saj, jo në orientimet seksuale”.
“Padyshim që ka ndodhur një ndryshim rrënjësor në Irlandë që prej ditës kur ndodhi referendumi për martesat brenda së njëjtës gjini. Por na duhet të jemi realist dhe të kujtojmë se ka akoma me mijëra të rinj nga komuniteti LGBT+ që vijojnë të hasin bullizëm, ngacmime për shkak të orientimit të tyre seksual dhe identitetit gjinor”
“Ka pasur një rritje në aksesin e të rinjve për shërbimet tona të ndryshme që prej referendumit. Çdo javë ne kemi rreth 150 të rinj që kërkojnë asistencë në shërbimet tona në Dublin dhe qindra të tjerë mbështeten nëpërmjet rrjetit kombëtar të grupeve tona të punës LGBT+”.
“Ne jemi të motivuar më shumë se kurrë për të përfaqësuar të rinjtë LGBT+ si edhe familjet e tyre duke nxitur bashkëpunimin me kryeministrin e ardhshëm irlandez”.
Përpara zgjedhjeve politike, politikani në fjalë doli hapur në një lidhje me partnerin e tij prej dy vitesh tashmë, doktorin Matt Barrett. Ai shprehet: ”Nuk është diçka që më definon mua. Unë nuk jam as politikani gjysmë indian, as politikani gej. Është thjesht pjesë e asaj çfarë jam unë, pa më përcaktuar në veçanti për këtë. Është thjesht pjesë e karakterit tim”.
Bëri jehonë në media dy vite më parë rasti i shkollës “Naim Frashëri” në Korçë ku 100% e nxënësve të saj ishin fëmijë nga komuniteti Rom dhe Egjiptian. Grumbullimi i fëmijëve Romë dhe Egjiptian në një shkollë të veçantë nxit edhe më shumë izolimin e tyre në shoqëri. Gazeta Standard ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje problematikën e cila vazhdon edhe sot pas dy vitesh.
Ende sot 283 fëmijë Rom dhe Egjiptian vazhdojnë të studiojnë në shkollën 9-vjeçare që gjendet në periferi të qytetit të Korçës. Sipas aktivistes Eva Tare, segregimi i shkollës filloi në vitet e para të demokracisë ku donatorë të ndryshëm filluan të ndihmonin familjet rome dhe egjiptiane me paketa ushqimore për fëmijët për shkak të pamundësive ekonomike që ato kishin. Edhe pse me qëllimin e një arsimi gjithëpërfshirës, shkolla filloi të frekuentohej gjithmonë e më shumë nga fëmijët romë dhe egjiptianë dhe më pak nga fëmijët e tjerë. Një tjetër faktor shkruan Standard, lidhet me lëvizjet demografike të maxhorancës nga ajo lagje dhe shtimi i popullsisë rome dhe egjiptiane.
Edhe pse janë bërë përpjekje të vazhdueshme nga organizata të shoqërisë civile për të zgjidhur problemin, ende sot pas shumë vitesh, situata vazhdon të jetë e njëjtë.
“Ne kemi dërguar sugjerimet tona drejt MAS që janë: Rikonstruksion i plotë i kësaj shkolle; Hapja e një mense jo vetëm tek kjo shkollë por edhe tek shkollat e tjera ku ka fëmijë me probleme sociale në mënyrë që të mos jetë diskriminuese; Udhëzim i veçantë që fëmijët të frekuentojnë shkollën ku jetojnë,që do të thotë edhe ajo pjesë maxhorance që është të mos largohet në një shkollë tjetër por të vijojë shkollën aty”, ka thënë znj. Tare për gazetën Standard. /m.g/
Nga Brejdon Xhavara
Shkrimi i plotë:
Segregimi i shkollës “Naim Frashëri” në Korçë dhe problematika e pandalshme me fëmijët romë
Workshopi “Përvoja dhe mësime të nxjerra nga zbatimi i ligjit ‘Për Mbrojtjen nga Diskriminimi'”, i organizuar nga Civil Rights Defenders, ka mbledhur sot në një diskutim Komisioneren për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që punojnë me grupe të margjinalizuara dhe me ndihmën ligjore.
Qëllimi i workshopit ishte diskutimi mbi zbatimin e ligjit që prej miratimit të tij në 2010-ën dhe vet institucionin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi duke u nisur nga çështje konkrete të trajtuara nga vetë organizatat e shoqërisë civile.

Foto gjatë panelit mbi diskriminimin në bazë të etnisë | HISTORIA IME
Në takim u sollën raste konkrete diskriminimi për shkak të etnisë, gjinisë, aftësisë së kufizuar etj, të ndjekura ligjërisht nga disa organizata të shoqërisë civile si TLAS, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Fondacioni për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Qendra Res Publica.
Gjatë takimit u pranua se shtatë vite pas ardhjes në fuqi të ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, shihet nevoja për të diskutuar mbi anët e tij pozitive dhe rregullimet që mund t’i bëhen si ligjit ashtu edhe funksionit të institucionit të KMD.
Disa prej sfidave të përmendura gjatë takimit për funksionin e institucionit të KMD janë:
– Rishikimi i afateve për shqyrtimin e ankesave me raste diskriminimi që kanë ndjeshmëri të madhe,
– Ushtrimi i “presionit” të KMD ndaj institucioneve publike për të marrë përgjegjësi ndaj veprimeve por edhe për tu informuar mbi detyrat që iu lindin nga ligji për mbrojtjen nga diskriminimi.
Një e moshuar tiranase që mbante mbi supe përmbi të ’80 – tat, sillej rrotull arkave me qershia. Përpiqej për minuta të tëra duke ndarë kokër për kokër frutin e mirë nga ai që ishte i prishur, ngase arkat ku ajo ishte drejtuar, ishin zhvendosur paksa mënjanë nga i zoti i dyqanit, për shkak të kualitetit të dobët dhe çmimit gati të papërfillshëm.
Veprimi i të moshuarës më tërhoqi vëmendjen, aq sa u hutova për disa çaste duke e vëzhguar me detaj çdo gjest të saj. I dridhej dora teksa seleksiononte frutin dhe e sistemonte në një qese, ku mesa dukej, po tregohej e kujdeshme për të marrë një sasi të vogël, aq sa i duhej për vete.
Nuk u përmbajta dhe për një çast vendosa ti flisja, për ta shkëputur nga ai moment që ndodhej në punën e saj.- Si je nëne, – e pyeta, – ç’farë po bën…!?
– Ja, – më thotë, ç’të bëj nona… Hapi me ngadalë duart e rreshkura me të cilat kishte mbështjellë kokrrat e qershiave që i kishte përzgjedhur, dhe ashtu me pak droje, priste reagimin tim. – Po mos i merr nga ajo arka, i them, ato janë të prishura…
– Ajo kthehu kokën njëherë majtas, njëherë djathtas, pastaj mu afrua ngadalë. Me zë fare të ulët më tha: – E di nona, e di, prandaj po i zgjedh! Çtë bëj, s’ka nona pare, nuk më ka lënë asnjë kokër leku në xhep Ed Roma…
U befasova nga reagimi dhe përgjigja e saj. Brenda atyre pak fjalëve të qeta me timbër të butë, nuk ishte e vështirë të lexoje pakënaqësinë, njëkohësisht edhe zemërimin e mpleksur bashkë me dhimbjen epike.
E moshuara, përmes përgjigjes, më la të kuptoja se, pamundësia financiare e detyronte ti drejtohej arkës të lënë mënjanë nga i zoti i dyqanit, duke zgjedhur të blej me më pak para nga ajo pjesë e qershiave.
Dhimbja më kaploi të gjithë qënien time, duke menduar se në mes nesh jetojnë jo pak njerëz si ajo nëna, që janë në pamundësi, të privuar nga gjërat më elementare, për të bërë një jetë krejt normale e me dinjitet.
E luta të moshuarën që ti largohej asaj arke që mbante frutin e prishur dhe të merrte qershia në arkën e mirë, duke i thënë se kësaj radhe ato do ti paguaja unë.
E moshuara ngriti kryet dhe me një vështrim të çuditshëm bëri një gjest gati dyshues. Pastaj, me sytë e vegjël të mbuluara nga rudhat, nguli shikimin tek unë, si për t’u bindur nëse e kisha seriozisht apo jo…(!?)
U detyrova vetë ti mbushja një qese plot me qershia dhe ia lash në dorë duke i thënë: “…të bëfshin mirë nëno, kalofsh një ditë të mbarë…!”.
Ja, kështu u ndava me këtë të moshuar. Atë çast, i përhumbur ashtu siç isha, u pushtova nga disa emocione të trazuara dhe u ktheva nga rruga pa bërë blerje për vete. Po ecja me hapa të ngadalë drejt shtëpisë, dhe po meditoja njëkohësisht.
Më mbetën në mendje gjesti dhe fjalët e të moshuarës, kur pasi e pyeta, ajo hodhi vështrimin andej – këndej dhe u afrua duke më thënë me zë të ulët: “Çtë bëj, s’ka nona pare, nuk më ka lënë asnjë kokër leku në xhep Ed Roma…”.
Për dreq, nuk e di pse në atë moment mu kujtua koha e komunizmit, kur fshehtas, njerëzit shpotitnin vesh më vesh të revoltuar. Nxirrnin dufin dhe zemëratën e tyre duke shprehur pakënaqësinë kundër atij sistemi absurd, i cili e kishte zhytur popullin në një skamje e mjerim ç’njerëzor.
Atëherë, ndodhte shpesh që, për këtë arsye, ata që guxonin të flisnin hapur, të merrnin edhe shpagimin nga ai rregjim, duke u dënuar për vite të tëra me heqje të lirisë.
Mbase ajo e moshuar ende nuk e ka kuptuar se kemi më shumë se njëçerek shekulli që nuk jetojmë më në diktaturë, por jetojmë në një tjetër kohë. Jetojmë në kohën ku njerëzit janë të lirë të shprehin atë çfarë mendojnë.
Por nga ana tjetër, e moshuara nuk mund ta kuptoj se, reminishencat e asaj kohe shfaqen sërish si fantazma edhe në kohën e sotme të demokracisë, në forma të ndryshme dhe të çuditshme.
Nëse sot, shqiptarët nuk janë të privuar nga ajo lloj diktature, kur dikur u mohohej e drejta e shprehjes së mendimit dhe fjala e lirë, tani, ata janë të privuar nga një tjetër lloj diktature që quhet demokraturë, nga “diktatura e varfërisë”! Ndryshe nga e para, kjo formë e re dhe e maskuar e diktaturës, është edhe më e frikshme, edhe më e tmerrshme…
Është sindroma ankthioze e një epidemie që vret në heshtje, nga pak e për çdo ditë, që ka të bëj jo vetëm me rrënimin e cilësisë jetës, por më së shumti edhe me cënimin rëndë të dinjitetin njerëzor. A nuk është e tillë kur, shpesh qytetarët dhe nënëpunësit e administratës publike, kërcënohen nga politika me largim nga vendi i punës, kur dikush shfaq hapur bindjen e tij, ndryshe me atë që ka pushteti i radhës…!?
A nuk është diktaturë e varfërisë kur specialistëve, teknicienëve dhe profesionistëve të zotë, që kanë investuar në profesionin e tyre vite të tëra shkollimi e specializimi, u rrezikohet qëndrimi në punë, ngase sa herë ndërrohen qeveritë, ata zëvendësohen me militantë dhe analfabetë funksionalë të diplomuar me diploma fallco!?
A nuk është diktaturë e varfërisë kur, me qindra e mijëra të rinj e të reja të shkolluar, ndjehen të tepërt në vendin ku kanë lindur dhe jetojnë, pa prespektivë dhe shpresëvrarë, duke synuar të braktisin një orë e më parë atdheun e tyre për një jetë më të mirë, më të sigurt, jashtë Shqipërisë…!?
A nuk është diktaturë e varfërisë kur shteti ynë, pa bërë asnjë studim të mirëfilltë analitik, nxjerrë në mënyrë arrogante nga skema e ndihmës ekonomike plot 40.000 familje në nevojë, ndërkohë, fëmijët dhe të rijntë jetimë me “status jetimi”, në mënyrë tallëse e denigruese gënjehen me një lëmoshë qesharake si “ndihmë” ekonomike në vlerën e 20 USD në muaj…!?
A nuk është diktaturë e varfërisë fakti, kur një shtet si ky i yni, që paguan me super rroga të majme qeveritarët dhe pushtetarët tanë, të gjithë piramidën shtetërore, zyrtarët e administratës së vet, e nga ana tjetër nguron, apo ka frikë të deklaroj zyrtarisht minimumin jetik për shtresat në nevojë, që është një standart i detyrueshëm ligjor, i diktuar nga Konventat Ndërkombëtare, një kërkesë e përsëritur nga institucionet ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, e organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, si një kusht për anëtarësimin e vendit tonë në BE…!?
A nuk është diktaturë e varfërisë fakti, kur sot në Shqipëri 70 % e popullsisë mezi mbyllin muajin, duke mos përballuar me dinjitet koston e jetesës, ndërkohë, 410.000 shtetas të republikës tonë, jetojnë me të ardhura poshtë nivelit të minimumit jetik, në ekstremin e varfërisë, me vetëm 0.8 USD në ditë dhe janë të kërcënuar nga sëmundjet dhe uria…!?
A nuk është diktaturë e varfërisë kur në vendin tonë 27 % e fëmijëve të moshës 0 – 6 vjeç vuajnë nga deformimet fizike dhe nuk kanë zhvillim trupor për shkak të kequshyerjes..!?
A nuk është diktaturë e varfërisë kur sot, në vendin tonë 70.000 familje në nevojë gjendjen në qiell të hapur, të pastrehë, dimër e verë, ndërkohë që qeveria e kryeministrit Rama, nxjerr nga kuleta e qytetarëve taksapagues më të varfër të rajonit dhe evropës, plot 320.000.000 USD për shpenzime luksi të zyrave të administratës…!?
A nuk është diktaturë e varfërisë, kur të gjitha qeveritë e marra së bashku në këtë tranzicion 27 vjeçar, kanë rrënuar me qëllim përfitimi të gjithë sistemin e ngritur shëndetësor falas, të trashëguar para viteve ’90 – të, dhe pas kësaj periudhe, e mbajtën GDP për këtë sektor jetik për shëndetin e qytetarëve në nivelin e 2 – 3 %….!? Këtë shifër, asnjë qeveri e tranzicionit shqiptar nuk e ka bërë publike, por e kanë mbajtur gjithmonë të fshehur…!?
Ndërkohë, vëndet si Zvicra, shpenzojnë për shëndetësinë 11.5% të GDP, Gjermania 11.1 %, Kanadaja, 9.9%, Franca 9.8 % , Italia 8.4 % , Anglia 8.0 % , e kështu me radhë. Megjithë propagandën qeveritare për përmirësimin e këtij sektori të rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve, ky shërbim nuk ka afruar dhe nuk mund të ofroj asnjë mundësi dhe asnjë akses për shtresat e varfëra e të pambrojtura, përkundrazi…
Ky shërbim, për mënyrën se si është organizuar dhe po menaxhohet, përmes formulës tashmë të njohur PPP, ka rrënuar dhe po zbras çdo ditë xhepat e qytetarëve shqiptarë, që kanë patur dhe kanë nevojë për këtë shërbim, duke i bërë ata edhe më të varfër.
Ata që përfitojnë nga e gjithë kjo histori, janë vetëm subjektet private koncesionare të preferuar nga qeveria, që kanë marrë përsipër të ofrojnë një pjesë të këtyre shërbimeve, duke u paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Teksa po shkruaj këto radhë, mendja më shkon këto ditë tek fushata e partive politike, e cila është përfshirë nga ethet e nxehta elektorale.
Janë shumë politikanë, nga të gjitha krahët, që pushtojnë çdo ditë me reklama, me programe dhe emisione të gjitha hapësirat televizive, faqet e gazetave, duke bërë propagandë e demagogji të shfrenuar me premtime boshe e butaforike për elektoratin e tyre.
A nuk ishin të tilla premtimet që kryeministri Rama bëri në zgjedhjet e 2013 – tës, i cili tha se do të hapte 300.000 vënde pune për shqiptarët…!? A nuk ishin premtime elektorale të kryeministrit Rama rritja e pensioneve përgjatë mandatit të tij qeverisës..!? A nuk ishin të tilla premtimet për shëndetësi falas, rritjen e ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë, uljen e çmimit të energjisë elektrike, etj, etj…!?
Sot, kryetari i opozitës Lulzim Basha, del dhe premton se, nëse ai i fiton zgjedhjet, nuk do të ketë pension minimal nën nivelin e 25.000 lekëve të reja. Ai premton gjithashtu se, për familjet dhe shtresat në nevojë, fatura e energjisë elektrike deri në fashën e 300 kw do të jetë falas. E gjithë kjo kosto sociale sipas z. Basha, do të përballohet nga buxheti i shtetit, kur sapo ai të jetë kryeministër.
Ndërkohë, kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, premton se forca politike që ai drejton, nëse vjen në pushtet, do të hapi 100.000 vënde të reja pune për fermerët dhe fshatarët në sektorin e bujqësisë, duke 3 – 4 fishuar subvencionet dhe financimet e këtij sektori jetik për ekonominë e vendit, etj, etj.
Të nderurar politikanë dhe pushtetarë, të mbarë e të prapë, nga cilado parti që vini! Një pjesë e mirë nga ju, kurrë nuk keni qenë të sinqertë dhe me këmbë në tokë, ngase keni qenë jashtë realitetit në raport me hallet dhe problemet e qytetarëve.
Shpesh, ata ju kanë besuar dhe votuar verbërisht! Tash, që kanë rrjedhur shumë ujra në lumin kaotik të “demokracisë” shqiptare, a mos ka ardhur koha që ti bëni llogaritë pak më thjeshtë e më mirë..!?
Merreni njëherë seriozisht, se, si mund të lehtësoni realisht dhimbjet që i keni shkaktuar popullit tuaj gjatë këtij tranzicioni të mundimshëm 27 vjeçar, përmes keqqeverisjeve tuaja dhe krizave politike të ricikluara njëra pas tjetrës.
Gjejeni rrugën e zgjidhjes për t’ju ardhë në ndihmë shtresave të pambrojtura, të ekspozuara e të rrezikuara nga fenomenet dhe plagët sociale të varfërisë. Jo rastësisht e solla shembullin e të moshuarës në fillim të këtij shkrimi.
Duke menduar për të, përfytyroja se, në jetën tonë të përditshme ka shumë nevojtarë, të moshuar, invalid, fëmijë të paushqyer e të braktisur, fëmijë të marrë peng nga fenomeni i gjakmarrjes dhe mungesa e ligjit, njerëz të pamundur, invalid shëndetlig që bëjnë një jetë ekstremisht të vështirë, të privuar nga shumë gjëra elementare me nevoja bazike.
Për fatin e tyre të keq, tashmë ata e kanë pranuar këtë realitet, duke bërë “aleancë” të përjetshme me statusin e tyre social të dizavantazhuar, me pamundësinë dhe varfërinë kronike. Pikërisht, është ajo kategori që jeton në heshtje e dhimbje, por edhe me dinjitet në mjerimin e vet, përballë indiferentizmit tonë kolektiv, neglizhencës apo shurdhërisë së institucioneve tona.
E gjitha kjo, atyre i’u është kthyer në një normalitet, duke qenë të vetëdijshëm se, ju jeni arsyeja e dramës së tyre. Andaj dhe nuk kanë besim tek viktimizuesit, që në mënyrë të paskrupull dalin në fushatë, e me maskën e populizmit, kërkojnë votën e viktimës së tyre.
Ndërkohë, ata mbesin përgjithmonë viktima të ekspozuar, të një shoqërie pa rregulla loje, pa sistem vlerash, ku në fakt duhet të ekzistojnë dhe të funksionojnë mekanizmat shtetëror dhe ligjor të mbrojtjes, mbështetjes dhe fuqizimit të familjeve në nevojë, përmes politikave sociale dhe integruese.
Ata janë të parët viktima që u shkelen në mënyrë të hapur dhe flagrante të drejtat më elementare, njerëzore e qytetare, për të bërë një jetë normale e me dinjitet.
E përsëris: për të gjithë këtë situatë të krijuar, ka një dhe vetëm një shkak kryesor. Ai shkak jeni ju, klasa politike e pamaturuar, ngase me mungesën e ndjeshmërisë, arrogancën, delirin, egoizmin dhe etjen tuaj për pushtet, me dashje dhe padashje, keni instaluar në mjedisin tonë të përbashkët “diktaturën e varfërisë”.
Në këtë mënyrë, prej më shumë se dy dekada, shfaqet i shëmtuar në sytë tanë sfondi gri social, i cili ka sjell polarizimin ekstrem të shtresave të shoqërisë, përmes shpërdorimit të pushtetit, skemave dhe formulave okulte të oligarkëve, që pjellin një pushtet e korruptuar e kriminal, asocial dhe antihuman.
Nga ana tjetër, vihet re një deficit i madh në hierarkinë e vlerave, që lidhet me angazhimin dhe kontributin e përbashkët social. Kjo ka të bëj me nevojën dhe domosdoshmërinë gjithëpërfshirëse në një aksion mbarëkombëtar për humanizimin e shoqërisë.
Është imperativ i kohës shfrytëzimi i të gjitha potencialeve dhe resurseve që ka vendi ynë, për të ndjekur një strategji që ndërthuret në mënyrë organike me kohezionin social, solidaritetin dhe vullnetarizmin, në përfshirjen e çdo anëtari të shoqërisë në këtë aksion të madh.
Nevojtarët dhe të pamundurit i kemi kudo, në mes nesh, para syve tanë. I shohim në rrugë, në lagje, janë komshinjtë tanë, i kemi në derë të shtëpisë. Për çdokënd që është i mundur, nuk kushton asgjë që për një çast të vetëm, të tregoj fare pak vëmendje në të tilla raste, duke dhuruar pak dashuri, pak buzëqeshje, të japë shpresë për ta.
Ata janë njerëz të Zotit ashtu si edhe ne. Bëjeni një veprim kaq të thjesht e simbolik. E them me bindje dhe dorën në zemër se, nëse mundeni ta bëni, do të ndjeheni më të mirë e më të paqtë me veten tuaj, por edhe me mjedisin shoqëror që na rrethon, ku së bashku jetojmë të përditshmen tonë.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, publikoi sot të dhënat e monitorimit paraprak të cilësisë së ujërave larës përgjatë vijës bregdetare për vitin 2017. Nga monitorimi i kryer gjatë muajit Maj 2017, rezulton se këtë vit plazhet shqiptare janë të një cilësie shumë të mirë.
“Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka bërë një monitorim kampionimi në 102 pika përgjatë vijës bregdetare dhe ka realizuar monitorimin e ujërave larës në 20 plazhe. Nga analizat rezulton cilësi shumë e mirë në rreth 99 pika monitorimi pra mund të themi që plazhi mirëpret me një cilësi shumë të mirë uji të gjithë pushuesit”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Në listën e plazheve të monitorua për herë të parë është shtuar edhe Plazhi i Palasës me dy pika të tij të cilat janë cilësuar shumë të mira. Po ashtu vitin e kaluar iu shtuan listës plazhet e Divjakës, Tales, Spilles që po ashtu u cilësuan si ujëra shumë të mira larëse. Bazuar nga lista, mund të thuhet se nuk është përmirësuar cilësia e ujërave, por vetëm se i janë shtuar listës së monitorimit plazhe me cilësi më të mirë.
Sipas AKM-së ky është viti i dytë rresht që cilësia e plazheve është duke u përmirësuar. Por problem sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit mbetet cilësia e rërës. “Gjatë monitorimit kemi vënë re se kemi problematika përsa i përket jo cilësisë së ujit por cilësisë së rërës. Mungojnë koshat për hedhjen e mbeturinave, mungon informacioni që mund t’u jepet nga pushteti lokal pushuesve me tabela ku të jepen të dhëna për cilësinë e plazheve, pasi është mirë që informacioni të ndahet me qytetarët. Pushteti lokal është ende shumë larg punës që duhet të bëjë, për një mirë menaxhim të duhur të plazheve”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Në bazë rezultateve të fazës paraprake të cilësisë së ujërave larës për vitin 2017 rezulton se:
– Cilësia e ujërave larëse është shumë e mirë në plazhet e Divjakës, Velipojës, Tales, Shëngjinit, Gjiri të Lalzit, Golemit, Qerretit, Spillesë, Orikumit, Zvërnecit, Vlorës, Dhërmiut, Himarës, Qeparoit, Borshit, Ksamilit, Sarandë, Semanit, Durrësit dhe Palasës.
– Cilësia e ujërave larës është e mirë në 3 pika monitorimi, tek Shkolla e Marinës në Vlorë, tek Kanali i Çukës në Sarandë dhe tek Kompleksi Giardino në Durrës. Të treja këto pika një vit më parë kanë rezultuar me cilësi të keqe të ujërave.
– Cilësia e Ujërave larëse është përkeqësuar në 2 pika të plazhit të Durrësit, konkretisht në Plazhin Zhiron dhe Pas Kanalit tek Plepat ku në bazë të analizave të kampioneve të marra, ujërat larës kanë rezultuar me një cilësi të keqe.
“Djepi i engjëjve” është shtëpiza pranë maternitetit Mbretëresha Geraldinë, që strehon foshnjat e braktisura nga nëna pas lindjes. E themeluar që prej vitit 1995, është bërë strehë për 700 foshnja të braktisura.
Gazeta Shëndet+ shkruan se vetëm gjatë vitit 2016 në këtë qendër janë braktisur 21 foshnja, ndërkohë që nga janari i 2017-ës janë braktisur 7 foshnja.
Spiro Dama, shef i shërbimit të pediatrisë në maternitetin Mbretëresha Geraldinë, shpjegon se nuk ka një kohë të caktuar të qëndrimit të foshnjave në qendër, përpara se të kalojnë në jetimore. Ai thotë se kjo shihet rast pas rasti, por mesatarja e qëndrimit është 3 muaj. Gjatë kësaj periudhe, pediatri thotë se nënat kanë të drejtë t’i vizitojnë fëmijët çdo ditë, deri në momentin që së bashku me vendimin e nënës gjykata e deklaron fëmijën të braktisur.
“Ne e nisëm 2017-ën me një rast të tillë. Ia dinte familja, por kishte një thyerje me partnerin e saj. E la vetëm 23 ditë dhe u kthye dhe e mori. Dhe pikërisht këto raste (kur e di familja) janë më të suksesshme për t’u bashkuar, ndërkohë që kur s’e di familja janë më të suksesshme për birësim”, ka thënë pediatri Dama në një intervistë për shëndeti.com.
Arsyet që çojnë në braktisjen e foshnjave sipas mjekut Spiro Dama, lidhen kryesisht me fëmijë të lindur jashtë martese, nëna të reja 15-25 vjeç që nuk ua di familja, ato që janë braktisur nga partneri si dhe më pak të rralla për arsye ekonomike.
Mjeku sqaron se femrat pas lindjes duhen trajtuar me shumë kujdes nga të afërmit, pasi përveç dhimbjeve fizike, është e dërrmuar edhe psikologjikisht.
“Ne studiojmë rastin duke e pyetur me kujdes, duke parë sa dhimbje ajo ka. Nëse rezulton se ka mbështetje, ia di familja, ne këmbëngulim, por nëse nuk ka asnjëri afër, nuk ka një mbështetje, nuk ka një punë, nuk ka një ambient të mirëpritur, çfarë mund të bëjë ajo e vetme?! Madje, mund të jetë dhe e rrezikshme si për të, ashtu dhe për bebin… Unë u them: pavarësisht se nuk ke mundësi për ta marrë, po ikën në shtëpi dhe fëmijën po e lë tek ne, ai fëmijë vazhdon të jetë yti dhe do të jetë derisa gjykata t’i heqë mëmësinë. Nëse e shikoj që është e lëkundur, atëherë i them: gjersa gjykata të thërrasë, ti do të lëvizësh çdo gurë!”, ka thënë mjeku pediatër Spiro Dema. /m.g/
Shkrimi i plotë: Elona Tereziu | shendeti.com.al
“Historia Ime”, i pari portal në mbrojtje të të drejtave të njeriut, hap thirrjen e pestë për Konkursin e Fotografisë.
Konkursi i Fotografisë për çështjet sociale është një mënyrë për të nxitur përdorimin e telefonave smart me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit ndaj faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në jetën tonë të përditshme, në marrëdhënie me njeri-tjetrin apo me mjedisin.
Konkursi është i hapur për gjithë të rinjtë 16 – 35 vjeç, nga cilido qytet i Shqipërisë që kërkojnë të denoncojnë një problem apo të ndajnë me të tjerët një ngjarje shqetësuese. Fituesi do të vlerësohet me 10.000 Lek.
Në konkurs mund të merret pjesë me punime të reja, por edhe të publikuara më parë për sa kohë ju mund të provoni se jeni autor i tyre. Imazhet mund të paraqesin diskriminim etnik, për shkak të aftësisë së kufizuar, orientimit seksual dhe identitetit gjinor, diskriminim moshor (të rinj / të moshuar), situata e të pastrehëve dhe të papunëve, situata në burgje, spitale, mjedisin urban, hapësirat publike në vendin ku jetojmë dhe shumë më tepër.
Në konkurs NUK mund të merrni pjesë me:
Afati i fundit i dorëzimit të fotografive është 20 gusht 2017. Deri atëherë, punimet tuaja do të publikohen në portalin “Historia Ime”, si dhe në faqen e saj në Facebook.
Çmimi i parë – 10.000 Lek
Ju ftojmë të merrni pjesë në konkurs duke dërguar punët tuaja në adresën e emailit [email protected] në formën e mëposhtme:
Emër:
Mbiemër:
Qyteti:
Titulli:
Përshkrim i fotografisë (2-5fjali):
Shënim: Në konkurs mund të merrni pjesë me më shumë se një fotografi, apo foto reportazh.
Grave të cilat kanë vuajtur në heshtje për vite me radhë në Kosovë, pasi janë torturuar dhe përdhunuar gjatë luftës, iu është ofruar një skemë kompensimi – por stigma e përdhunimit nënkupton se shumë prej tyre nuk aplikojnë për këtë lloj asistence për shkak të turpit që ndiejnë.
Fata lëviz gishtat me shpejtësi me shenja nervozizmi. Ajo dëgjon zhurma hapash në korridor kështu që ndalon së foluri dhe pret derisa të bëhet qetësi sërish.
Tetëmbëdhjetë vite kanë kaluar nga dita e bombardimeve nga NATO në Maj të 1999 kur ajo u morr më forcë nga një repart për refugjatët, u përdhunua dhe torturua nga forcat serbe në një shtëpi private në veri të Kosovës, në qytetin e Mitrovicës. Ajo humbi syrin e saj të djathtë dhe ishte vetëm 16 vjeçe.
“E mbaj mend që na mbajtën të mbyllura për tre ditë radhazi. Ishim 15 vajza në të njëjtën dhomë. Gjendja ime ishte aq e përkeqësuar saqë syrin e djathtë e mbaja të fashuar dhe nuk mund të lëvizja dot”.
Që prej asaj dite Fata (pseudonimi që përdor e intervistuara gjatë intervistës) është ndjerë e frikësuar , e përfolur për keq dhe e stigmatizuar nga shoqëria.
“Tezja më këshilloi që mos t’i tregoja askujt për këtë ndodhi të keqe, më mirë të vrisja veten sesa të rrëfehesha,” shprehet ajo.
Mijëra vajza e gra kanë qenë viktima të dhunës seksuale të shkaktuar nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë të periudhës 1998-99, të cilën NATO e mbylli duke e kapitulluar sundimin e Serbisë mbi Kosovën. Fata shprehet se vendi ku e mbajtën të mbyllur ishte kthyer në qendër për përdhunime dhe vrasje nga forcat serbe.
“Më kujtohet se ditën e parë na përdhunonin në mënyrë sistematike. Akti barbar bëhej me turne dhe gjaku pastrohej vazhdimisht”.
Pavarësisht kësaj eksperience të rëndë, ajo i frikësohet aplikimit në këtë skemë kompensimi social pasi ideja se do të fitonte statusin e një viktime të dhunës seksuale nga periudha e luftës e step. Qeveria kosovare planifikon të prezantojë këtë skemë aplikimi për këtë vit.
“Familja ime nuk dëshiron që emri im të listohet diku. Ata tani janë bërë një familje e madhe. Fëmijët e tyre janë martuar dhe familja vijon të rritet. Ata nuk duan që dikush të flasë për këtë,” shpjegon ajo. Tre vite më parë Fata mori ndihmë nga një organizatë jo-qeveritare e cila i siguroi një “sy” me protezë për të mbuluar të çarën në sy.
Pas vitesh të tëra heshtjeje dhe stigmatizimi, parlamenti kosovar miratoi ligjin e vitit 2014 që e njeh statusin e viktimës së luftës për gratë e përdhunuara, duke iu dhënë një asistencë prej 220 eurosh në muaj.
Në fund të prillit, qeveria ngriti komitetin e verifikimit dhe njohjes së statusit të viktimës së dhunës, në mënyrë që të implementojë procedurat ligjore për këtë skemë kompensimi social.
Disa nga përfitimet kryesore që viktimat e luftës përfitojnë janë pensione familjare, shërbime shëndetësore falas, heqje e barrës së taksave, duke përfshirë këtu dhe taksën e pronës si edhe energji elektrike më e lirë.
Ligji i ri i 2014 lejon këto viktima të përdhunimit për të aplikuar në format me shkrim për të treguar se çfarë kanë kaluar. Këto të fundit nuk janë të imponuara por mund të paraqesin edhe dëshmi nga policia ose raport mjekësor nga përdhunimi.
Qeveria përzgjodhi tre organizata jo-qeveritare që merren me këtë kauzë për të mbledhur aplikime nga të mbijetuarat, në mënyrë që të ruhet konfidencialiteti si edhe të evitohet takimi ballë-përballë i personave të komitetit me viktimat.
Arban Abrashi, Ministër i punëve dhe mirëqenies sociale në Kosovë shprehet se ministria do të ofrojë një asistencë modeste, duke mos siguruar drejtësinë që mungon për këtë çështje. Duke iu frikësuar stigmatizimit dhe përjashtimit social, me mijëra gra viktima të dhunës seksuale gjatë luftës vuajnë në heshtje probleme shëndetësore madhore.
Familja e Fatës e panë përdhunimin e vajzës së tyre si një stigmë të vërtetë. “Nuk mund të vijoja edukimin tim. Ishte e vështirë të merrja trajtim mjekësor. Familja ime vuante pasi shumë njerëz e dinin që unë isha një viktimë e dhunës seksuale”.
Barra psikologjike ka qenë shumë e madhe për Fatën. Ajo vuan nga depresioni dhe dhimbje koke e migrene të vazhdueshme. Perceptimet negative nga ana e shoqërisë si edhe vështirësitë në marrjen e shërbimit shëndetësor ka rezultuar në një numër të lartë vetëvrasjesh nga ana e këtyre viktimave të përdhunimit.
“ Një numër i madh i këtyre viktimave kanë vdekur si pasojë e dhunës familjare për çështje nderi,” shprehet Siobhan Hobbs, I cili ka drejtuar në 2016 një grup të UN për publikimin e raportit në një situatë të vështirë të kësaj dhune seksuale. Kjo vjen për shkak se midis shumë familjesh si kjo e Fatës, përdhunimi shihet si një njollë në nderin e familjes.
“Vendosa të martohesha, jo se dëshiroja por që të mos mbetesha një barrë në shtëpinë time. Por gjërat u përkeqësuan akoma më shumë. Familja e bashkëshortit zbuloi që unë isha përdhunuar dhe kisha humbur njërin sy. Ata na nxorën jashtë shtëpie,” kujton Fata.
Që prej asaj kohe, ajo jeton me bashkëshortin dhe fëmijët e saj në një strehë ose shtëpi të braktisura, në një varfëri të tejskajshme. Disa viktima të përdhunimit jo vetëm izolohen nga të afërmit e tyre, por shpeshherë edhe braktisen prej bashkëshortëve. Të margjinalizuara dhe të përjashtuara, ato mbajnë peshën e turpit për atë që iu ndodhi atyre.
Një tjetër grua viktimë e asaj dhune u shpreh për BIRN se ajo dhe motra e saj u përdhunuan në një shtëpi në Decan, në perëndim të Kosovës gjatë luftës.”Kur bashkëshorti i saj e mori vesh, e braktisi motrën time dhe u martua me dikë tjetër,” shprehet ajo. Frika nga dhuna ose izolimi social i ka bërë ngurruese këto gra për të kërkuar mbështetje në shëndetësi, punësim. Kjo është dhe një nga arsyet pse shumë raste si Fata hezitojnë të aplikojnë për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Shumë shprehen se nuk dinë si ta justifikojnë tek familja pagesën që ato do të marrin. “Vetëm një numër I caktuar do të aplikojnë,” shprehet Feride Rushiti, drejtoreshë e qendrës në Prishtinë për rehabilitimin e viktimave të luftës. Rushiti gjithashtu shprehet se ligji mbetet diskriminues.
Ligji aktual ofron për të mbijetuarat statusin vetëm për ato në periudhën e luftës ndërmjet datës 27 Shkurt 1998, kur konflikti I armatosur nisi, dhe 20 Qershor 1999, kur Serbia I tërhoqi forcat ushtarake nga Kosova. Por disa shoqata që ofrojnë asistencë për viktimat serbe të dhunës seksuale shprehen se ky përcaktim kohor nënkupton se viktimat serbe të përdhunimit, të cilat gjithashtu kanë përjetuar dhunë seksuale, pas tërheqjes së forcave ushtarake serbe, nuk janë të lejuara të aplikojnë.
“Përdhunimi nuk është kryer vetëm nga Serbët dhe jo vetëm gjatë periudhës së luftës,” shprehet Rushiti. Blagica Radovanovic, drejtoreshë e organizatës jo-qeveritare Santa Marija që ka në fokus viktimat e luftës në qytetin verior Kosovar, Zvecan, shprehet se komuniteti serb i Kosovës nuk është përfshirë në hartimin e draftit për projektligjin, kështu që mbeten të pa familjarizuar me të.
“ Rekomandimi im është që të bëhet një kërkim i thelluar për numrin e viktimave të dhunës seksuale, që do të integrojë të gjitha komunitetet e prekura. Nuk ka asnjë informacion mbi dhunën seksuale në formën e hakmarrjes gjatë periudhës kur forcat serbe u larguan nga vendi,” shprehet Radovanovic.
Atifete Jahjaga, e cila ishte presidente e Kosovës përgjatë viteve 2011-2016, ishte e para politikane në Kosovë që avokatoi për të ndërhyrë në legjislacion në mënyrë që të ndihmohen të mbijetuarat dhe të luftohet kundër stigmës me të cilën ato përballen.
“Përgjatë mandatit tim jam përpjekur që të luftoj për njohjen e këtyre grave. Rreth 20’000 viktima gra nuk e gëzojnë as sot lirinë e trupit dhe shpirti të tyre,” shprehet Jahjaga për BIRN. Ajo themeloi Këshillin Kombëtar për të mbijetuarat e dhunës, dhe një prej iniciativave ishte dhe aksesi në drejtësi.
Numri prej 20’000 të mbijetuarave nga dhuna seksuale që Jahjaga citoi vjen nga burime të ndryshme. Sektori i shëndetësisë për organizatën WHO raportoi në një publikim të 2000 se “ Organizata lokale vlerësojnë se përafërsisht 10.000 deri në 20.000 gra janë përdhunuar midis Shkurtit të 1998 dhe Korrikut të 1999“.
Cfarë mbetet e sigurt është që gratë janë përdhunuar në shtëpi, në qendra ushtarake dhe rajone policore. Ato edhe janë dhunuar fizikisht, me gjymtime gjenitale si edhe janë therur me thikë e djegur me cigare deri në aktin ekstrem të vrasjes. /k.m/
Burimi: Balkan Insight
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.