Prokuroria akuzon policinë për vdekjen e të riut në qelinë e paraburgimit
Prokuroria e Korçës ka akuzuar tre efektivët e policisë në Komisariatin e Korçës, për mosdhënie ndihme ndaj 27 vjeçarit Enea Ftoji, i cili humbi jetën në qelinë e paraburgimit.
Sipas ekspertizës mjeko ligjore rezulton se Ftoji nuk ka humbur jetën si pasojë e dhunës fizike të ushtruar, siç pretendohet nga familjarët e tij , por për shkaqe natyrore.
Megjithatë sipas Prokurorisë, efektivët e policisë mbajnë përgjegjësi penale, pasi ka prova që ata nuk i kanë dhënë ndihmë Enea Ftojit, edhe pse ai kishte shfaqur probleme shëndetësore gjatë dy ditëve të qëndrimit të tij në ambientet e Komisariatit të Korçës.
Policia ka shkelur rregulloren e trajtimit të të shoqëruarve dhe nuk ka kryer kontrolle periodike në qelinë e 27-vjeçarit.
Familjarët e Ftojit duke vazhduar me pretendimet se i riu e humbi jetën për shkak të dhunës së ushtruar nga policia, kanë kërkuar zhvarrosjen e Enea Ftojit dhe kryerjen sërish të ekspertizës.
Sipas tyre ka prova të mjaftueshme në videot që ata i kanë filmuar trupit në morg, ku duken qartë shenja të dhunës fizike./M.B