Australia angazhon Ushtrinë për azilantët, edhe për shqiptarët
Qeveria e Australisë është alarmuar aq shumë nga shtimi i kërkesave për azil dhe fluksi i anijeve nga Indonezia sa është gati të miratojë ligje të ashpra, të kritikuara fort nga OKB. Mes azilantëve mjaftueshëm shqiptarë sa ministri australian dhe kreu i ushtrisë të postojnë video mesazhe të përkthyera edhe në shqip. Shqetësohen aktivistët për të drejtat e njeriut.
Qeveria e Australisë ka nisur një fushatë mediatike të qeverisë dhe ushtrisë për të dekurajuar azilantët që t’i afrohen kufijve të saj dhe në këtë fushatë ka përfshirë mesazhe të përkthyera edhe në gjuhën shqipe, mes disa gjuhëve të tjera.
Pjesë e fushatës është bërë dhe ministri për Emigracionin Scott Morrison i cili në një video mesazh thotë se drejton operacionin “Kufijtë Sovranë”, i cili sipas këtij mesazhi të përkthyer edhe në shqip, “ka qenë shumë i suksesshëm në ndalimin e ardhjes së anijeve në mënyrë të paligjshme në Australi si dhe të biznesit të trafikantëve të qenieve njerëzore”. Shikoni videon në shqip më poshtë
http://https://www.youtube.com/watch?feature=trueview-instream&v=3EZBH9xw2Is
Ky operacion, sipas faqes zyrtare të qeverisë australiane është një iniciativë e udhëhequr nga ushtria “për mbrojtjen e kufijve dhe për të ndaluar anijet, për të parandaluar njerëzit që të rrezikojnë jetën e tyre në det dhe për të ruajtur integritetin e programit të emigracionit të Australisë”. E thënë më troç është një tentativë e Australisë për të mos u përballur me probleme të ngjashme emigracioni dhe kriza humanitare përmes detit siç përballet zakonisht Italia në Mesdhe.
Mesazhet e ministrit dhe video të tjera nga zyrtarë të lartë deri dhe krerë të ushtrisë australiane duket se i drejtohen qytetarëve që kërkojnë azil në Australi përmes Indonezisë. Shikoni videon në shqip të gjeneralit australian më poshtë:
https://www.youtube.com/watch?v=GmIFVZG-xsA
Kritika ndaj Australisë
Por Australia është vendi që në mes të ëktij viti që po leme pas është kritikuar nga OKB në lidhje me politikat e saj të reja me azil kërkuesit. Sipas OKB një projekt ligj australian i këtij viti që i jep mundësinë qeverisë të ktheje pas këdo azil kërkues pa konsideruar faktin që ata mund të përballen me persekutim nëse kthehen, mund të jetë një ligj në kundërshtim me traktatet ndërkombëtare kundër torturës. Lexoni shkrimin shqetësues nga The Guardian
Po shqiptarët pse?!
Ajo që të bën përshtypje është fakti që mes gjuhëve të përzgjedhura për të adresuar këto video mesazhe të qeverisë australiane është edhe gjuha shqipe.
Arsyeja kryesore ka të bëjë me faktin se shqiptarët janë ndër popujt kryesorë që furnizojnë vendet europiane por edhe Australinë me azil kërkues, sidomos pas vitit 2012.
Sipas statistikave zyrtare të UNHCR (për më shumë KETU), një agjenci e Kombeve të Bashkuara, ka patur një rritje prej 47 përqind të azil kërkuesve nga Europa Juglindore ku pjesën më të madhe e zënë qytetarët serbë, maqedonas dhe ata shqiptarë.
Për vetë Australinë, dy tre vitet e fundit mund të interpretohen dramatike në rritjen e numrit të azil kërkuesve. Në 2009 ky vend ishte në listën e fundit të vendeve ku azil kërkuesit përplaseshin. Por në 2013 numri i tyre pati një rritje 100 përqind dhe Australia është sot në të njëjtin nivel me Italinë, dhe përballon 4 përqind të të gjithë fluksit të azil kërkuesve në botë (nga 2 përqind që ishte në 2009). Me siguri kjo është arsyeja pse qeveria e këtij vendi ndihet e alarmuar nga ky fenomen.
Por aktivistë të të drejtave të njeriut në Shqipëri theksojnë me shqetësim se ky mund të mos jetë një lajm i mirë për respektimin e të drejtave të njeriut të qytetarëve shqiptarë. Vasilika Laçi (në foto), drejtore programi e “Civil Rights Defenders”, një organizatë suedeze për të drejtat e njeriut që punon shumë edhe në Shqipëri thotë për “Historia Ime” se, “Pak informacione kemi mbi mënyrën sesi shqiptarët udhëtojnë drejt Australisë për të kërkuar azil. Mund të jetë edhe nëpërmjet detit dhe nëse ndodh, kjo i vendos qytetarët shqiptarë në një situatë shumë të rrezikshme”.
Shqetësimi kryesor që kanë aktivistët për të drejtat e njeriut për azil kërkuesit shqiptarë ka të bëjë me faktin se këta të fundit janë të painformuar. “Qytetarët shqiptarë nuk janë mjaftueshëm të informuar mbi rreziqet që u kanosen kur ndërmarrin kësisoj nismash për të kërkuar azi”, thotë Laci.
Ajo dhe aktivistë të tjerë për të drejtat e grupeve të marxhinalizuara pohojnë se është shtuar dukshëm numri i personave azil kërkues nga komuniteti rom-egjiptian, LGBT apo dhe qytetarë nga zona me varfëri të tejskajshme. Kritika e fortë mbetet kjo: “Duket se qeveria po bën përpjekje për të dekurajuar shqiptarët të kërkojnë azil por nga ana tjetër nuk po bëhet mjaftueshëm për të zbutur varfërinë dhe për t’u dhënë shpresë qytetarëve të përjashtuar se jetët e tyre mund të përmirësohen”, thotë aktivistja për të drejtat e njeriut Vasilika Laçi.