E duam Shqipërinë si gjithë Evropa. Por, sa gati jemi për ti valëvitur flamujt?

Sipas raportit të fundit nga ILGA-Europe dhe ERA, të drejtat e personave LGBTI duhet të jenë pjesë thelbësore e kapitujve të negociatave me BE-në, veçanërisht kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me drejtësinë, lirinë dhe të drejtat themelore.
Në letër, Shqipëria ka bërë disa hapa. Plani Kombëtar për personat LGBTI 2021–2027 është një prej tyre, por zbatimi i tij është i ngadaltë. Ndërkohë, edhe pse është hartuar një protokoll mjekësor për personat trans, ai ende nuk është miratuar zyrtarisht. Ligjet për krimet e urrejtjes përfshijnë orientimin seksual dhe identitetin gjinor, por mungon një procedurë administrative për njohjen ligjore të gjinisë.
Nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së, ajo do të duhet të njohë edhe partneritetet e regjistruara për çiftet e të njëjtit seks, një kërkesë e qartë nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Këto hapa nuk janë vetëm simbolikë, por ndikojnë drejtpërdrejt në aksesin në kujdes shëndetësor, arsim dhe punësim për komunitetin LGBT.
Por rruga drejt barazisë patjetër ka trazirat e veta. Në janar 2025, një grup deputetësh propozoi një ligj që përcaktonte se ekzistojnë vetëm dy gjini, duke ndaluar kështu ndryshimin ligjor të gjinisë. Kjo nismë, nëse miratohet, do të ishte në kundërshtim me të drejtat themelore dhe do të rrezikonte procesin e integrimit.
Për më tepër, figura publike dhe parti politike kanë shfaqur retorikë të fortë kundër komunitetit LGBT. Fushatat “pro-familje” kanë mbledhur firma kundër martesave të së njëjtës gjini dhe kanë akuzuar komunitetin për “shpopullim të vendit” dhe “agjendë ideologjike”.
Megjithatë, raporti i ILGA-Europe thekson se pikërisht përballë këtyre sfidave, procesi i anëtarësimit në BE mbetet një mundësi për Shqipërinë për të përmirësuar legjislacionin dhe për të garantuar barazi reale për të gjithë qytetarët e saj. Bashkimi Evropian nuk kërkon perfeksion, por përkushtim dhe progres.
Në fund të ditës, pyetja mbetet:
A do ta shfrytëzojë Shqipëria këtë mundësi për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse, apo do të lejojë që retorika e frikës dhe përjashtimit të mbizotërojë?
Koha dhe vullneti politik do ta tregojnë.