Kur politika prek lirinë: çfarë po ndodh me fondet për komunitetin LGBT në Ballkanin Perëndimor?
Kohët e fundit, një debat ka shpërthyer në SHBA rreth fondeve të huaja që mbështesin projektet për të drejtat e komunitetit LGBT në vende si Shqipëria, Serbia apo Kosova. Në qendër të kësaj zhurme është senatori republikan John Kennedy, i cili deklaroi se “qeveria amerikane po shpenzon miliona dollarë për programet LGBT në Ballkanin Perëndimor dhe Ugandë” duke e quajtur këtë një “shpenzim të panevojshëm” dhe madje “spending porn”.
Në fakt, bëhet fjalë për rreth 3.9 milionë dollarë që USAID kishte parashikuar për nisma që ndihmojnë komunitetin LGBT në rajon, projekte që synojnë të ulin diskriminimin, të forcojnë organizatat e shoqërisë civile dhe të promovojnë barazinë në vendin e punës. Në Serbi, për shembull, një program i tillë prej 1.5 milionë dollarësh është përdorur për trajnime dhe sensibilizim në kompanitë që duan të jenë më gjithëpërfshirëse.
Por pas deklaratave politike në Washington, shumë nga këto fonde janë ngrirë ose pezulluar. Kjo ka prekur dhjetëra organizata në Ballkan që punojnë për të drejtat e njeriut, përfshirë ato që ndihmojnë personat LGBT, gratë, apo të rinjtë në zonat rurale. Disa qendra komunitare kanë mbyllur dyert, disa projekte janë ndalur përgjysmë, dhe shumë aktivistë janë lënë pa mbështetje.
Arsyeja pse këto fonde janë të rëndësishme nuk është thjesht për “kauzë sociale”. Në vende ku demokracia është ende e brishtë, ku homofobia dhe diskriminimi janë të përhapura, mbështetja ndërkombëtare na ka ndihmuar shumëprej nesh të kemi një zë, siguri dhe mundësi për të ndërtuar jetën pa frikë. Këto programe kanë ofruar edukim, ndihmë ligjore, trajnime në shkolla dhe kanë ndryshuar realitete të vogla që ndoshta nuk bëjnë lajme, por bëjnë diferencë në jetën e përditshme.
Pas ndërprerjes së fondeve, situata në rajon është përkeqësuar. Organizatat raportojnë më shumë raste diskriminimi dhe më pak mbështetje institucionale. Në Serbi e Kosovë, retorika kundër komunitetit LGBT është rritur, ndërsa në Shqipëri, shumë aktivistë thonë se pa fonde, rrezikojnë të mos kenë më platforma për të ngritur zërin.
Kështu, përtej deklaratave politike në Uashington, pasojat janë shumë reale këtu. Sepse kur mbështetja për të drejtat e njeriut quhet “shpenzim i tepërt”, ajo që humb nuk janë vetëm paratë por mundësia për një shoqëri më të drejtë dhe më të lirë për të gjithë.
Në fund të fundit, financimi për komunitetin LGBT në Ballkan nuk ishte luks. Ishte ndihmë për të ndërtuar një shoqëri ku askush nuk ndjehet më pak për shkak të asaj që është.