Media online: informacione dhe “pornografi”
Nga Lorin Kadiu
Sa herë hyn në portalet informative online, për të parë çka ndodhur gjatë ditës, mes lumit të informacioneve politike, vrasjeve, komploteve dhe masakrave nuk ka si mos të tërheqin vëmendjen rubrika si “Lifestyle, Papparazi ,Showbiz, Thash & Them”. Një mori artikujsh me foto të femrave gjysëm, ose shpeshherë, plotësisht të zhveshura, që shoqërohen me tituj sensacional ku mbizotrojnë fjalët “seksi, të pasme, bombastike, gjoks, të brendshme” zënë një pjesë të mirë të faqeve të para.
Është shumë e thjeshtë të gjesh material pornografik në internet, mjaftojnë dy fjalë dhe një klikim, atëherë, përse duhet ta përziejmë informimin me pornografinë?
Një artikull provokues është shumë i thjeshë për tu bërë dhe mjaft fitimprurës sepse dhe jo rrallë herë ndodh që të jetë në listën e lajmeve më të klikuara. Dihet se sa më i thjestë të jetë mesazhi, aq më gjithëpërfshirës është, por këtu nuk po flasim për këtë. Në këto raste media na përcjell një mesazh primitive, që nxit reagimin impulsiv të instikteve dhe po harron funksionin informues, edukues dhe rolin që ajo ka në formëzimin e opinionit.
Si mundet që, në mediat online, shpesh zgjatime të mediave tradicionale që konsiderohen si më seriozet dhe kanë shpërndarje më të gjerë, të ketë një mungesë totale të përgjegjshmërisë? Këto artikuj shfaqen në faqen e parë, në të njëjtin vend me informacionet për shkollimin, shëndetësinë, politikën dhe aktualitetin.
Nëse nuk mund të bëjmë dot pa publikuar “selfiet” dhe “belfiet” narciste të pseudoartisteve që ndërtojnë një karrierë duke fotografuar trupin e tyre, a nuk do të ishte më mirë t’i shpërndanim në portale të specializuara për këtë qellim?
Mungesa e autoriteteve kontrolluese dhe e rregullimit ligjor për hapsirën virtuale i jep mediave online një pushtet të pakontrolluar. Këto media janë të gjithëpushtetshme, i kërkojnë llogari çdokujt! Nëse të lind dëshira të komentosh në një artikull, fillimisht duhet të identifikohesh dhe më pas të kalosh në “filtrin” e moderatorëve që vendosin nëse komenti është i denjë për tu publikuar.
Natyrshëm lind pyetja, po medias kush i kërkon llogari?
Mbetet për tu impakti që do të ketë në rast miratimi, propozimi për ndryshime në Kodin Civil, i cili detyron mediat online të fshijnë komentet fyese dhe denigruese dhe i vendos administratoët e tyre përpara përgjegjësisë.
Komercializimi, konkurenca e ashpër, mungesa ose mosrrespektimi i kodeve të etikës po i kthen përmbys kriteret e konkurencës. Gara për besueshmëri, objektivitet dhe profesionalizëm po kthehet në garë për klikime, reklamë dhe fitim të shpejtë.