Pak ditë më parë në media u publikua një video Skandaloze, ku shihen disa policë teksa dhunojnë një fëmijë 15-vjeç, pasi ai kishte thyer karantinën.
Videoja bëri xhiron e rrjetit, ndërsa polici u pezullua nga puna.
Sot, çështja është kthyer sërish në vëmendje, kjo pasi Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në një deklaratë që është duke u quajtur skandaloze, ka arsyetuar dhunën duke thënë se mamaja e tij është shfaqur në një video me armë.
“Por a është në të vërtetët djali që i është bindur të gjithë thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja? Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistōletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim”, tha drejtori i policisë në një raportim në një komision parlamentar.
Por cila është e vërteta e nënës së djalit, dhe pse po kërkohet shkarkimi i Ardi Veliut.
Zaida Çobo është e ëma e djalit të dhunuar, ndërsa ajo është aktore.
Vetë ajo ka thënë se skena që ka publikuar Veliu është një skenë filmi.
Veç të tjerash, Veliu në pak sekonda ka konsumuar disa shkelje të ligjit, dhe ka përdorur nota të rënda seksiste.
Ardi Veliu u mundua sot të paraqesë ndër të tjera gruan, si një shkaktare e problemeve në shoqëri, çka në vetvete përbën një skandal.
Aktivistja dhe feministja, Gresa Hasa në një postim në facebook shkruan:
“Gruaja nuk është zanafilla e gjithë të këqijave dhe prindërimi nuk është detyrë e nënës. Policia shtetërore nuk mund të mbrojë vetveten duke demonizuar publikisht kësisoj një grua teksa cenon identitetin dhe privatësinë e saj e të të gjithë familjarëve apo personave të tjerë që kanë të bëjnë me të dhe të birin, duke i vendosur a priori përpara rrezikut të sulmeve të panevojshme. Ndër të tjera, ne nuk kemi asnjë informacion për videon personale të gruas dhe rrethanat në të cilat ajo është xhiruar. Mbi të gjitha, ky informacion nuk na hyn aspak në punë për ngjarjen ku policia rrethon dhe dhunon një të mitur në mënyrë brutale. “

Së dyti, Veliu ka shkelur rëndë privatësinë e qytetarëve, duke mbledhur informacion, për një person ndaj të cilit nuk ka një hetim, në këtë rast nëna e djalit.
Aktivistë të tjerë, janë duke u shprehur se vetëm në sistemin komunist, fëmija persekutohej, për “gabimet” e prindërve.

Avokatja e njohur Dorina Asllanaj, në një postim në facebook shkruan se, në deklaratën e Veliut ka shkelje të rënda të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe Kushtetuës së vendit tonë.
“Pra nese femija e ka babain te denuar per vrasje, policia mund ta vrase femijen ne mes te rruges. Vetem ne kete deklarate jane shkelur gjysma e parimeve te KEDNJ dhe Kushtetutes, se per ligje e dime qe nuk e kane shume problem.”-shkruan Avokatja./ HistoriaIme
