Spanja vendi më i shëndetshëm në botë, Shqipëria ngjitet në klasifikim

Sipas një klasifikimi të agjencisë Bloomberg, për vendet më të shëndetshme në botë, Spanja ka mundur për herë të parë Italinë, duke u vendosur në vend të parë.
Klasifikimi është bërë duke marrë për bazë 169 ekonomitë botërore dhe merr parasysh të gjithë faktorët që kontribuojnë për shëndetin e njeriut, duke nisur që nga ushqimi dhe zakonet e të ushqyerit, por edhe aspekte të jetës, apo rreziku që lidhet me duhanin apo obezitetin, por edhe ndotja e ajrit, e ujit, si dhe kushtet e sistemit shëndetësor. Madridi në krahasim me klasifikimin e fundit në 2017 është ngjitur plot 6 pozicione duke fituar vendin e parë.
Përsa i përket renditjes së vendit tonë, Shqipëria është ngjitur plot 7 vende në klasifikim në krahasim me vitin 2017. Shqipëria është ngjitur në vendin e 43-të në klasifikimin, duke lënë pas fqinjët, Maqedoninë, Serbinë, por edhe vende si Turqia, Hungaria, Meksika dhe Argjentina.
Në renditjen e shteteve më të shëndetshme, në vend të dytë është klasifikuar Islanda, në vend të tretë Zvicra, në vend të katërt Suedia, e pesta Norvegjia dhe e gjashta Japonia, që rezulton vendi aziatik më i shëndetshëm, duke u ngjitur tre vende nga 2017.
Italianët ndodhen dhjetë vende me lart se fqinjët e tyre francez. /k.j